U spostua për ditën e hënë, ja prapaskenat e ndeshjes Erzeni-Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2022 | 14:41

U spostua për ditën e hënë, ja prapaskenat e ndeshjes Erzeni-Kukësi

Ndeshja e vlefshme për javën e tetë të Kategorisë Superiore mes Erzenit dhe Kukësit nuk do të zhvillohet sot në 15:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, por të hënën në të njëjtën orë.

superiore

Ky vendim merret vetëm një ditë para, në një kohë që axhenda e kësaj ndeshjeje ishte konfirmuar që në fillim të javës nga FSHF-ja.

Në fakt, dita e djeshme ka krijuar një konfuzion të madh, ku fillimisht pati konfirmim nga vetë Federata për shtyrje, më pas një kundërshtim të Erzenit përmes faqes në “Facebook” dhe për të ardhur në mbrëmje te njoftimi zyrtar i institucionit të futbollit që takimi është spostuar për të hënën.

Një situatë e çuditshme dhe për më tepër mungesë serioziteti.

PRAPASKENAT

“Panorama Sport” ka arritur të zbardhë atë që ka ndodhur dhe pse u mor ky vendim. Burime të gazetës tregojnë se të enjten dhe të premten disa lojtarë të Kukësit nuk janë ndier mirë, teksa dyshohet për një helmim.

Kësisoj, një pjesë e tyre janë prekur nga viroza dhe dje skuadra e drejtuar nga Enekeleid Dobi nuk është stërvitur si zakonisht, por ka preferuar të frekuentojë një prej palestrave të kryeqytetit me kontingjent të cunguar.

Vetë klubi verilindor nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për të treguar edhe lojtarët që kanë pasur probleme. Gjithsesi, në një situatë të tillë, Kukësi ka kërkuar nga FSHF-ja të vendosë për shtyrjen e sfidës me Erzenin.

Mirëpo, që institucioni i futbollit të merrte këtë vendim, duhej miratimi i klubit të Erzenit, që është pritës. Drejtuesit e dy klubeve gjetën dakordësinë mes tyre dhe FSHF-ja vendosi në drekën e djeshme që takimi të spostohej me 48 orë, duke i dhënë mundësi lojtarëve të prekur nga viroza që të marrin veten.

Në njëfarë mënyre ka qenë dashamirësia e klubit shijakas dhe federatës që 24 orë para sfidës të ketë një ndryshim programi, pasi në të kundërt verilindorët do të ishin të detyruar të dilnin në fushë me një ekip të cunguar.

Sakaq, gjendja e lojtarëve të prekur është e qëndrueshme dhe besohet se deri ditën e hënë Dobi do ta ketë të gatshëm të gjithë skuadrën. Sakaq, klubi i Kukësit duke mos qenë organizator i ndeshjes, ka preferuar ta kalojë në heshtje këtë situatë.

Zhvillimet e fundit sollën edhe një ndryshim të axhendës në kampin verilindor.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar që ditën e djeshme të zhvillonin stërvitje në fushë, Dobi ka mbledhur skuadrën në palestër, duke anuluar në këtë mënyrë edhe konferencën e paralajmëruar për shtyp, siç ndodhte zakonisht një ditë para ndeshjes.

Tani në Kukës shpresojnë vetëm që gjendja e lojtarëve të jetë optimale për ditën e hënë, sepse përpara kanë një ndeshje të rëndësishme dhe për më tepër skuadra vjen në momentin më të mirë pas rezultateve të fundit.

MOHIMI I ERZENIT PËR SHTYRJEN

Pasi mediat zbuluan vendimin për shtyrjen e ErzeniKukësi, klubi shijakas krijoi një konfuzion të madhe me njoftimin që bëri në faqen zyrtare.

“Të nderuar tifozë të KF Erzeni, duke marrë shkas nga disa deklarata dhe postime që kanë qarkulluar në median e shkruar dhe rrjetet sociale, që ndeshja e planifikuar për javën e 8-të nuk do të zhvillohet sipas kalendarit të përcaktuar, ju bëjmë me dije që ndeshja do të luhet sipas kalendarit zyrtar, të shtunën në orën 15:00.

Ju presim të gjithëve në stadiumin ‘Niko Dovana’ në mbështetje të ekipit tonë të zemrës. Me konsideratë, klubi i futbollit Erzeni”, citohej në njoftimin e shijakasve rreth orës 16:30 të ditës së djeshme.

REAGIMI I VONUAR I FSHF-SË

Pas kaosit dhe dilemës për shtyrjen apo jo të ndeshjes, FSHF-ja u kujtua në orën 18:30 për të bërë njoftimin zyrtar. “Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit dëshiron t’ju informojë se ndeshja Erzeni-Kukësi, e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e shtunë, është spostuar ditën e hënë në orën 15:00, pas dakordësisë së arritur ndërmjet dy klubeve.

Pas këtij vendimi është kryer njoftimi i zyrtarëve të ndeshjes dhe kompanisë ‘Oversport’, që është edhe transmetuesja zyrtare e ‘Abissnet Superiore’”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra për shtyp e FSHF-së.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Luhet të shtunën apo të hënën? FSHF u jep fund dilemave për ndeshjen Erzeni-Kukësi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"