ABISSNET SUPERIORE, FINAL 4 / Vllaznia “vuan” nga formula, Dinamo mund të jetë thjesht spektatore në mini-turne. Shihni situatën aktuale dhe kalendarin e ndeshjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2026 | 22:04

ABISSNET SUPERIORE, FINAL 4 / Vllaznia “vuan” nga formula, Dinamo mund të jetë thjesht spektatore në mini-turne. Shihni situatën aktuale dhe kalendarin e ndeshjeve

Java e 31-të e Abissnet Superiore afron edhe më shumë pjesëmarrjen në Final Four, ku tashmë dihet zyrtarisht se Vllaznia ka siguruar një biletë pas ndeshjeve të fundit. Kjo javë prodhoi rokadën e vazhdueshme Elbasani-Egnatia, me ekipet që ndryshuan pozicionet në garën për “mini kampionatin” që përcakton titullin kampion dhe Europën.

superiore

“Pas përfundimit të katër fazave të rregullta të kampionatit, 4 (katër) ekipet e para në renditje do të marrin pjesë në fazën “Final 4”, duke e nisur këtë fazë me pikët e fituara gjatë kampionatit të rregullt të përllogaritura në mënyrë të përgjysmuar duke marrë parasysh vlerën më të ulët”, shkruhet në rregulloren e aktivitetit.

Me këtë rregull, në skuadrat e katërshes, ajo që “humb” një pikë është Vllaznia. 59 pikët e shkodranëve transformohen në 29 pikë, duke i dhënë një avantazh minimal të përkohshëm përballë Elbasanit ndjekës në situatën aktuale. Tre skuadrat e tjera janë në numër çift në renditjen aktuale të kampionatit, ndaj nuk do të humbnin pikë sipas rregullores.

Distanca e vendit të katërt me tre skuadrat që ka më para, me situatën aktuale, rrezikon që të kthejë Dinamon në spektatore në “Final 4” pa mundësinë reale për t’i arritur dhe asnjë interes për t’u sforcuar në ndeshjet shtesë të kampionatit.

RENDITJA E FINAL FOUR ME SITUATËN AKTUALE

Vllaznia 29 pikë, Elbasani 28 pikë, Egnatia 27 pikë, Dinamo 22 pikë.

KALENDARI ME SITUATËN AKTUALE

Java 1
Vllaznia-Dinamo (E shtunë, 16 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Elbasani-Egnatia (E diel, 17 maj ora 19:00 në “Air Albania”)

Java 2
Vllaznia-Egnatia (E shtunë, 23 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Elbasani-Dinamo (E diel, 24 maj ora 19:00 në “Air Albania”)

Java 3
Vllaznia-Elbasani (E premte, 29 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Egnatia-Dinamo (E diel, 31 maj ora 19:00 në “Air Albania”)

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL