Abilaliaj merr “timonin”, si e ndryshon Partizanin. “Arkitekti” i merkatos së kuqe bën gati 11-shen kundër Laçit
Nga e premtja Partizani është zyrtarisht pa një trajner të parë.
Aleksandar Veselinoviç pësoi një humbje me përmbysje kundër Bylisit dhe menjëherë pas ndeshjes drejtuesit e kuq morën vendim për shkarkimin e serbit dhe stafit të tij. Një ditë më pas, të shtunën, skuadra ka zbarkuar menjëherë në fushë për të nisur përgatitjet për çerekfinalen e kthimit kundër Laçit në Kupën e Shqipërisë.
Kjo ndeshje do të luhet nesër në orën 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”. Sfida e parë mes dy ekipeve është mbyllur në barazim 0-0.
DREJTORI NË KRYE – Nisur nga koha tejet e limituar në dispozicion, drejtimin e skuadrës e ka marrë edhe njëherë drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj. Ky i fundit ka drejtuar seancat e së shtunës dhe të dielës nën asistencën edhe të Renaldo Kalarit. Ish-mbrojtësi posedon të gjitha licencat e nevojshme dhe përveçse ishte ndihmës i Veselinoviç, drejton edhe Partizanin B. Kjo dyshe do të udhëheqin ekipin në ndeshjen e radhës. Klubi mbetet i hapur për të emëruar një trajner në vijim, por aspak premtuese është koha e shkurtër që ka mbetur dhe fakti se çdo trajner i afirmuar dhe me bagazhin e duhur për të drejtuar Partizanin, nuk do të pranonte ta merrte ekipin në dorëzim vetëm dy muaj para fundit të sezonit.
PËRGJEGJËSIA – Arkitekti i Partizanit në dy sezonet e fundit është pikërisht Abilaliaj dhe duket se pikërisht ai paskësh qenë i destinuar të udhëheqë ekipin për ta nxjerrë nga kjo krizë dhe për ta kthyer në rrugën drejt trofeve. Veselinoviç ka lënë një skuadër “të hallakatur” sa i përket lojës, mentalitetit dhe taktikave, çka do të thotë se dyshja Abilaliaj-Kalari kanë mjaft probleme për të zgjidhur. Nga ana tjetër, mbetet të shihet sesa do t’i përgjigjen lojtarët e afruar nga vetë ai gjatë kësaj kohe që do të ketë drejtimin e ekipit.
NDRYSHIMET – Abilaliajt padyshim i është dashur të punojë me skuadrën në aspektin psikologjik, por ka nisur ta bëjë këtë edhe taktikisht, pasi qëllimi është kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës dhe eliminimi do të ishte një disfatë shumë e rëndë dhe tjetër goditje e madhe. Formacioni ende nuk është vulosur në formë përfundimtare, por ajo që kemi arritur të mësojmë është se priten ndryshime në skemë dhe në emra. Pritet që Abilaliaj ta rreshtojë ekipin me skemën 3- 4-3, duke luajtur me tre “stopera”. Pritet që Domgjoni, Sembene dhe Preka ta nisin nga minuta e parë në mbrojtje para Qirkos. Në mesfushë pritet që Taipi të vendoset nga e djathta, ndërsa në qendër të luajnë Mehmeti dhe Shanaj. Atanaskoski duket se e ka “blinduar” vendin në anën e majtë. Në sulm priten Podstrelov dhe Bintsuka, teksa edhe Gudjufi është favorit për një vend në 11-she.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













