Administratori i matjanëve, elozhe Ilirisë. Lleshaj: Apolonia meriton vlerësim, Burrelin e pret një duel i luftuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 9:58

Administratori i matjanëve, elozhe Ilirisë. Lleshaj: Apolonia meriton vlerësim, Burrelin e pret një duel i luftuar

Të dielën, për javën e fundit të kampionatit, skuadra matjane do të udhëtojë drejt Fierit, ku do të përballet me Apoloninë, ekipin që renditet në vendin e parafundit. Kjo sfidë pritet me shumë interes nga të dyja tifozeritë, pasi rezultati i saj do të përcaktojë verdiktin final për të dy skuadrat. Matjanët luftojnë për një vend në gjashtëshen e parë, ndërsa Apolonia e konsideron këtë ndeshje si një finale për mbijetesën në Kategorinë e Parë, duke shpresuar edhe në një hap fals të rivalëve.

lleshaj-burreli

Pikërisht për këtë arsye, përballja pritet të jetë e fortë dhe shumë e luftuar. Fitorja ndaj Lushnjës ka sjellë qetësi në kampin matjan, duke rritur moralin e skuadrës para kësaj transferte të rëndësishme. Megjithatë, vlerësimi për kundërshtarin mbetet maksimal. “Fitorja ndaj Lushnjës ishte shumë e rëndësishme, pasi ecuria e skuadrës sonë në fazën e tretë nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Ishte një fitore që erdhi në momentin e duhur, aq më tepër tani që kampionati po shkon drejt fundit”, u shpreh për “Panorama Sport” administratori i klubit matjan, Marjan Lleshaj, ish-futbollist i skuadrës. Pavarësisht pozicionit të favorshëm në renditje, drejtuesit matjanë e konsiderojnë sfidën ndaj Apolonisë si një ndeshje që duhet marrë me seriozitet maksimal. “Ndeshja ndaj fierakëve do të vlerësohet maksimalisht nga ana jonë.

Duke parë objektivat që kanë të dy skuadrat, pres një ndeshje shumë të luftuar. Edhe pse nuk jemi nën presionin e pikëve, kam besim se djemtë do të dinë të shfaqin një futboll të bukur, të shoqëruar edhe me rezultat pozitiv”, vijoi Lleshaj. Në fund të prononcimit të tij, administratori bëri edhe një analizë të përgjithshme të kampionatit, duke veçuar Ilirinë si surprizën më të bukur të sezonit. “Ky kampionat ka qenë shumë i luftuar deri në javët e fundit. Gara për dy vendet e para, por edhe lufta për mbijetesë, i kanë dhënë kampionatit rivalitet të fortë sportiv. Për mua, Iliria e Fushë-Krujës ka qenë surpriza e kampionatit, pasi si debutuese ka bërë një paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë sezonit”, përfundoi ai. Aktualisht, skuadra matjane renditet në vendin e shtatë me 36 pikë, po aq sa Kastrioti, që mban vendin e gjashtë falë golavarazhit më të mirë. Kjo e bën edhe më vendimtare sfidën e fundit, ku matjanët do të kërkojnë me çdo kusht një rezultat pozitiv për të mbyllur sezonin mes më të mirëve.

Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL