AXHENDA/ Dita e aleancave dhe së vërtetës, “ethe” në Kategorinë e Parë! Liqenorët presin “dhurata”
Kategoria e Parë hyn në një nga momen tet më delikate të sezonit me zhvillimin e javës së 30-të, një raund që pritet të ndikojë ndjeshëm si në garën për ngjitje, ashtu edhe në luftën dramatike për mbijetesë. Të gjitha ndeshjet luhen njëkohësisht, këtë të shtunë në orën 15:00, çka shton presionin dhe emocionin në çdo fushë. Në plan të parë është gara për kreun, ku një detaj bie menjëherë në sy: nga treshja kryesuese, vetëm Pogradeci luan në shtëpi.

Një avantazh që mund të rezultojë vendimtar për liqenorët, të cilët jo vetëm duhet të bëjnë detyrën e tyre, por edhe të shpresojnë në ndonjë hap fals të Skënderbeut dhe Laçit në transfertë. Kjo është arsyeja pse kjo mund të quhet pa hezitim “java e liqenorëve”. Nga ana tjetër, fundi i tabelës paraqet një paradoks interesant: të gjitha skuadrat që luftojnë për mbijetesë luajnë jashtë fushe. Një situatë që rrit vështirësinë për to, por njëkohësisht hap skenarë të ndryshëm, ku jo gjithmonë rezultati varet vetëm nga forca në letër. Në këtë fazë të sezonit, “aleancat e heshtura” dhe motivimet e fshehura mund të dalin më shumë në pah se kurrë. Në tërësi, kjo javë pritet të japë sinjale të qarta: A do të kemi një shkëputje në krye, apo gjithçka do të mbetet e hapur deri në fund? Cilat skuadra do të tregojnë se e meritojnë mbijetesën?
Çfarë presim nga kjo javë
Presim një raund ku mund të ketë surpriza dhe ndoshta edhe rezultate “të çuditshme”, për shkak të interesave të ndryshme të skuadrave. Pogradeci ka një shans “të artë” për të përfituar, ndërsa Skënderbeu dhe Laçi duhet të kalojnë teste të vështira në transfertë. Në fund, kjo javë mund të jetë një pikë kthese, ose do të krijojë diferenca më të qarta, ose do ta bëjë kampionatin edhe më të ndezur deri në javët e fundit.
Sot, ora 15:00
Pogradeci – Kukësi
Sfida e liqenorëve është ndoshta më vendimtarja për fatet e javës. Pogradeci luan në “Gjorgji Kyçyku” me synimin e vetëm, fitoren. Çdo rezultat tjetër do të ishte një hap pas në garën për kreun. Përballë është Kukësi, një skuadër e rrezikuar që ka nevojë jetike për pikë. Presioni është i dyanshëm, vendasit për titullin, miqtë për mbijetesën. Një ndeshje ku një gol mund të vlejë sa një sezon. Pogradeci vjen në këtë sfidë pas tetë fitoreve radhazi dhe bëhet gati për të nëntën, ndërsa verilindorët nuk e njohin humbjen në 6 javët e fundit.
Kastrioti – Laçi
Laçi udhëton në një transfertë shumë të vështirë ndaj Kastriotit, një skuadër që shpesh i hap probleme ekipeve të mëdha. Krutanët nuk kanë shumë për të humbur, ndërsa kurbinasit janë të detyruar të fitojnë për të mbajtur ritmin e kreut. Këtu pritet një duel i fortë fizik dhe emocional, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Takimi luhet në stadiumin e Vorës, pasi këtë javë edhe Iliria është pritëse.
Burreli – Skënderbeu
Kryesuesit e Skënderbeut përballen me një transfertë delikate në Burrel. Vendasit janë një ekip i paparashikueshëm dhe kanë treguar se dinë të hapin punë në shtëpi. Korçarët, nga ana tjetër, nuk kanë luksin e gabimit. Një fitore këtu do të ishte një sinjal force për rivalët, por çdo hap fals mund të rihapë plotësisht garën.
Iliria – Luftëtari
Një ndeshje me objektiva të ndryshëm. Iliria kërkon të konsolidojë pozitat në mesin e tabelës, ndërsa Luftëtari lufton për mbijetesë. Diferenca në renditje është e qartë, por motivimi mund të balancojë gjithçka. Luftëtari nuk ka më hapësirë për gabime dhe çdo pikë në këtë fazë është jetike. Në këtë ndeshje vjen edhe debutimi i trajnerit të ri të gjirokastritëve, Neritan Novi.
Besa – Lushnja
Një duel që vlen shumë për pjesën e poshtme të tabelës. Besa ka avantazhin e fushës, por Lushnja vjen me “thikën në fyt”. Një përballje që pritet të jetë e tensionuar dhe e luftuar deri në minutën e fundit. Këto janë ndeshjet ku shpesh vendos karakteri më shumë se cilësia.
Korabi – Apolonia
Korabi synon të shfrytëzojë faktorin fushë për t’u larguar përfundimisht nga zona e rrezikut, ndërsa Apolonia kërkon pikë për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës. Një sfidë e ekuilibruar në letër, ku një gabim i vetëm mund të kushtojë shumë.
PANORAMASPORT.AL













