Berisha dhe Cana kundër kushërinjve… “plangprishës”
DJEM XHAXHALLARËSH
Lorik Cana (Lacio) – Granit Cana (Flamurtari, Kosovë) Etrit Berisha (Lacio) – Drilon Berisha (Prishtina) Valon Behrami (Napoli) – Jetmir Behrami (Llapi) Granit Xhaka (Mynshengladbah) – Agon Xhaka (Prishtina) Valdet Rama (Valadolid) – Bujar Rama (Trepça) Loret Sadiku (Helsingborg) – Getoar Sadiku (Besëlidhja)
Janë ndër futbollistët e shumtë që luajnë në Kosovë, por gjithsesi mbeten të veçantë. Arsyeja nuk qëndron shumë tek ata sesa te fisi i tyre, ose më mirë te kushërinjtë e tyre futbollistë. Bëhet fjalë për ata lojtarë, pak të njohur në arenën ndërkombëtare, që militojnë në skuadra të Kosovës, por që “krenohen” se djemtë e xhaxhallarëve të tyre militojnë në skuadrat më të mira në Europë. Kështu, Drilon Berisha (Prishtina), Agon Xhaka (Prishtina U-21), Bujar Rama (Trepça), Granit Cana (Flamurtari), Jetmir Behrami (Llapi) dhe Getoar Sadiku (Besëlidhja) janë djem xhaxhallarësh të Etrit Berishës, Granit Xhakës, Valdet Ramës, Lorik Canës, Valon Behramit dhe Loret Sadikut. Edhe djemtë e xhaxhallarëve të Xherdan Shaqirit, Afrim dhe Bashkim Shaqiri kanë luajtur për Dritën në Kosovë. Duhet thënë se nga të gjithë emrat e mësipërm, vetëm Drilon Berisha duket një lojtar premtues, kjo nisur edhe nga ajo çka ai ka treguar gjatë këtij edicioni në fushë. Vetë mbrojtësi i djathtë i Prishtinës tregon për reagimin e shokëve të skuadrës rreth afërsisë familjare që ka me portierin e Lacios, Etrit Berishën. “Bashkëlojtarët e mi normalisht e dinë se Etritin e kam djalë xhaxhai. Në fillim, kur ai bënte disa gabime të vogla, shokët e skuadrës shpeshherë talleshin me mua. Por sigurisht që ata i gëzohen po aq sa unë çdo suksesit që po kor Etriti”, – thotë Berisha për Arenën, duke “sfiduar” më pas Etritin. “Çdo herë kur vjen në Kosovë, ne luajmë bashkë. Ka ndodhur disa herë që t’i shënoj edhe gol”, – shton ai. Driloni mendon që po t’i kishin kushtet futbollistët kosovarë, shumë prej tyre do të luanin në ligat më të forta europiane. “Dëshira e çdo futbollisti është që të dalë jashtë. Po ta kishim rastin edhe ne, sigurisht që shumë futbollistë të tjerë kosovarë do të përfundonin në ligat më të forta europiane”, – thotë Berisha, i cili falë paraqitjeve shumë të mira me Prishtinën, kohëve të fundit ka qenë afër kalimit në Superioren shqiptare. Ndërkohë, futbollisti i Valadolidit, Valdet Rama, gjen kohë për të parë paraqitjet e djalit të xhaxhait të tij, Bujar Ramës, i cili luan për Trepçën. “Bujarin e shikoj pothuajse në çdo ndeshje. Ai është një futbollist shumë i mirë. Po përmirësohet çdo ndeshje dhe po jep maksimumin për skuadrën. Gjithashtu, mos harroj të përmend që Bujari sapo është kthyer nga një dëmtim”, – pohon Rama. Lojtari i Kombëtares shqiptare përkujdeset për djalin e xhaxhait edhe kur vjen fjala te veshjet. “Nuk e lë keq asnjëherë. Gjithmonë përkujdesem për të. Bujari ka një talent të madh dhe mund të luajë edhe në Europë”, – përfundon Valdeti. Tjetër lojtar që ka djalin e xhaxhait në futbollin kosovar është mbrojtësi i Helsingborgut, Loret Sadiku (ky i fundit u pajis me pasaportë shqiptare për të luajtur për kuqezinjtë, por në fund duket se do të zgjedhë përfundimisht Kosovën). Bëhet fjalë për Getoar Sadikun, i cili luan në Ligën e Dytë nën fanellën e skuadrës prishtinase, Besëlidhja. “Më herët shokët e skuadrës e kanë njohur Loretin si emër, por nuk ia kanë ditur cilësitë. Por, pas takimit Kosova-Haiti, ata janë habitur me paraqitjen e tij”, – u shpreh ai për gazetën “Arena”. “Po të kisha fatin e Loretit që të tregohesha jashtë vendit, ndoshta sot do të isha më larg. Mirëpo kushtet në Kosovë e bëjnë të veten, ndaj jam këtu ku jam”, – përfundon Getoari.
Kur Granit Cana akuzonte Lorik Canën
Ka ndodhur që mes kushërinjve të mos ketë edhe ndonjë afërsi apo edhe dashamirësi. Kjo ka ndodhur para dy vitesh, kur djali i xhaxhait të Lorik Canës (Graniti) e akuzonte këtë të fundit dhe babanë e kapitenit të kuqezinjve Agim Cana (xhaxhanë) se ata nuk e kishin ndihmuar fare që edhe ky i fundit të mund të bënte karrierë në futboll. Granit Cana la luajtur edhe në Superiore, te Teuta e Durrësit, por pa lënë gjurmë. Sakaq, vetë babai i Lorikut, Agim Cana, në një prononcim për mediat në atë kohë, pohoi të kundërtën. “Ai është një njeri i poshtër, që në deklaratat e tij ka vetëm gënjeshtra. Ne i kemi siguruar prova te skuadra e Nantës në Francë dhe ata të klubit na thanë se niveli i tij ishte si i një 14-vjeçari”, – pat thënë Agim Cana.













