Vucaj kthehet te Laçi, vjen dhe Arjan Sheta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2014 | 9:30

Vucaj kthehet te Laçi, vjen dhe Arjan Sheta

Erjon VucajËshtë ndër emrat më të lakuar të merkatos, teksa pas Partizanit, Flamurtarit dhe Tiranës, tashmë është radha e Kukësit të deklarojë që është pranë akordit me mesfushorin shkodran Erjon Vucaj. Por, ku i fundit duket se e ka të vështirë të ndahet nga Laçi, pasi dje ai i është bashkëngjitur ekipit të drejtuar nga Stavri Nica në seancën stërvitore të pasdites në Strugë duke e bërë intrigante të ardhmen e tij. Vetëm dy ditë më parë u përfol për një kalim të tijin te Shkëndija e Tetovës, por ishte vetë klubi tetovar që deklaroi dhe përgënjeshtroi më pas arritjen e një marrëveshjeje me mesfushorin shkodran që tashmë ndodhet në Maqedoni pranë skuadrës. Nga ana e Vucajt, nuk ka asnjë reagim në lidhje me ofertën e kuqezinjve të Tetovës, ndërsa dëshirën për të luajtur jashtë në një kampionat më të fortë se ai i yni, ai e ka bërë të qartë me kohë, por pa bërë publik emrat e ekipeve.
Afrimi – Qendërmbrojtësi tiranas, Arian Sheta, i është bashkuar dje Laçit në Strugë. Nga sa mësohet, lojtari ka arritur akordin me klubin kurbinas për të luajtur në Ligën e Europës, por nuk përjashtohet mundësia që Sheta të firmosi për një vit. Mbrojtësi e ka mbyllur sezonin te skuadra e Kastriotit. Testi – Laçi ka zhvilluar dje një test kontrolli me ekipin e Ligës së Tretë të Maqedonisë, Koroshishta. Kurbinasit kanë fituar 4-2, teksa kanë shënuar Veliaj, Nimani, Vucaj dhe Troplini.
Vladimir Prenga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"