Administratori Lleshaj jep sinjalet për Burrelin e ri: Po punojmë për një presidencë të re, si dhe ruajmë grupin
Ashtu si në shumë skuadra të tjera, edhe te Burreli kanë nisur pushimet pas mbylljes së sezonit. Megjithatë, drejtuesit e klubit po punojnë për të ndërtuar strategjinë e sezonit të ri, ku prioritet mbetet ruajtja e grupit aktual.

Administratori Marjan Lleshaj deklaroi për “Panorama Sport” se në këtë moment klubi është i fokusuar te gjetja e një presidenti të ri, i cili do të marrë drejtimin e projektit për sezonin e ri. “Sezoni sapo ka përfunduar dhe aktualisht po punojmë për të gjetur një presidencë të re. Më pas do të projektojmë skuadrën dhe objektivat për sezonin e ri futbollistik”, u shpreh Lleshaj. Sa i përket merkatos, administratori matjan thekson se nuk priten ndryshime të mëdha në grup, pasi pjesa më e ekipit është nën kontratë. Sipas tij, objektivi kryesor i klubit është ruajtja e boshtit të skuadrës që mbylli sezonin. “Pothuajse i gjithë grupi është në kontratë. Mund të ketë ndonjë largim për arsye familjare, por synimi ynë kryesor është të ruajmë grupin aktual.
Sigurisht që, krahas largimeve të mundshme, do të ketë edhe afrime për të përforcuar ekipin”, deklaroi numri një i klubit matjan. Lleshaj theksoi gjithashtu se një tjetër objektiv i rëndësishëm mbetet promovimi i talenteve të akademisë dhe kalimi i tyre drejt skuadrave të elitës. “Ne duam të vazhdojmë të promovojmë lojtarët që dalin nga ekipet zinxhir dhe t’u japim mundësinë të bëjnë hapin drejt skuadrave të Superiores”, shtoi ai. Në fund të prononcimit të tij, administratori matjan zbuloi se drejtuesit kanë nisur kontaktet e para me futbollistë të ndryshëm, të cilët mund të bëhen pjesë e skuadrës në sezonin e ri futbollistik.
Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL













