Vlonjatët, kualifikim me “dorë në zemër”. Shehaj i ekzaltuar: E pata parandier golin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 11, 2014 | 16:03

Vlonjatët, kualifikim me “dorë në zemër”. Shehaj i ekzaltuar: E pata parandier golin

Sioni Bolnisi-Flamurtari 2-3, shenohet gol te porta e Ilion LikesFLAMURTARI-SIONI  1-2
GOLAT: Shehaj 85′ / Ugulava 56′, Kuqi 83′ (aut)
FLAMURTARI: I.Lika, Mici, Veliu, Lena, Arbëri, Muzaka (Liçaj 90′), Telushi, Kuqi, G.Lika (A.Meto 78′), Zeqiri (A.Shehaj 69′), Abilaliaj. Trajner: Ernest Gjoka
SIONI: Merlani, Kandelaki, Svanidze, Imedashvili, Popkhadze (Adamia 81′), Gogoberishvili, Ganugrava (Samkharadze 65′), Lobjanidze, Aptsiauri, Gureshidze (Ugulava 54′), Isiani. Trajner: Armaz Jeladze
KARTONË TË VERDHË: Lena 30′ G.Lika 46′ / Ganugrava 15′, Gogoberishvili 73′
VËZHGUES: Robert Seldlaçek (AUS);
DELEGAT: Luis Cuervas Del Real (Spanjë)
GJYQTARET: Klajton Pisani, Ingmar Spiteri, Dankan Sultana (Maltë)

Ardit Shehaj ka nderuar Flamurtarin, duke i dhuruar kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Europës. Gjithçka ka ardhur në kohën e duhur, kur gjeorgjianët e Sionit kishin dyfishuar shifrat (me autogolin e Kuqit) dhe praktikisht ishin ata të kualifikuar. Gjatë gjithë 90 minutave, ekipi i Gjokës ka përjetuar ankth, pasi pasiguria ka qenë e madhe, duke parë lojën sulmuese të kundërshtarit. Edhe pse Flamurtari humbi në ndeshjen e kthimit përballë Sionit në Vlorë me rezultatin 2-1, fitorja në Tbilis, ku vlonjatët realizuan tre gola, i nderoi ata në ndeshjen e djeshme që u luajt në stadiumin “Flamurtari”, ku ekipi kishte edhe presionin e tifozerisë. Mund të përshkruhet si një ndeshje dramatike ajo e djeshmja në Vlorë, për vetë rastet dhe episode delikate që loja prodhoi, ku pati dhe gola të anuluar. Gjithsesi, me kualifikimin e djeshëm Flamurtari në turin tjetër do të përballet me rumunët e Ploeshtit.
Pjesa e parë – Kuqezinjtë dukeshin paksa të rënduar psikologjikisht që në fillim të takimit. Sioni është më i saktë dhe më i vendosur në lojën e tij, duke qenë edhe më kërkues. Tetë minuta nga fillimi i ndeshjes Aptsiauri jep shenjën e parë të rrezikut në portën vlonjate, duke gjuajtur nga këndi në drejtim të portës së mbrojtur nga Lika, por ky i fundit pret në kohë. Flamurtari mundohet që të kundërpërgjigjet me disa raste të njëpasnjëshme, së pari me Gilman Likën që gabon në gjuajtje e më pas me Veliun që futet në zonë dhe gjuan lehtë, por topi përfundon jashtë kuadratit. Në të 27-ën është Aptsiauri, i cili pason saktë, teksa gjen të lirë në zonë, Lobjanidze. Kur u duk se miqtë kaluan në avantazh, ka pozicion jashtë loje sipas gjyqtarit. Në minutën e 34-t, Gilman Lika jep një top në zonë për Muzakën, ky i fundit gjuan fuqishëm drejt portës mike, por portieri pret në korne dhe largon rrezikun. Pavarësisht rasteve, skuadrat respektive do të shkonin në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë – Në minutën e 56-të do të kishim momentin e shthurjes së Flamurtarit, ku u nxor në pah edhe mosndërthurja ashtu siç duhet e anës fizike me atë psikologjike dhe moszbatimi siç duhet i detyrave. Është i sapofuturi në Ugulava, ai që vepron menjëherë në zonë, duke shfrytëzuar edhe një mungesë vëmendje të mbrojtjes vlonjate dhe nxjerr të tijtë në avantazh 0- 1. Flamurtari pas këtij rasti nis të bëhet edhe më kërkues. Në minutën e 62-të duket sikur Flamurtari baraspeshon rezultatin me anë të Abilaliajt, por ka sinjalizim për pozicion jashtë loje. Mirëpo, rasti më fatal ishte ai autogol i Taulant Kuqit. Në minutën e 83-të, Ugulava gjuan sërish drejt portës, por është Kuqi që bën autogol, duke devijuar topin në rrjetë dhe 0-2. Por pa kaluar as 2 minuta, Ardit Shehaj, edhe ky i futur në pjesën e dytë, shfrytëzon më së miri një rast, duke ngushtuar rezultatin. Në pesë minutat shtesë, Sioni përpiqet të bëjë diçka me anë të Adamia, por pa sukses. Flamurtari kualifikohet kështu mes drithërimash dhe emocionesh, në një ndeshje tejet të vështirë, por një sfidë akoma edhe më e vështirë e pret në turin e dytë.

Gjoka ne konference shtypi pas ndeshjesErnest Gjoka: Ia dolëm, por mund të ndëshkoheshim
Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, nuk është shfaqur shumë entuziast në konferencën për shtyp, ndonëse vlonjatët janë kualifikuar për në turin e dytë të Ligës së Europës. Gjoka ka theksuar se skuadrat shqiptare duhet të ndryshojnë mentalitet për të ecur sa më larg, ndryshe do të qëndrojnë në vendnumëro. Pa dyshim këtu bën pjesë edhe Flamurtari i tij, që pesë minuta nga fundi i takimit e shikonte veten të eliminuar. “Unë kisha thënë gjatë gjithë kohës që Sioni Blonisi është një ekip me përvojë dhe ato çka kisha thënë dolën të vërteta. Duhet ta kishim vlerësuar edhe më mirë Flamurtarin dhe duhet të fillojmë të ndryshojmë mentalitet. Nuk arritëm të jepnim atë që duhet treguar në fushë. Ne jemi një vend që prodhojmë futboll, por futbolli ynë është me probleme. Çdo ndeshje duhet vlerësuar, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë. Në momentin që ne nuk e bëjmë një gjë të tillë, atëherë do të na ndodhë kështu si dhe sot (dje). Momenti i Kuqit ishte shumë i vështirë, pasi ai autogol mund të na zhyste. Mirëpo, skuadra më në fund reagoi, duke treguar edhe njëherë që ka forca për të arritur objektivin. Duhej bërë më mirë, por unë i falënderoj të gjithë futbollistët. Në Ligën e Europës asnjë ekip nuk është i lehtë për klubet shqiptare, kështu që një ndeshje edhe më e vështirë na pret. E theksoj që ne në futbollin shqiptar duhet të ndryshojmë mentalitet. Nëse duam të shkojmë larg, ndryshe do të mbetemi në vendnumëro. Duhet vlerësim, sakrificë, shpirt gare. Në qoftë se nuk i realizojmë këto, çdo gjë bëhet më e vështirë”, – tha Gjoka. Më 17 korrik, të besuarit e trajnerit Gjoka do të jenë në Rumani përballë Petroluli Ploieshtit, ku do të luajnë takimin e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Europës.

Ardit-Shehaj-firmos-me-Kastriotin-bigShehaj: E pata parandier golin
Kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu, shprehet se ekipi qëndroi larg euforisë dhe se bëri mjaft mirë detyrën, edhe pse nëse do të fitonte, kualifikimi do të ishte edhe më i bukur. “I druhesha shumë euforisë së fitores së ndeshjes së parë, ndaj këtë e pata paralajmëruar edhe para takimit në deklaratat që kam dhënë. Për mendimin tim, Flamurtari qëndroi larg saj. Në ndeshje të tilla dihet se si shkon, futesh në lojë dhe ke presion prezent nga fillimi deri në fund. Ne jemi të kënaqur me kualifikimin. Më vjen keq që nuk fituam, sepse do të ishte një kualifikim edhe më i bukur, por futbolli kështu e ka, të jep emocione të dyfishta”, u shpreh kapiteni i kuqezinjve, Franc Veliu.
Ardit Shehaj – Pas ndeshjes, autori i golit për Flamurtarin, Ardit Shehaj shprehet i emocionuar, si dhe shfaq rezervat e tij në lidhje me mënyrën se si ekipi luajti. “Jam shumë i lumtur që shënova, pasi ishte një gol kualifikimi, por në fakt nuk e filluam siç duhet ndeshjen. U karikuam pas golave të pësuar, shënuam dhe u kualifikuam, por për t’u theksuar është fakti se, siç e thashë, nisja nuk ishte e mirë për ne. Golin dhe kualifikimin ia dedikoj familjes sime, pasi ata më kanë mbështetur. Është një nder i madh për mua që renditem përkrah golashënuesve më të mirë të Flamurtarit ndër vite në Ligën e Europës. Unë e pata parandier se do të isha përkrah Sokol Kushtës, Vasil Rucit dhe të tjerëve që bënë emër dhe histori në kompeticionet europiane”, tha Shehaj.

Taulant Kuqi: Keqardhje për autogolin!
Taulant Kuqi shpreh keqardhje për autogolin. Gjithsesi, mesfushori i vlonjatëve është i lumtur për faktin se Flamurtari ia doli që në fund të kualifikohej, duke qenë skuadra që më 17 korrik do të jetë përballë rumunëve të Petrolulit. “Më vjen shumë keq për autogolin që shkaktova, por këto në fakt janë gjëra që ndodhin dhe askush s’e dëshiron. Ekipi reagoi mirë në këtë ndeshje dhe, duke pasur parasysh se si shkoi takimi i parë, kualifikimin e vlerësoj të merituar. Ishte një ndeshje që e luajtëm në shtëpi, natyrshëm që është edhe presioni i tifozërisë. E rëndësishme është që kaloi çdo gjë me sukses, për këtë falënderoj edhe Shehajn, i cili me golin e tij zhvlerësoi autogolin tim të shkaktuar një minutë më parë”, tha Kuqi.

“Gabuam në mbrojtje, por mund t’ia dilnim”
Trajneri i Sionit, Armaz Jeladze, tha se kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe se ekipi i tij gaboi në mbrojtje. Sipas gjeorgjianit, Sioni i pati mundësitë që ta kalonte këtë sfidë, por gaboi në finalizim. Gjithsesi, ai i uron sukses Flamurtarit në fund. “I kishim marrë parasysh të gjitha. Flamurtari është një ekip shumë i mirë dhe me lojtarë cilësorë. Ne gabuam në mbrojtje. U përpoqëm që të sulmonim, por nuk arritëm dot që të dilnim fitimtarë. Vlonjatët janë një skuadër që luan mirë, ndërsa ne nuk ishim të saktë në rastet që patëm. Qe shumë e vështirë, ku pa dyshim ne bëmë gabimet tona, por edhe mund t’ia dilnim. Gjithsesi, Flamurtari është një ekip i fortë, të cilit i uroj suksese më tej”.

Petroluli dhe Mutu, sfiduesit e radhës të vlonjatëve
Flamurtari, në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës, do të jetë përballë rumunëve të Petroluli Ploieshtit. Takimi i parë do të luhet më 17 korrik në “Stadionul Ilie Oan?”. Ky i fundit ka një kapacitet prej 15500 vendesh, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet më 24 korrik në Vlorë. Rumunët drejtohen nga trajneri Razvan Luçesku, i cili e ka ndjekur nga afër Flamurtarin në ndeshjen e parë të luajtur në Tbilisi ndaj Sioni Blonisi. Petroluli ka në përbërje lojtarë nga disa vende të ndryshme dhe kualitativë. Pjesë e skuadrës rumune është edhe veterani i sulmit, Ardian Mutu. Pas një eksperience në disa skuadra me emër në Europë, 35-vjeçari është pjesë e Petrolulit, që më 17 korrik pret vlonjatët. Në krahasim nga kundërshtari gjeorgjian, kësaj radhe të besuarit e trajnerit Gjoka duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, duke qenë se duhet të sfidojnë Petrolulin e Adrian Mutusë. Sezonin e fundit Petroluli Ploieshti e përfundoi në vendin e tretë në kuotën e 68 pikëve, nëntë më pak se kampionët e Steaus së Bukureshtit. Kundërshtari i vlonjatëve është formuar si klub në vitin 1924, me emrin Juvetus i Bukureshtit, dhe më pas e ka ndryshuar disa emrin. Petroluli e ka fituar katër herë titullin kampion në Ligën 1 të Rumanisë, 1929-’30, 1957-’58, 1958-’59, 1965-’66. Ndërsa Kupën e Rumanisë e ka fituar tre herë, 1962-’63, 1994-’95, 2012-’13. Aktualisht lojtari më me emër i skuadrës së drejtuar nga ishtrajneri i kombëtares rumune, Razvan Luçesku, është Adrian Mutu, i cili mban edhe shiritin e kapitenit.
ERMAL SIKA





www.minuta90.com