Arrin akordin, Mario Morina: Nuk largohem nga Tirana. Ua dhashë fjalën donatorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2014 | 9:04

Arrin akordin, Mario Morina: Nuk largohem nga Tirana. Ua dhashë fjalën donatorëve

Morina dhe SorraMario Morina edhe për një sezon do të jetë i Tiranës. Sulmuesi ka arritur një akord parimor me donatorët bardheblu dhe vetëm firma e mban larg zyrtarizmit. Një gjë të tillë e tregon vetë 21-vjeçari gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”, i cili deklaron se u ka dhënë fjalë drejtuesve. Ai nuk ka ndërmend që ta shkelë atë, ndonëse ofertat nuk i kanë munguar nga skuadra të tjera të Superiores, siç është edhe rasti i Flamurtarit. Ndër të tjera, lojtari, i cili u shpall edhe “Talenti i Vitit” pak ditë më parë, na tregon dhe detaje të tjera rreth vetes, por këtë herë përtej fushës.
Mario zyrtarisht jeni lojtar i lirë. Vendosët se çfarë do të bëni për të ardhmen?
Mbetem i Tiranës, në Shqipëri bardheblutë mbeten zgjedhja ime e parë.
Domethënë keni arritur akord me drejtuesit?
Në parim kemi diskutuar shumë, ndaj nuk kam ndërmend të largohem, duke qenë se u kam dhënë edhe fjalën.
OK, por para disa kohësh ju vendosët një kusht. Çfarë ndodhi?
Me sa kam folur me drejtuesit, ata kanë në plan që të ndërtojnë një ekip dinjitoz, i cili do të jetë pretendent sezonin e ri. Me ruajtjen e pjesës dërrmuese të grupit dhe disa afrime cilësore, do të bëhet një ekip për titull. Ndaj, kushti u plotësua (qesh).
Keni pasur një ofertë nga Flamurtari, e vlerësuat si opsion?
E thashë, u kam dhënë fjalën donatorëve. Është çështje respekti dhe burrnie.
Kur do ta firmosni zyrtarisht kontratën?
Është vetëm çështje letrash. Firma nuk do të jetë pengesë për rinovimin tim.
Po ana financiare?
As në këtë drejtim nuk do të ketë probleme. Nga janari e në vazhdim donatorët kanë qenë më shumë se korrekt financiarisht.
Si donatorët dhe stafi teknik ju kanë planifikuar në katërshen e parë që duhet të “blindohet” me çdo kusht…
Është vlerësim. Ndihem mirë kur donatorët dhe stafi kanë këtë mendim karshi meje, ndaj duhet t’ua shpërblej.
Para një jave morët titullin si “Talenti i Vitit”, si u ndjeve?
I lumtur pa dyshim, sepse rivalë kisha lojtarë realisht shumë cilësorë. Megjithatë u vlerësova për këtë pjesë të dytë të sezonit që bëra, që ishte realisht i suksesshëm në planin personal.
Edhe pse jeni i ri në moshë, mund të quhet ky sezoni më i mirë i karrierës suaj?
Po, në këto 6 muaj kam përfituar dhe kam dhënë shumë. Megjithatë, ky është vetëm fillimi për mua.
Kalojmë pak te pushimet. Si po i kaloni këto ditë?
Mirë, si me pushime, edhe pse moti nuk po mban mirë. Megjithatë, disa ditë plazh do i bëjmë patjetër.
Ku i keni planifikuar?
Në Jug, pasi nuk mund të largohem jashtë vendit për momentin.
Pse?
Jam në shkollë dhe kam disa provime.
Ku studion Morina?
Te “Vojo Kushi” për futboll normalisht, jam në vitin e dytë.

Idrizaj, larg Kukësit dhe pranë Tiranës
Lajmi për një akord mes mbrojtësin Endri Idrizaj me Kukësin ka sjellë një reagim nga ana e drejtuesve të Bylisit. Presidenca ballshiote dëshiron që ai të vijojë karrierën te Tirana, duke e larguar kështu ndjeshëm nga veriorët. Lojtari në fjalë ka një kontratë 2+1 me ballshiotët, e cila i skadon në muajin qershor të vitit 2016. Ndërkohë mësohet se për ta lënë të lirë futbollistin, drejtuesit shprehen se klubet që interesohen duhet të drejtohen pranë klubit të Bylisit për të diskutuar rreth kartonit të tij. Sipas drejtueseve të Bylisit, Tirana është më pranë lojtarit, ndërsa Kukësi, nëse do që të marrë shërbimet e tij, duhet të paguajë 20 mijë euro. Gjithashtu, mësohet se klubi bardheblu ka pasur kontakte zyrtare me drejtuesit aktualë të Bylisit për të marrë shërbimet e lojtarit. Korrektësia e kryeqytetasve dhe shuma që kanë ofruar kanë bërë që në Ballsh t’u japin përparësi kryeqytetasve. Në rast se ky kalim nuk përfundohet me sukses, drejtuesit bëjnë me dije se Idrizaj do të jepet huazim për një periudhë kohore derisa Bylisi të rikthehet në elitë.
ADELA MERKO