Armando Vajushi, “Topi i Artë 2011” për Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2011 | 18:38

Armando Vajushi, “Topi i Artë 2011” për Shqipërinë

Talenti i ri shkodran, pjesë e Vllaznisë së Shkodrës, Armando Vajushi, është shpallur fitues i “Topi i Artë 2011” në mbrëmjen gala për festat e fundvitit, organizuar nga FSHF-ja. Ky ka qenë verdikti i votimit të trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave të Kategorisë Superiore, që kanë evidentuar si më të mirin për vitin që po lëmë pas në kampionatin tonë kombëtar pikërisht Vajushin. Cmimi i është akorduar lojtarit në fjalë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndërkohë që në mbrëmjen festive të federatës kanë qenë të pranishëm mjaft drejtues klubesh, futbollistë, lojtarë, trajnerë e njerëz të këtij sporti, ku nuk kanë munguar as gazetarët sportivë, si përcjellës të gjithckaje ndodh tek publiku.
Duhet nënvizuar fakti se në votimin e parë të trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave të Superiores kishin dalë dy lojtarë më të vlerësuarit, portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, dhe mesfushori-sulmues i Vllaznisë, Armando Vajushi. Gjatë zhvillimit të mbrëmjes së FSHF-së, për festat e fundvitit, është organizuar një tjetër votim vetëm për këta dy emra, në bazë të të cilit ka dalë triumfues shkodrani Vajushi. Ky i fundit konsiderohet një ndër shpërthimet e pakta të futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit. I dalë nga Akademia e Futbollit “Vllaznia”, 20-vjeçari ka dëshmuar në radhët e skuadrës së parë kuqeblu se është një talent i lindur. Verën e këtij viti u fol se mund të kalonte në ndonjë klub të huaj, madje iu nënshtrua një testi prove te Këlni në Gjermani, por nuk arriti dot ta hedhë hapin e madh në karrierë, duke mbetur sërish pjesë e Vllaznisë. Së fundi, Vajushi është pezulluar 3 javë nga Disiplina,pas një përplasjeje fizike që pati me mbrojtësin Lala të Dinamos, ndeshjen e javës së shkuar të Superiores. Në dy edicionet e para të këtij cmimi, fitues ka qenë Elis Bakaj, i shpallur dy herë radhazi si “Lojtari i Vitit”. Ai tashmë bën pjesë në skuadrën rumune të Dinamos së Bukureshtit.