EKSKLUZIVE/ Momente paniku për futbollistin e Vllaznisë, përfshihet në një aksident automobilistik (PRAPASKENAT)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 14:30

EKSKLUZIVE/ Momente paniku për futbollistin e Vllaznisë, përfshihet në një aksident automobilistik (PRAPASKENAT)

Zbardhet e vërteta me sulmuesin kroat të Vllaznisë, Ante Aralica, i cili prej katër ditësh mungon në stërvitje.

aralica

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë lojtarit, se ai është përfshirë në një aksident gjatë ditëve të fundit.

Mësohet se kroati ka qenë duke udhëtuar drejt Shqipërisë, por makina e tij është karamboluar dhe për fat të mirë, nuk ka pasur pasoja për shëndetin e futbollistit.

Sulmuesi ka njoftuar menjëherë klubin dhe ka kërkuar kohën e nevojshme deri në zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, të njëjtat burime tregojnë për gazetën se dje Aralica ka mbërritur në Shkodër dhe gjasat janë që sot të jetë pranë skuadrës në Ulqin të Malit të Zi për të nisur menjëherë stërvitjen.

Ai ka humbur katër ditë të minifazës përgatitore dhe rikthimi i tij në ekip natyrisht që është një lajm i mirë për trajnerin Mirel Josa.

Ky i fundit kërkon ta ketë sa më të plotë grupin e lojtarëve, pasi këto ditë përgatitje në Ulqin konsiderohen shumë të rëndësishme.

Ky sezon nuk ka nisur aspak mirë për kroatin, i cili pasi kaloi një dëmtim të rëndë, më pas deri në javën e 12-të ka shënuar vetëm një gol.

SITUATA NË EKIP

Pas ndërprerjes së aktiviteteve futbollistike në Shqipëri për shkak të Botërorit të Katarit, Vllaznia rikthehet të luajë një ndeshje zyrtare më 7 dhjetor, pikërisht kur është parashikuar edhe finalja e Superkupës ndaj Tiranës, që do të luhet në stadiumin “Air Albania”.

Dje ishte dita e tretë e përgatitjeve në Ulqin dhe gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve për trajnerin Josa.

Skuadra po merr ngarkesën e duhur, ndërsa duhet thënë se nuk ka pasur probleme fizike.

Një lajm i mirë për stafin është rikthimi në gjendjen optimale i Liridon Latifit, i cili po stërvitet rregullisht me grupin dhe pritet të luajë ndaj Tiranës.

Për herë të fundit kosovari ka qenë në fushë më 28 gusht në ndeshjen e javës së dytë kundër Kukësit në “Loro Boriçi”, kur dhe u dëmtua. Deri dje jashtë ekipit ishin vetëm Darko Bulatoviç dhe Ante Aralica.

Mbrojtësi malazez e ka mbyllur vitin pas dëmtimit që i kushtoi ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa kroati pritet të rikthehet sot në stërvitje.

Problemi i vetëm është fakti se ende nuk po gjenden kundërshtarë për miqësore në tokën malazeze, duke qenë se kampionati vendës është në aktivitet e sipër dhe nuk ka ndalur si Superiorja.

Gjithsesi, deri të dielën mund të kemi diçka konkrete në këtë drejtim.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"