Vllaznia kërkon rivalë për të dielën, rikthehet edhe futbollisti që pësoi aksident automobilistik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 14:07

Vllaznia kërkon rivalë për të dielën, rikthehet edhe futbollisti që pësoi aksident automobilistik

Vllaznia mbylli dje ditën e katërt stërvitore në Ulqin të Malit të Zi, teksa do të qëndrojë aty deri të mërkurën e ardhshme.

VLLAZNIA 2

Ashtu siç ka paralajmëruar “Panorama Sport” në ditët e fundit, klubi ka hasur vështirësi në gjetjen e kundërshtarëve për të zhvilluar ndeshje miqësore në periudhën që do të qëndrojë në Ulqin.

Kjo vjen prej faktit se kampionati malazez, në ndryshim nga vendet e tjera në Europë, nuk është ndërprerë pas fillimit të Botërorit.

Deri dje nuk ishte zyrtarizuar ende kundërshtari për miqësoren që Vllaznia ka planifikuar të zhvillojë të dielën në stadiumin e Ulqinit.

Klubi është në bisedime me një skuadër malazeze, emri i së cilës ende nuk bëhet i ditur, pasi nuk ka konfirmim zyrtar.

Mirëpo, nëse dështon edhe ky opsion për të luajtur me një klub vendës, atëherë plani B i Vllaznisë është përballja brenda familjes, pikërisht me ekipin U-21 që drejtohet nga Elvis Plori.

Liga e Parë malazeze i luan ndeshjet e radhës sot dhe nesër, ndërsa Liga e Dytë është në aktivitet e gjitha të dielën. Trajneri Josa ka kërkuar të paktën dy miqësore këtë periudhë, që do t’i shërbejnë në prag të finales së Superkupës ndaj Tiranës, që do të zhvillohet më 7 dhjetor në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”.

SULMUESI – Ante Aralica i është bashkuar më në fund skuadrës në Ulqin pas pesë ditëve mungesë në stërvitje.

Dje sulmuesi ka kryer seancën e parë nën urdhrat e Josës, në një kohë që kjo javë ka qenë me shumë peripeci për kroatin.

Gazeta zbuloi ekskluzivisht se Aralica ishte përfshirë në një aksident automobilistik, por që për fat të mirë të futbollistit nuk kishte asnjë dëmtim.

Dëmet kanë qenë vetëm materiale dhe derisa futbollisti të zgjidhte problemet me makinën, mori leje në klub dhe dje iu bashkua ekipit.

Josa ka pasur më në fund të gjithë futbollistët e gatshëm, me përjashtim të mbrojtësit Darko Bulatoviç, që do të mungojë për një periudhë mbi 1-mujore pas dëmtimit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Momente paniku për futbollistin e Vllaznisë, përfshihet në një aksident automobilistik (PRAPASKENAT)