Betejë jetike! Derbi i “anonimëve”, Partizani kërkon të zhysë rivalin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2025 | 15:54

Betejë jetike! Derbi i “anonimëve”, Partizani kërkon të zhysë rivalin e madh

Ej, sot është derbi. Këto vitet e fundit qyteti vjen më pak “aromë” derbi, por zemra ende rreh më fort se çdo ditë. Nuk është faji ynë që qyteti nuk gumëzhin prej kësaj ndeshjeje, është i tyre. Lojtarët e mirë na i shitën për ato milionat e shkreta.

Screenshot 2025-04-07 155400

Ky futboll që po luhet s’i ngjan aspak atij që luhej para afro një dekade dhe ata djemtë e vegjël nuk kanë më idhuj siç kishin të parët e tyre Stërmasin, Memën, Mingën, Kolën, Dibrën, “Zogun”, Mukën, Panon, Resnjen, Lamen, Muratin, Mustën, Berishën, Shehun e shumë e shumë të tjerë. Tani luajnë ca të huaj që kanë “ngecur” këtu se s’kishin zgjidhje tjetër dhe disa të rinj, që ndoshta mund të bëhen të mëdhenj, por tani nuk janë.

POR DUHET – Nuk ka shumë motive që na shtyjnë të shtojmë në stadium, por duhet. Sepse derbi nuk është vetëm një ndeshje, është një “vepër” që duhet ta trashëgojmë brez pas brezi. Është një rivalitet që e identifikon qytetin e Tironës, kryeqytetin e Shqipërisë dhe metropolin më të madh të shiptarisë. Janë ngjyrat, historia, tradita, tregimet e babit apo të gjyshit, që duhet të na bëjnë që këmbët të na çojnë në stadium. Është pasioni për qytetin tonë, ku jetojmë apo ku nëna na ka lindur. Është momenti kur ne nuk kemi nevojë për atë ndeshje, por ajo ndeshje ka nevojë për ne, sepse duhet mbajtur gjallë.

TIRANA – Duhet të ulim kokën poshtë në tabelë për t’i gjetur ngjyrat bardhë e blu. Tirana, skuadra më e trofeshme e futbollit shqiptar, është sërish në gjendje kritike dhe rrezikon të bjerë nga kategoria. Ata djemtë e rinj a të huaj, që shumica jonë as emrat nuk ua mbajmë mend, kanë nevojë për mbështetje. Bardheblutë po luajnë shanset e fundit për të siguruar mbijetesën dhe duke parë rezultatet e skuadrave të tjera, në derbi i bën punë vetëm fitorja, që mungon prej më shumë se dy vitesh. Situata është e vështirë, por ajo fanellë peshon dhe gjithçka mund të ndodhë.

PARTIZANI – E nisën sezonin shumë mirë, por viti i ri u bë si mallkim. Humbje “karikator” dhe skuadra që bie në gjendje të rëndë psikologjike dhe sportive. Veselinoviç u shkarkua në mënyrë demonstrative, erdhi Abilaliaj në stol, por “Demat” nuk u shëruan. Para dy ndeshjes u kthye Skënder Gega me prepotencën e një trajneri kampion, me personalitet dhe mentalitet fitues. Këtë ia injektoi shpejt edhe skuadrës, që edhe pse ende “e çalë”, i mori dy fitore radhazi. Por prova më e madhe për Partizanin është ajo me Tiranën. Përballë është rivali më i urryer, që është drejt “mbytjes”. Të kuqtë me siguri do të bëjnë më të mirën që Tirana të zhytet aq thellë, sa të mos dalë dot më. Ana tjetër e medaljes është shprehja se “i mbyturi, të mbyt”.

PANORAMASPORT.AL