Argjentinasi tregon trajnerin më të mirë sipas tij, Leo Mesi: E dua edhe një Kupë Bote me Argjentinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2025 | 17:12

Argjentinasi tregon trajnerin më të mirë sipas tij, Leo Mesi: E dua edhe një Kupë Bote me Argjentinën

Leo Mesi ka nisur kapitullin e fundit të karrierës së tij të shkëlqyer, por nuk mund ta përfundonte pa u shpallur edhe një herë kampions në USA dhe natyrisht që dëshira e tij është te shkëlqejë edhe një herë në botërorin e vitit 2026 me kombëtaren argjentinase. Ka folur për dhithçka, për Barcelonën ku nga adoleshent u bë yll botëror, dhe është ende i nderuar, dhe pastaj është Kupa e Botës 2026.

mesi

Në pak më shumë se gjashtë muaj, sytë e botës do të përqendrohen te Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, ndërsa Argjentina përpiqet të mbrojë kurorën e saj dhe pyetja është. A do të marrë pjesë Mesi? Në një intervistë të gjerë me “SportsCenter” të “ESPN Argentinas”, Mesi diskutoi një sërë temash, duke përfshirë familjen, dëshirën e tij për të drejtuar përsëri Argjentinën, shkëlqimin e Lionel Skalonit dhe pse Pep Guardiola është një nga “më të mirët” e të gjitha kohërave.

Çfarë mendoni për fitimin e Kupës MLS? “Jam i lumtur. është shumë e veçantë të luaj një tjetër finale me këtë klub. Ne kemi luajtur një tjetër finale kohët e fundit. Të jesh në gjendje të arrish në finalen e MLS me një klub ‘të ri’ është spektakolare. “Jemi në një moment shumë të mirë, skuadra është e fortë dhe e emocionuar, tani mendojmë për vitin e ardhshëm. Të luash në shtëpi është një plus. Edhe pse kaluam një periudhë ku ishim shumë të paqëndrueshëm dhe luftuam për të fituar ndeshje radhazi, gjithmonë qëndruam të forte deri në fund.”

Sa jeni mësuar me oraret e MLS? “E kam thënë dhe do ta përsëris. Kjo pjesë e sezonit na godet ndryshe në krahasim me Evropën. Do të fillojmë një parasezon të vështirë në janar dhe pastaj do të kemi shumë ndeshje radhazi me ligën dhe Kupën e Kampionëve CONCACAF”. Do të përgatitem për këtë, por siç thashë, do ta përballoj ditë për ditë, duke qenë i ndershëm dhe realist dhe duke u përpjekur të ndihem mirë. Eshtë e vërtetë se këtë vit u ndjeva shumë mirë. Pata fatin të luaja shumë ndeshje. Njerëzit flasin për ligën që është shumë fizike, dhe është; rivalët janë përmirësuar shumë. Ka udhëtime të gjata, ndeshje që bëhen shumë të ashpra. U ndjeva vërtet mirë, e shijova dhe shpresoj që fillimi i vitit të ardhshëm të jetë i njëjtë”.

Luani gjithmonë për fitore? “Gjithmonë kam qenë konkurrues, më pëlqen të fitoj dhe përpiqem ta bëj. Gjatë rrugës kam pasur periudha të këqija ose momente të vështira, por gjithmonë vazhdoj të përpiqem dhe ngrihem, duke kërkuar gjithmonë më të mirën. Shumë nga gjërat që më ndodhën, i kuptoj ose i vlerësoj vetëm tani. Kur je i përqendruar ose i zënë me punët e përditshme, është shumë e vështirë. E gjithë karriera ime ka qenë duke luajtur çdo tre ditë, gjithmonë ndeshje të rëndësishme, gjithmonë duke luftuar për gola të rëndësishëm. Ne fitonim një dhe një muaj më vonë kishim një tjetër, ose fillonte një vit i ri dhe unë kisha detyrimin të fitoja gjithçka. Kërkesat e të qenit në një klub të madh si Barcelona, dhe ishte e njëjta gjë në Paris, dhe gjithashtu me Argjentinën, ku gjithmonë duhet të dalësh dhe të fitosh. Shumicën e kohës nuk ndodh ose është shumë e vështirë, por që nga fillimi mentaliteti është të fitosh gjithçka, dhe dita pas dite të pengon të shijosh gjërat. Ajo që po vjen bëhet më e rëndësishme se ajo që ka ndodhur tashmë, dhe me kalimin e kohës fillon t’i vlerësosh gjërat shumë më tepër.”

Cila ka qenë ëndërra juaj e fëminisë? “Gjithmonë them se ëndrra ime e fëmijërisë ishte të luaja për ekipin e parë të Neëell. Shkoja në stadium, luaja atje dhe ëndërroja të bëhesha profesionist në Primera. Pastaj jeta ime ndryshoi plotësisht sepse u largova në moshën 13 vjeç, debutova për Barcelonën dhe gjithçka që ndodhi më pas. Është diçka që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, as në ëndrrat e mia më të mira. Kam jetuar gjëra shumë më të mëdha se çdo gjë që mund të kisha ëndërruar.”

Si janë shanset e Argjentinës për Kupën e Botës? “E vërteta është se ne kemi lojtarë të jashtëzakonshëm dhe kjo është treguar prej vitesh, veçanërisht dëshira dhe entuziazmi që kur Skaloni mori drejtimin e kombëtares. Mentaliteti që kanë të gjithë eshte se kemi një skuadër plot me fitues, me mendësi të forta, që duan të fitojnë më shumë, dhe kjo është ngjitëse. E sheh në stërvitje, në ndeshje. I sheh të stërviten dhe të japin gjithçka. Jemi një grup i mrekullueshëm që shkon shumë mirë, por në ndeshjet stërvitore ose në disa stërvitje, nëse duhet të punojnë fort, ata punojnë fort. Të gjithë japin gjithçka nga vetja dhe kjo është një forcë e madhe e këtij grupi dhe e kësaj skuadre kombëtare. Lojtarë të rinj vazhdojnë të shfaqen, përveç atyre që janë tashmë atje, vazhdojnë të vijnë fytyra të reja. Kur një grup është i tillë, është më e lehtë për të sapoardhurit të përshtaten.”

Eshtë Lionel Skaloni gjeniu i kesaj skuadre? “Mendoj se që nga dita e parë ai krijoi një ide dhe gjëja më e mirë që bëri, përtej mënyrës se si e përjeton lojën ose si i përgatit ndeshjet është afërsia e tij me grupin. Mënyra se si i trajton lojtarët, mënyra se si lidhet me secilin prej tyre, sepse i njeh si njerëz dhe di si të flasë me secilin prej tyre, sepse e ndërtoi vetë këtë ekip, duke sjellë lojtarë të rinj, madje edhe lojtarë që nuk ishin shumë të njohur në futbollin argjentinas. Është motivim shtesë. Skaloni është ai që i arriti të gjitha këto. Ai ishte një personazh si lojtar. Tani është bërë shumë më serioz dhe ka ndryshuar. Por si shok skuadre ishte krejtësisht ndryshe. Ai gjithmonë bënte shaka dhe nuk ndalej kurrë. Për ne më të vegjlit, ai ishte gjithmonë afër. Ne flasim shumë dhe ai është i tillë me të gjithë. Kjo është cilësia e tij më e mirë: të jetë vetvetja, të jetë i drejtpërdrejtë, t’i thotë atë që ka për të thënë secilit. Përtej kësaj, ai është një trajner i shkëlqyer në përgatitjen e ndeshjeve, duke studiuar dobësitë e kundërshtarëve, duke ditur se ku mund të na dëmtojnë. Ai është spektakolar.

Përse kthehesh shpesh në Rosario? “Epo, gjithmonë them se përpiqem të jem vetvetja dhe të jetoj ditë pas dite ashtu siç jam. Pa u shtirur ose vepruar në varësi të atij që po më shikon ose çfarë mund të thonë njerëzit. Unë kam personalitetin tim, jam kështu dhe e jetoj në këtë mënyrë. Jam shumë privat me rrethin tim, familjen, miqtë e mi dhe për mua gjëja më e mirë është kur vjen dhjetori dhe mund të shkoj në Rosario për festat, me njerëzit e mi. Gjithë jetën dhe karrierën time kam qenë njësoj. Dhjetori është për të shkuar në Argjentinë dhe për të kaluar pushimet atje. Kisha debate me Pep Guardiolën sepse ndonjëherë datat nuk funksiononin ose unë nuk doja. Por ai gjithmonë më kuptonte, më lejonte dhe më jepte leje. Për mua kjo ishte një shtysë. U ktheva me shumë më tepër motivim sepse kisha atë që doja: kthimin në Rosario, të isha me miqtë dhe familjen. Çdo ditë, jetoj në të njëjtën mënyrë. I çoj fëmijët në shkollë, shkoj me tren, kthehemi pasdite me djemtë dhe jetoj një jetë shumë normale, shumë të orientuar drejt familjes.”

Pep Guardiola eshte unik, apo jo? “U takuam një herë me të, por nuk e njihja, nuk kishim asnjë marrëdhënie derisa ai u bë trajneri ynë te Barcelona. Pep është unik. Ka trajnerë jashtëzakonisht të mirë, por ai ka diçka të veçantë – ai është më i miri nga të gjithë për mua. Pak a shumë si ajo që thamë për Skalonin: mënyra se si i sheh gjërat, përgatit ndeshjet, komunikon, për mua ai është më i miri. Ishim me fat që të gjithë ishim një grup që luante në Barcelonë, ai dhe të gjithë ne. Ai kishte pjesët që i nevojiteshin për atë që donte. Pastaj shkoi diku tjetër dhe vazhdoi të fitonte. Nuk është vetëm fitorja është mënyra se si luajnë ekipet e tij. Ai e bëri këtë te Bajern, po e bën edhe te Siti. Edhe pse nuk e fitoi Ligën e Kampionëve me Bajernin, ai ndryshoi mënyrën se si luhej futbolli në Gjermani, ku ishin mësuar me një stil tjetër. Në Angli bëri të njëjtën gjë. Ai jo vetëm që ndryshon një ekip, por ndryshon mënyrën se si luan e gjithë liga. Që nga fillimi patëm një marrëdhënie të shkëlqyer. Pep ishte shumë i afërt, biseduam shumë dhe mësova shumë prej tij. I shtova më shumë gjëra lojës sime përveç atyre që dija tashmë. Mësova shumë me të, si të lëviz, si të lexoj hapësirat. Ai ishte madje personi që më vendosi si një lojtar nëntësh të rremë. Në ekipet e të rinjve të Barcelonës luaja pas sulmuesit. Ky ishte vërtet pozicioni im. Edhe kur debutova me Frank Rajkard dhe më vonë me Pep, ata më vendosën si sulmues krahu, por unë kurrë nuk kisha luajtur vërtet atje. Por vazhdova të shtoja gjëra në lojën time dhe vazhdova të rritesha edhe në aspektin futbollistik.”

Cili ka qënë viti më i mirë në karrierë? “Nuk e di, është e vështirë, varet se si e shikon. Nuk më pëlqejnë statistikats sot gjithçka ka të bëjë me to. Më pëlqen të jem shumë i përfshirë në lojë. Kishte vite kur fitonim gjithçka. Arritëm në finalen e Copa América me ekipin kombëtar, fituam Ligën e Kampionëve me Barcelonën. Është e vështirë. Në vitin 2012, shënova rreth 91 gola. Nuk luaj për këtë, nuk më ka interesuar kurrë. Nuk më kishte shkuar ndërmend të bëja një asist vetëm për të thyer një rekord ose për të tejkaluar dikë tjetër. Është e vështirë të zgjedh një vit. Për fat të mirë kam pasur shumë vite shumë të mira.”

Sa e rëndësishme është familja? Messi (pasi iu tregua një video e familjes së tij, nga një intervistë kur ishte me ekipin nën-20 vjeç të Argjentinës): “Për mua, familja është gjithçka, gjëja më e rëndësishme. Ata ishin gjithmonë pranë meje. Pati momente të vështira. Vuajtëm shumë me ekipin kombëtar. Ata vuajnë më shumë se ne. Në Barcelonë fituam gjithçka, dhe pastaj kthehesha në ekipin kombëtar, gjërat nuk shkonin mirë dhe njerëzit më fyenin, thonin se nuk e ndieja fanellën, se nuk duhej të luaja më. Familja ime qëndroi në Argjentinë dhe shikonte të gjitha emisionet sportive. E dini, të gjithë jemi pak mazokistë. Prindërit dhe vëllezërit e motrat e mia e kaluan shumë të vështirë. Isha me fat që gjithmonë e kam pasur familjen time. Jemi shumë të afërt. E njëjta gjë vlen edhe për familjen e [gruas] Antonelës. Më pëlqen t’i kem të gjithë afër, sepse në fund të fundit, kjo është ajo që ka më shumë rëndësi.”

Sa e vështirë është Kupa e Botës? “Po, mendoj se kemi një grup të shkëlqyer dhe do të përpiqemi përsëri. Pas kësaj, detajet e vogla mund të të lënë jashtë. Çdo ekip kombëtar mund t’i ndërlikojë gjërat, godet shtyllën dhe eliminohesh, ose humbet me penallti. Edhe pse fituam me penallti, ishim superiorë në ndeshjen kundër Holandës dhe kundër Francës, dhe prapë përfunduam duke shkuar te penalltitë. Kishim “bishën”, portierin Emiliano Martinez ‘Dibu’, i cili na ndihmoi të fitonim, por edhe mund të shkosh te penalltitë dhe të humbasësh. Është shumë e vështirë të fitosh një Kupë Bote. Është diçka që përjetohet ndryshe: si spektator, si lojtar dhe si tifoz. Tani, duke parë grupin, jam i sigurt se do të luftojnë. Fitorja na hoqi një barrë të madhe nga supet. Të luash pa atë presion është një lehtësim, por në të njëjtën kohë nuk garanton asgjë, sepse të gjithë duan ta mposhtin kampionin e botës. Ka ekipe kombëtare shumë të mira. Spanja, Franca përsëri, Anglia, Brazili, të cilat nuk kanë qenë kampione për një kohë dhe duan të fitojnë përsëri, si dhe Gjermania.”

A do të jetë Mesi në Kupën e Botës? “Shpresoj të jem atje. E kam thënë edhe më parë se do të doja shumë të isha atje. Në rastin më të keq, do të jem atje duke e parë drejtpërdrejt, por do të jetë e veçantë. Kupa e Botës është e veçantë për të gjithë, për çdo vend, veçanërisht për ne, sepse e jetojmë në një mënyrë krejtësisht të ndryshme.”

DRITAN LUNDRA-PANORAMASPORT.AL