Besa me mungesa, “treni i fundit” për qëndrimin e Lushnjës
Besa është rikthyer në zonën “play-off” në Kategoria e Parë, pasi i dha fund serisë prej tre humbjesh radhazi me një fitore dramatike 3-2 në Gjirokastër ndaj Luftëtari. Një sukses që ka ringjallur shpresat e kavajasve në këtë fazë vendimtare të sezonit. Java e 30-të i gjen verdhezinjtë në shtëpi, ku do të presin Lushnja, një kundërshtar që gjithashtu vjen me moral të lartë pas fitores ndaj Korabit.

Në letër, Besa duket favorite, por realiteti në fushë pritet të jetë shumë më i komplikuar. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani do të vuajë mungesa të rëndësishme në këtë përballje. Sulmuesit Ermir Spahiu dhe Godsuill Çinuendu, si dhe vetë trajneri Magani, janë të pezulluar pas kartonëve të kuq të marrë në Gjirokastër, duke e vështirësuar jo pak situatën për vendasit. Pavarësisht favoritizmit në letër, tifozët kavajas shfaqen skeptikë për këtë sfidë, edhe për shkak të historikut të marrëdhënieve mes dy klubeve ndër vite.
Në ambientet sportive qarkullojnë aludime të ndryshme, por gjithçka mbetet për t’u vërtetuar vetëm në fushën e lojës. Nga ana tjetër, Lushnja e konsideron këtë takim jetik për mbijetesën. Një fitore në stadiumin e Luzit do të rriste ndjeshëm shpresat e verdhejeshilëve për të shmangur rënien dhe për të mbajtur gjallë objektivin sezonal.
Gjatë javës, Lushnja ka zhvilluar përgatitje intensive, me një fokus të veçantë si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Atmosfera në kampin lushnjar paraqitet e përqendruar dhe me moral të lartë, ndërsa stafi teknik kërkon maksimumin nga kjo transfertë e vështirë. Një duel me tension të lartë dhe shumë pikë në lojë, ku Besa kërkon të konsolidojë vendin në “play-off”, ndërsa Lushnja luan një nga “finalet” e saj për mbijetesë. Në Kavajë pritet një betejë e vërtetë, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
PANORAMASPORT.AL













