U-17: Vllaznia, kampione 3 herë radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2013 | 11:59

U-17: Vllaznia, kampione 3 herë radhazi

VLLAZNIA – SHKËNDIJA E TIRANËS 1-0
GOLAT: Hasani 10′
VLLAZNIA: Harilicaj, Rrustemaj (Balaj 56′), Tahiraga, Krymi, Hepaj, Shkambi (Kolaj 70′), Myftia, Beci, Kabuni (Raboshta 60′), Hasani, Dycaj. Trajner: E.Çaku
SHKËNDIJA E TIRANËS: Merdanaj, Ndreu, Birduli, V.Mema, Musli (Kalaja 46′), K.Mema, Kadriu, Lila, Bilbili (Driza 63′), Lokaj (Ivanaj 68′), Brahimllari. Trajner: L.Pinari
GJYQTARË: R.Zeneli, M.Qose, G.Sulko (Lushnjë)

Vllaznia U-17 është kampione e Kategorisë Superiore për paratërinj, madje katër javë para përfundimit të kampionatit. Pas fitores së djeshme 1-0 ndaj Shkëndijës së Tiranës, që është edhe ndjekësja më e afërt, shkodranët kanë siguruar matematikisht titullin. Në fakt, kuqebluve të vegjël u mjaftonte vetëm një pikë në javët e mbetura për të qenë kampionë. Që pas përfundimit të fazës së parë, skuadra e drejtuar nga Entri Çaku e Nefail Zhejani kishte një diferencë të ndjeshme pikësh nga rivalët. Nga 26 ndeshje të zhvilluara deri më tani, Vllaznia ka arritur 22 fitore dhe 3 barazime, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje. Kjo është hera e tretë radhazi që paratërinjtë shkodranë fitojnë titullin kampion. Merita u shkon pa diskutim trajnerëve e lojtarëve që premtojnë shumë për të ardhmen, si dhe drejtuesve të akademisë. Ndeshja – Ka mjaftuar një gol i Arbias Hasanit që Vllaznia të likuidojë rivalin direkt, Shkëndijën e Tiranës. Distanca me këtë të fundit është plot 17 pikë, një rekord ky për kampionatin e paratërinjve. Takimi i djeshëm ka qenë tepër interesant, mirëpo përveç golit të shënuar në minutën e 10-të, skuadrat nuk kanë arritur t’i ndryshojnë shifrat deri në fund. Skuadra e shkollës “Loro Boriçi” ka kërkuar me insistim barazimin, madje shkodrani Flavio Lokaj ka qenë edhe ngacmimi kryesor për Vllazninë. Pas vërshëllimës së kryesorit Zeneli, kuqeblutë nisën festën dhe tashmë presin ceremoninë zyrtare nga FSHF-ja për titullin kampion.
ADMIR URUÇI

Skënderbeu thyen blutë
DINAMO – SKËNDERBEU 0-3
GOLAT: Vila 2′, Koxhaj 23′, Stërmolli 38′
DINAMO: Halili, Arbana, Jaçe, Mujollari, Bego, Braçaj, Elezi, Arifi, Xhabrahimi, Basha, Rada. (U aktivizuan: Mehaj, Nora, Zefi). Trajner: Xh.Lloshi
SKËNDERBEU: Harti, Dajko, Zyfo, Isa, Lika, Vila, Gjançi, Koxhaj, Stërmolli, Hoxhaj, Osmani. (U aktivizuan: Xhezi, Kote, Toma). Trajner: G.Liçi
GJYQTARË: L.Haxhiu, J.Gjata, K.Rrudho (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Arbana, Basha, Nora / Vila, Stërmolli

Dinamo është surprizuar në fushën e vet nga Skënderbeu. Korçarëve u ka mjaftuar pjesa e parë për të hipotekuar fitoren në kryeqytet. Që në minutën e 2-të Vila e kalon në avantazh Skënderbeun, ndërsa Koxhaj e Stërmolli i kanë çuar shifrat në 3-0. Në pjesën e dytë Dinamo ka kërkuar të reagojë, por pa arritur të shënojë qoftë edhe një gol. Korçarët u mbrojtën mirë.
Erjon Hamitaj

Përmbysje e Besës
BESA – TEUTA 3-2
GOLAT: Muzhaqi 9′, Krasniqi 57′, Deliu 79’/ Gripshi 11′, Myrtezaj 18′
BESA: Curri, Kullolli, Kapidani, Gixho, Rroci, Muzhaqi, Osmani, Arkaxhiu, Krasniqi, Deliu, Lushkja. (U aktivizuan: Qosja, Çela, Rrogozhina). Trajner: Y.Teliti
TEUTA: Vata, Mara, Myrtollari, Përlleshi, Basha, Qehajaj, Myrtezani, Taullai, Bardhi, Hyka, Gripshi. (U aktivizuan: Prifti, Salillari, Pistola). Trajner: L.Sejdini
GJYQTARË: A.Merdanaj, T.Kasa, B.Seferi (Vlorë)
KARTONË TË VERDHË: Arkaxhiu/ Taullai

Ka qenë një ndeshje mjaft e bukur dhe e luftuar deri në fund ajo mes Besës e Teutës, por në fund fitorja u ka buzëqeshur kavajasve. Besa ka kaluar shpejt në avantazh me një eurogol të Muzhaqit, por durrsakët jo vetëm barazojnë, por arrijnë të shënojnë edhe golin e fitores. Gripshi dhe Myrtezaj realizojnë për miqtë, mirëpo në pjesën e dytë Besa përmbys gjithçka me Krasniqin dhe Deliun.
Feriz Ferizaj

Tris i verdhebluve
ELBASANI – LUSHNJA 3-0
GOLAT: Topuzi 10′, 23′, Stojku 34′
ELBASANI: Dashi, Kasa, Suvaria, Gorica, Beqiri, Stojku, Alla, Bërdufi, Topuzi, Bodurri, Mukja. (U aktivizuan: Lleshanaku, Veli, Kalemi). Trajner: S.Dalipi
LUSHNJA: Hila, Çela, Pepa, Zaimi, Liçka, Kapxhiu, Dervishi, Gorovelli, Kasapi, Zeqo, Hasalla. (U aktivizuan: Muça, Kadiu). Trajner: A.Hysko
GJYQTARË: Q.Çopa, D.Kasa, G.Metani (Kavajë)

Elbasani ka arritur të fitojë bindshëm 3-0 përballë Lushnjës, në një ndeshje ku djemtë verdheblu kanë dominuar. Ata kanë mbyllur gjithçka që në pjesën e parë. Topuzi ishte ai që realizoi një dopietë në minutat 10 dhe 23, ndërsa Stojku në të 34-ën vulosi fitoren. Këtë sezon, 17-vjeçarët elbasanas, ndryshe nga një vit më parë, qëndrojnë më lart në renditjen e U-17.
Vladimir Mema

Goleadë e Flamurtarit
FLAMURTARI – POGRADECI 5-1
GOLAT: Llambro 26′, Veizi 46′, Kaçani 74′, Deliaj 76′, Selami 86’/ Berberi 90′
FLAMURTARI: Rrapaj, Gravani, Hoxha, Bani, Velo, Deliaj, Koçani, Llambi, Veizi, Livanaj, Dhrami. (U aktivizuan: Shehaj, Hysenaj, Selami). Trajner: D.Sadedini
POGRADECI: Baci, Yzellari, Memollari, Lena, Çikollari, Hidri, Hila, Kelo, Bello, Laraku, Berberi. (U aktivizuan: Molla, Lazaraku). Trajner: F.Fetollari
GJYQTARË: G.Aliko, P.Puto, G.Bimi (Gjirokster)

Flamurtari ka fituar thellësisht 5-1 ndaj Pogradecit. Vlonjatët kanë treguar synimet e tyre që në fillim të lojës, duke gjetur shumë shpejt golin me Llambron. Pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të vendësve, teksa dyfishoi shifrat Veizi. Në fraksionin e dytë vlonjatët shtuan presionin në portën mike dhe arritën të shënojnë tre gola të tjerë me autor Kaçanin, Deliajn e Selamin.
Altin Pavllo

Turbina ia del në Peqin
SHKUMBINI – TURBINA 1-2
GOLAT: Saja 63’/ Halili 16′, Tata 25′
SHKUMBINI: Rrushi, Ballhysa, Kosta, Gjevori, Koni, Elezi, Sulkja, Gjuzi, Saja, Gjini, Lluca. (U aktivizuan: Kuqi, Tufa, Hyseni). Trajner: Ç.Saja
TURBINA: Zuna, Duraku, F.Bilali, Kullolli, Mezini, Ballkoçi, Hoxholli, D.Bilali, Halili, Sollaku, Tata. (U aktivizuan: Koçi, Lika). Tranier: F.Bilali
GJYQTARË: A.Zdrava, E.Sinanaj, E.Danaj (Elbasan)

Skuadra e paratërinjve peqinas është mundur në fushën e saj nga Turbina. Ka qenë një ndeshje mjaft e fortë, ku miqtë në pjesën e parë kanë luajtur më mirë dhe kanë realizuar dy gola me autor Halilin e Tatën. Në pjesën e dytë vendësit kanë reaguar, duke ngushtuar rezultatin me anë të Sajës. Megjithatë, peqinasit nuk kanë mundur dot të barazojnë. Ata kanë kontestuar edhe gjykimin.
Fatmir Ahmeti

Luftëtari fiton derbin
LUFTËTARI – BUTRINTI 2-0
GOLAT: Nano 10′, Koshi 70′
LUFTËTARI: Roko, Matushi (Mejdi 56′), Hina, Buxaj, Vasi, Shehu, Reçka, Puci, Braho (Koshi 50′), Nano (Mahmutaj 68′), Hyka. Trajner: A.Çulli
BUTRINTI: Kuçi, Mahmutaj (Grambi 56′), Sadikaj, Çipa, Braculla, Jonuzaj, Zotaj (P.Ahmeti 41′), Hoxha (Iljazi 41′), Dadaj (Piro 77′), Ahmeti, Llambri (Stefani 41′). Trajner: L.Risti
GJYQTARË: E.Alliaj, Q.Shehaj, Xh.Gjata (Patos)
KARTONË TË VERDHË: Matushi 12’/ P.Ahemti 53′, Sadikaj 60′;
KARTON I KUQ: Sadikaj 61′

Luftëtari i Andrea Çullit ka fituar 2-0 përballë Butrintit, që gjithashtu drejtohet nga një trajner gjirokastrit, Lorenc Risti. Në prani të një numri të konsiderueshëm tifozësh, ekipi vendës tregoi më shumë dëshirë dhe grintë për të fituar takimin. Nano kaloi në avantazh Luftëtarin, ndërsa në pjesën e dytë 10 minuta afër fundit Koshi realizoi golin e qetësisë për gjirokastritët.
Tomorr Shehu

U rrezikua ndeshja, Kola akuzon Memën
TIRANA – LAÇI 5-1

GOLAT: Mahmutaj 10′, Sala 17′, Çupi 25′, 60′, Çema 38’/ Lepuri 73′
TIRANA: Hasani, Prendi, Haxhia, Bajo, Myrtaj, Doko, Koldashi, Çupi, Mahmutaj, Çema, Sala. Trajner: L.Sengla
LAÇI: Hoxhaj, Mërdhoqi, Lika, Trungshi, Ndoka, Kolthi, Pjetri, Lepuri, Bardhi, Dedgjonaj, Laska. (U aktivizuan: Bushpepa, Mardhoqi, Thana). Trajner: N.Tarazhi
GJYQTARË: K.Shkurta, D.Tomorri, A.Stojku (Tiranë)

Takimi mes Tiranës dhe Laçit rrezikoi të mos zhvillohej dje në kompleksin “Skënder Halili”. U bë hera e tretë brenda muajit prill që ndodh kështu, sepse përpara ndeshjeve, kur Tirana luan si pritëse, nuk ka as mjek dhe as policë, të cilët duhet të jenë prezent në bazë të rregullores së FSHF-së. Dje takimi i ekipit U-17 të bardhebluve ndaj Laçit nisi me 40 minuta vonesë, teksa policia dhe mjeku janë njoftuar privatisht nga tekniku i U-19, Agustin Kola. Ish-sulmuesi i shquar i Tiranës fajëson direkt drejtorin e akademisë, Sulejman Mema, në lidhje me këtë problem. “Brenda kësaj jave u bë dy herë që thërrasim mjekun dhe policinë në mënyrë shoqërore, pasi drejtuesit e akademisë, pikërisht drejtori Sulejman Mema, nuk do t’ia dijë për këtë. Askush nuk mban përgjegjësi për këtë gjendje. Këto probleme që shfaqen që te moshat, transmetohen tek ekipi i parë, ndaj këtu nuk shkon asgjë ashtu siç duhet”, – ka thënë Kola i dëshpëruar. Ndërkohë, takimi i paratërinjve përfundoi me fitoren e thellë të Tiranës 5-1.
Erjon Hamitaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"