“Raketa Roshi”, shqiptari është personazhi i ditës në Këln

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2012 | 18:49

“Raketa Roshi”, shqiptari është personazhi i ditës në Këln

Goal.com, në versionin e vet gjermanisht, i ka kushtuar një shkrim lojtarit të kombëtares sonë kuqezi, Odise Roshi, duke lënë të kuptohet se deri më tani i është ngrënë haku, pasi meriton më shumë hapësira aktivizimi te Këlni. Në të bëhet një portret i futbollistit shqiptar, ku ndër të tjera shkruhet: Eshtë “Raketa Roshi”. 20-vjeçari shqiptar, pjesë e ekipit kombëtar të vendit të tij, quhet Odise Roshi, është personazhi i ditës në Këln. Nuk është çudi, sepse e kanë provuar të gjitha testet e bëra te Këlni, se nuk ka lojtar më të shpejtë se sulmuesi i ri shqiptar, as Lukas Podolski. Ne po ju bëjmë një portret të vogël të galashënuesit të fitores së Këlnit kundër Kaiserslauternit. Odise Roshi ka nënshkruar më 22 maj të vitit të kaluar kontratën e punësimit me FC Këln. Sulmuesi i ri shqiptar iu propozua drejtuesve të klubit gjerman, që luan në Bundesligë, nga disa ekspertë. Roshi kishte tashmë mbi supe eksperiencën e fituar si lojtar i kombëtares  U-17 dhe U-19 të vendit të tij, ndërsa ishte tërhequr nga skuadra e qytetit të lindjes (Apolonia) prej Flamurtarit të Vlorës. Ky klub është i njohur në Shqipëri, por vështirë që tifozët e Këlnit të kenë dëgjuar gjatë asaj kohe se ekzistonte një Odise Roshi, para se ai të transferohej te skuara e tyre. I lindur në Fier, qytet në mesin e Shqipërisë, me të paktën 85.000 banorë, ai i mësoi aty hapat e parë në futboll. Edhe Vlora, e vendosur në bregdetin Adriatik, pati një ndikim të rëndësishëm në formimin e Odise Roshit, pavarësisht se qëndroi pak me skuadrën e këtij qyteti. Derisa Volker Finkes, menaxherit të skuadrës së Këlnit, iu mbush mendja për të firmosur një kontratë katërvjeçare me sulmuesin shqiptar, që zgjat deri në vitin 2015. Si lojtar i ri, Roshi ka një perspektivë të mirë në radhët e Këlnit. Më 7 tetor 2011, Odise Roshi ka debutuar edhe në ekipin kombëtar shqiptar, pikërisht në humbjen 3-0 kundër Francës, në “Stade de France”, aty ku u dëshmua si njëri nga lojtarët më të mirë shqiptarë në fushë. Ajo që bie më shumë në sy te Roshi, që e ka spikatur qysh në seancat e para strvitore te Këlni, janë aftësitë e tij prej sprinteri. Nisur nga shpejtësia e tij, tabloidët lokalë do të bindeshin për ta pagëzuar shqiptarin me pseudonimin “Raketa Roshi.” Edhe pse ai fitoi disa minuta përvojë nga aktivizimi në dy ndeshjet e para të sezonit, kundër Volfsburgut dhe Schalke 04, Roshit iu desh të priste aktivizimin deri në javën e 9-të të Bundesligës, kur luajti tre minuta lojë kundër Hanoverit. Vetëm kundër Borusias së Dortmundit ai mundi të luante gjysmë loje, por kjo mjafton për të treguar sukses të kufizuar. Kundër Borusias së Mynshengladbahut, trajneri i tij mund të jetë treguar mosmirënjohës, sepse kur rezultati ishte 3-0, vendosi ta aktivizojë Odise Roshin 40 minuta. Drejtues e tifozë në “Rhein Energie Stadion”, edhe pse janë të bindur për shpejtësinë e tij, vënë në dukje se Roshi nuk e ka ende përqendrimin e nevojshëm për të përballuar një ndeshje të plotë në Bundesligë. U tha se për ndeshjen kundër Kaiserslauternit, sulmuesi shqiptar mund të ishte alternativë për ekipin e parë. Por nuk ndodhi ashtu. Për vetëm dy minuta në fushën e lojës, Roshi shpërtheu më në fund, duke treguar se mund të kihet më shumë në konsideratë nga trajneri i Këlnit. Me shënimin e golit të fitores 1-0 kundër Kaiserslauternit, realizuar pas një goditjeje me kokë, Roshi rezultoi shumë i rëndësishëm për Këlnin. Po cfarë tha vetë Roshi pas këtij goli? “Unë kam qenë në Shqipëri gjithmonë shumë i lumtur kur luaja dhe shënoja gola. Edhe të dielën, natyrisht isha njeriu më i lumtur te Këlni, sepse shënova golin e parë timin në Bundesligë, që ishte edhe goli i fitores për skuadrën. Sapo hapa telefonin celular, pas ndeshjes, pashë dhjetëra mesazhe në të. Shumë miq dhe të afërëm nga Shqipëria më kishin uruar për golin e parë në Bundesligë,” – ka pohuar sulmuesi 20-vjecar. Edhe trajneri i tij, Solbakken, e ka vlerësuar shumë punën e futbollistit shqiptar. “Ai ka bërë dicka të madhe për dy minuta. Pas kësaj, ndoshta ka festuar e gjithë Shqipëria për golin e tij të parë në Bundesligë,” – ka thënë duke qeshur trajneri i Këlnit për “Express”. Tashmë, ajo që mund të konkludohet është se: Roshi e ka vënë në siklet Solbakken, sepse deri tani e ka parë si një zëvendësues shqiptarin. Asnjë lojtar tjetër te Këlni nuk është parë më shpesh në stol se “Raketa Roshi”. Në këtë pikë, vlen mendimi juaj: Odise Roshi, pas golit kundër Kaiserslauternit, a mund të jetë tashmë një alternativë për formacionin titullar të Këlnit, duke nisur nga ndeshja e radhës kundër Hamburger?”