Apolonia pa shpresa, Xhabrahimi: Burreli e mbyll me fitore
Burreli i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen përmbyllëse të kampionatit, ku të dielën në transfertë do të përballet me Apoloninë.

Ka shumë gjasa që, me ndryshime të vogla, skuadra të zbresë në fushë me formacionin fitues të një jave më parë. Fitorja ndaj lushnjarëve ka sjellë jo vetëm qetësi, por edhe optimizmin e duhur për ndeshjen e radhës.
“Fitorja ndaj Lushnjës, përveçse na konsolidoi më mirë në renditje, na dha edhe qetësinë e duhur. Pas disa rezultateve jo bindëse, suksesi i një jave më parë tregoi se skuadra ka forcë për t’u rikthyer te rezultatet pozitive”, u shpreh për “Panorama Sport” golashënuesi më i mirë i matjanëve, Albi Xhabrahimi, njëherësh autor i dy golave në fitoren ndaj Apolonisë në janar të këtij viti.
E parë në aspektin statistikor, përballja mes dy skuadrave ka një veçanti interesante. Në dhjetë ndeshjet e fundit mes tyre, të dyja skuadrat kanë nga katër fitore secila, ndërsa dy takime kanë përfunduar në barazim. Edhe golaverazhi është i barabartë, me nga 11 gola të shënuar për secilën skuadër. Në vijim të prononcimit, sulmuesi matjan thekson se në ekip mbizotëron një atmosferë shumë e mirë, çka e bën optimist për një tjetër rezultat pozitiv.
Xhabrahimi jep lajmin e keq për fierakët, pasi Burreli është i vendosur për fitore, që përkthehet zbritje në kategorinë e Dytë për Apoloninë. “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe kjo më bën optimist se ndeshja ndaj Apolonisë do të mbyllet me sukses dhe të jemi pjesë e gjashtëshes së parë”. Si golashënuesi më i mirë i ekipit, 29- vjeçari shpreh edhe dëshirën për të gjetur rrugën e rrjetës në këtë sfidë vendimtare.
“Si çdo futbollist, edhe unë dëshiroj të shënoj dhe të ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivit, renditjen në gjashtëshen e parë. Apolonia është një kundërshtar me emër dhe i respektueshëm në futbollin shqiptar. Të vjen keq që skuadra të tilla me traditë ndodhen në këto pozita”, përfundoi Xhabrahimi, sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë i matjanëve.
NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL













