U-17: Ngec Tirana, Elbasani rimerr kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2013 | 14:42

U-17: Ngec Tirana, Elbasani rimerr kreun

Shkëndija zbret bardheblutë nga froni
TIRANA – SHKËNDIJA E TIRANËS 0-1
GOLI: Osmanallaj 27′
TIRANA: Dallashi, Ameti, Bajo, Kuka, Demaj, Kl.Prendi, Doka, Koldashi, Halili, Morina, Çema. (U aktivizuan: Kr. Prendi, Hoxhaj, Sadiku, Joti, Omeri). Trajner: L.Sengla
SHKËNDIJA E TIRANËS: Mehidri, Moqi, Domgjonaj, Kastrati, Haruni, Kaçupaj, Pati, Noka, Ivani, Osmanallaj, Mici. (U aktivizuan: Noka, Gjoleci, Haruni, Gjergji, Gjeçi). Trajner: K.Sterjo
GJYQTARË: M.Shabanaj, D.Tomori, A.Zalla (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Koldashi/ Moqi, Domgjonaj

Shkëndija ka mposhtur Tiranën me rezultatin minimal 1-0, duke u shkaktuar bardhebluve një humbje të papritur në shtëpi. Djemtë e shkollës së mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi” janë treguar më të qartë në lojën e tyre. Ka qenë Osmanallaj ai që i ka dhënë fitoren skuadrës së tij, duke i shtuar kështu 3 pikë me mjaft vlera në renditje. Në minutën e 27-të, sulmuesi i Shkëndijës ka depërtuar në zonën e Tiranës dhe ka gjuajtur saktë me të djathtën, duke e kaluar topin në rrjetë. Ishte një moment kur mbrojtja bardheblu u tregua e pavëmendshme, teksa nuk e kuptoi lëvizjen e kundërshtarit. Pas pësimit të golit, bardheblutë sulmuan për të ndryshuar rezultatin, por sforcot e tyre qenë të kota deri në fund. Hoxhaj dhe Halili patën raste për të shënuar, por “gardiani” Mehidri nuk lejoi që të prekej rrjeta. Tirana zbret në vendin e tretë pas kësaj humbjeje, ndërsa Shkëndija ngjitet në vendin e gjashtë dhe është vetëm 2 pikë larg kreut të renditjes.
Erjon Hamitaj

Laçi i jep leksion Vllaznisë
LAÇI – VLLAZNIA 2-1
GOLAT: Gjoni 40′, Bushpepa 68’/ Hebaj 64′ (11-m)
LAÇI: Halili, K.Lika, Beqiri, A.Stojani, Balozi, Yzeiraj, Mërdhoqi, Bushpepa, Baboçi, Gjoni, Doçi. (U aktivizuan: Kashnjeti, A.Lika, M.Stojani, Pavliqoti). Trajner: N.Tarazhi
VLLAZNIA: Vjerlla, Premçi, Kukaj, Fangaj, Dema, Bala, Çajreviç, Brahimi, Kola, Hebaj, Blinishta. (U aktivizuan: Hoti, Hyseni). Trajner: A.Noga
GJYQTARË: E.Hushi, G.Vogli, I.Ujka (Fushë-Krujë)
KARTONË TË VERDHË: Yzeiraj, K.Lika, Halili/ Kukaj, Kola
KARTONË TË KUQ: Baboçi/ Kola

Laçianët e vegjël kanë marrë tri pikë me mjaft vlera, pasi kanë mundur Vllazninë me rezultatin 2-1. Dy gola të shënuar nga Gjoni e Bushpepa kanë mjaftuar për të besuarit e Ndue Tarazhit. Vendësit kanë qenë më kërkues dhe këmbëngulja e tyre është shpërblyer fillimisht në minutën e 40-të, kur Gjoni ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e kurbinasve, 1-0. Shkodranët do ta barazonin takimin në minutën e 64-t, pas një 11-metërshi të kthyer në gol nga Hebaj. Megjithatë, kurbinasit nuk do të pajtoheshin me barazimin dhe katër minuta më pas arrijnë të shënojnë me anë të Bushpepës, i cili ashtu si Gjoni realizoi pas një goditjeje dënimi.
Vladimir Prenga

Goli i Hykës nderon Teutën
OLIMPIKU – TEUTA 0-1
GOLAT: Hyka 14′
OLIMPIKU: K.Bushi, Xh.Bushi, Gjalpi (Shima 41′), Kaimi, Spahiu (Malkollari 65′), Trimi, Hoxha, Kallaku (Gaxheli 56′), Baze, Lekbeqaj, Mehmeti (Bami 67′). Trajner: A.Baze
TEUTA: Vata, Seferi, Hajdini, Mitralozi (Kalemi 41′), Ballhysa (Shala 78′), Hoxha, Vila, Trimi, Hyka (Tepshi 66′), Gripshi, Mara. Trajner: G.Begeja
GJYQTARË: P.Simoni, G.Pjetrushi, I.Gjoka (Lezhë)

Paratërinjtë e Olimpikut janë mundur në fushën e vet nga Teuta me rezultatin minimal 0-1. Goli i pësuar që në fillim të ndeshjes ndikoi për keq në lojën e vendësve. Ka qenë futbollisti durrsak, Hyka, ai që ka zhbllokuar rezultatin, duke shënuar një gol të bukur në ecje e sipër. Edhe pse Olimpiku e ka kërkuar barazimin me ngulm gjatë gjithë kohës së mbetur, sulmuesit Baze, Mehmeti e Kallaku nuk kanë mundur dot të gjejnë hapësirën e duhur për të depërtuar në portën durrsake. Kjo, edhe për meritë të portierit të shkëlqyer, Vata, i cili me akrobacitë e tij i ka lënë të mahnitur të pranishmit. Gjithçka u mbyll me fitoren e durrsakëve, që pas këtij trepikëshi e shikojnë veten në vendin e shtatë.
Abdulla Dushku

Flamurtari fundos korçarët
SKËNDERBEU – FLAMURTARI 1-2
GOLAT: Kote 35’/ Muça 12′, Sino 24′
SKËNDERBEU: Dramolli, Fejzolli, Menko, Isa, Zyber, Shabanllari, Make, Tona, Lika, Gjançi, Kote. (U aktivizuan: Osmani, Qeleshi, Myrteza). Trajner: G.Liçi
FLAMURTARI: Sali, Demiraj, Hajdini, Myslimi, Dule, Delia, Shkurti, Shehu, Muça, Sino, Shpushi. (U aktivizuan: Lazaj, Zotaj, Xhaferraj). Trajner: G Mezani
GJYQTARË: G.Kamolli, V.Tole, A.Doçe (Pogradec)

Flamurtari fiton në Korçë dhe parakalon Skënderbeun në renditje. Me dy gola të shpejtë, të pësuar që në pjesën e parë, bardhekuqtë u mundën nga ekipi vlonjat me rezultatin 1-2. Ka qenë një ndeshje e dobët për korçarët. Që në fillim miqtë janë dominues të gjysmëfushës dhe shënojnë pas 12 minutash me anë të Muçës. Goli i shpejtë i hutoi disi korçarët, që vetëm dhjetë minuta më vonë do të pësonin sërish. Këtë herë është Sino që dyfishon shifrat për Flamurtarin. Pas disavantazhit të dyfishtë, Skënderbeu mundohet të reagojë dhe gjen golin, teksa Kote godet nga distanca dhe e dërgon topin në rrjetë. Në pjesën e dytë ka qenë e kotë sforcoja e Skënderbeut për të barazuar, pasi vlonjatët u mbrojtën mirë.
Llazi Saro

Besa bind kundër Kukësit
BESA – KUKËSI 2-1
GOLAT: Efica 43′, Çela 59’/ Domi 78′
BESA: Dajsinani, Cara, Uku, Shaba, Brahimaj, Bizhdili, Sula, Efica, Metolli, Çela, Hoxha. (U aktivizuan: Mërhori, Deliu, Shima). Trajner: I.Duro
KUKËSI: Batusha, Lleshi, Gërmizi, Elezi, Mici, Matmuja, Haxhiu, Domi, Dida, Gavazaj, Demhasa. (U aktivizuan: Jonuzi, Xhuta, Petku). Trajner: A.Bela
GJYQTARË: B.Qato, B.Grepi, L.Koçi (Durrës)
KARTONË TË VERDHË: Lleshi, Gërmizi

Spektakël dhe fitore, Besa U-17 i bind të gjithë kundër Kukësit. Ka qenë një dominim total në lojë dhe tri pikë të merituara të skuadrës së drejtuar nga Ilir Duro. Paratërinjtë kavajas zhvilluan një lojë mjaft të mirë, por e veçanta e kësaj sfide ishin mënyra e shënimit të golave, pasi ishin njëri më i bukur se tjetri. Pas një 40 minutëshi të bardhë, është Efica që shënon një eurogol, kur godet fluturimthi nga jashtë zone. Goli duartrokitet gjatë nga të pranishmit, ndërsa Çela më pas dyfishon shifrat, duke realizuar gjithashtu me një veprim të bukur. Afër fundit është kuksiani Domi që shënon një tjetër eurogol, duke shtangur vendësit, por gjithsesi takimi u mbyll 2-1 për ekipin kavajas.
Feriz Ferizaj

Përmbysje spektakolare e verdhebluve
APOLONIA – ELBASANI 2-3
GOLAT: Berisha 53′, Haxhiraj 62’/ A.Veli 49′, Meka 71′, 80+2′
APOLONIA: Bala, Hënza, Berisha, Troka, Lizaj, Velaj, Sulaj, Memetaj, Çelaj, Haxhiraj, Naçi. Trajner: O.Çuko
ELBASANI: Dashi, File, Çani, Shehi, Panganika, Kalemi, Hida, Stojku, Bullari (Meka 48′), Veli, Shabani. Trajner: S.Dalipi
GJYQTARË: D.Ferati, E.Hatija, Xh.Gjata (Patos)
KARTON I KUQ: Bala 78′

Elbasani merr tri pikë në Fier dhe rikthehet në krye të kampionatit të paratërinjve. Verdheblutë e vegjël kanë shënuar të parët, por më pas Apolonia ka përmbysur rezultatin, ndërsa në limitin e takimit, miqtë arritën të shënonin golin e fitores, 3-2. Ekipi fierak, i drejtuar nga Çuko, edhe pse ka luajtur mirë, sërish ka qenë i pafat, duke pësuar humbjen e gjashtë radhazi. Apolonia vendos kështu një rekord negativ, teksa ende nuk ka marrë pikën e parë. 40 minutat e para u mbyllën pa gola, ndërsa Elbasani kaloi në avantazh me anë të A.Velit. Gjithsesi, në një hark të shkurtër kohor, Berisha dhe Haxhiraj përmbysën rezultatin. Kur mendohej që fierakët do të shkonin drejt fitores, ndodhi e kundërta. Meka barazoi rezultatin, ndërsa portieri i Apolonisë, Bala, u ndëshkua me karton të kuq dy minuta para përfundimit të takimit. Këtu përfitoi Elbasani, që sërish me Mekën gjeti golin e tretë, duke marrë një triumf të artë në Fier.
Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"