Afrimet e janarit në hije tek Egnatia, por bardheblutë janë testi për “Final 4”
Egnatia ishte ndër skuadrat më aktive të merkatos së dimrit, duke afruar lojtarë me eksperiencë dhe që e përforcuan ndjeshëm ekipin. Jo më kot nisja e këtij viti ka qenë mbresëlënëse në javët e para, ku njihnin vetëm fitore dhe ia dolën të merrnin vendin e parë dhe ta mbajmë ende me tri pikë diferencë nga rivalët si Vllaznia dhe Dinamo.

Më konkretisht, kampionët bënë afrime në të katërta repartet. Në portë erdhi Mario Dajsinani, në mbrojtje Eljon Sota, në mesin e fushës Fernando Medeiros dhe në sulm Leo Melo me Saliou Guindo. Të pestë këta futbollistë janë përdorur nga Edlir Tetova si në ndeshjet e kampionatit edhe në kupë, duke i integruar menjëherë në skuadër.
Bashkë me grupin aktual, rrogozhinasit formuan një grup të frikshëm, duke sfiduar rivalët në këtë aspekt dhe jo më kot konsiderohen në letër si skuadra më e mirë e kampionatit.
NGËRÇI ME AFRIMET – Edhe pse afrimet e janarit përforcuan ekipin, sepse janë futbollistë me cilësi dhe eksperiencë, jo të gjithë kanë dhënë atë që pritej deri më tani. Ose të paktën, nuk janë treguar aq rezultativë sa mund të pritej apo mendohej. I vetmi që është integruar plotësisht me ekipin është portieri Mario Dajsinani, që mbi të gjitha po luan rregullisht edhe si titullar. Të tjerët, duket se ende nuk kanë shkuar aty ku pritet, edhe pse janë bërë dy muaj nga afrimi i tyre.
Fernando e nisi mirë dhe i ka pasur deri diku minutat në dispozicion, por ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Ai që nuk ka shkuar ende aty ku duhet është sulmuesi Saliou Guindo, i privuar edhe nga dëmtimet nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës. Leo Melo është përdorur gjithnjë si alternativë nga Tetova dhe ka arritur të shënojë vetëm një gol, pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Elbasanit. Eljon Sota është aktivizuar më pak nga të gjithë, në pesë ndeshje, edhe pse ka shënuar një gol.
Praktikisht, afrimet e reja nuk kanë bërë diferencën në ekip, ku fitoret dhe rezultat pozitive kanë ardhur më së shumti nga grupi ekzistues. Megjithatë, Tetova shpreson që në këtë fund kampionati, duke pasur parasysh edhe mungesat për arsye dëmtimesh, të afruarit e merkatos së dimrit të tregojnë gjithë potencialin e tyre. Ndoshta që këtë javë ndaj Tiranës në “Arena Egnatia”, ku synohet rikthimi te fitorja pas barazimit me Laçin.
V. MEMA – PANORAMASPORT.AL













