Ze Maria fsheh formacionin, bardheblutë nuk marrin fitore në transfertë që prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2018 | 12:56

Ze Maria fsheh formacionin, bardheblutë nuk marrin fitore në transfertë që prej…

Dikur për Tiranën e madhe ishte “tabu” që ndonjë nga ekipet të fitonte me të, dy ndeshje në sezon. Për të mos thënë se humbjet gjatë një sezoni ishin me pikatore. Tirana e 2016-ës e në vazhdim ka plot “tabu” negative. Dhe një nga ato tabutë e pathyera është fitorja jashtë fushe.

tirana

Plot 2 vite e gjysmë ka Tirana pa fituar një ndeshje jashtë kryeqytetit, si udhëtuese në Kategorinë Superiore. Fitoi sa u shqep sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë, por në Superiore, fitorja e fundit në një fushë jashtë Tiranës është ajo me Laçin më 7 shkurt 2016, 1-3 në transfertë. Më pas, errësirë. Janë 27 ndeshje që Tirana nuk fiton në transfertë, duke vendosur një rekord negativ, sepse asnjëherë bardheblutë nuk kanë pasur një gropë të tillë rezultatesh të këqija. Sigurisht, takimi me Kastriotin është shansi më i mirë për të thyer tersin e rezultateve jashtë fushe. Situata – Tirana ka vazhduar e qetë përgatitjet për sfidën me Kastriotin. Skuadra nuk ka zhvilluar më shumë se një stërvitje e gjysmë për takimin e së mërkurës, pasi trazirat kanë prekur situatën në ekip.

tirana

Trajneri Ze Maria në ndryshim nga çfarë ka bërë zakonisht nuk ka përgatitur formacionin, por e ka lënë surprizë si për lojtarët dhe tifozët. Shkurt Ze Maria ka fshehur gjithçka, ndonëse zgjedhjet do t’i ketë pak a shumë të kushtëzuara. Në portë do të luajë i zakonshmi Lika me  mbrojtjen që nga e djathta mund të ketë Kërçikun në vend të Dokës. Turtulli do të luajë me Berishën në qendër të mbrojtjes dhe nga e majta, Hoxhallari është titullari i ekipit, por Imami është gati për të luajtur në vend të tij. Mesfusha do të jetë e përbërë nga treshja Daja, Hasani e Maveje, me Karabecin që mund të kthehet titullar, sepse në të kundërt gjithë situata e krijuar do të ishte shumë e kotë.

tir

Nga krahët do të luajë Greca ose Sentamu, majtas dhe djathtas i zakonshmi Kobina. Sulmi tani është çështje e Dejan Blazhevskit, por me Ngonë që rritet dita-ditës. Mbledhja – “Kërkoj falje”. Kështu është mbyllur mbledhja e së hënës te Tirana me trajnerin bardheblu që është dorëzuar para ekipit, ndoshta edhe për shkak të presionit të disa fjalëve në fund të takimit me presidentin Halili dhe lojtarëve. Një lëvizje taktike kjo e Ze Marias, pas forcës së fjalëve, që kishin vënë pas murit. Me përjashtim të të huajve, pothuajse të gjithë kanë folur në mbledhje dy orë e 20 minuta. Të gjithë i kanë kërkuar llogari trajnerit përse nuk kanë luajtur, ndërsa Ze Maria që priste sulme personale, ka kthyer mbrapsht çdo akuzë, duke dhënë argumente përse luajnë disa dhe përse nuk luajnë ata që kërkojnë të jenë në fushë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"