Tirana-Partizani, derbi nën “rrogoz” për Migen Memellin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2014 | 12:30

Tirana-Partizani, derbi nën “rrogoz” për Migen Memellin

SALIHI KRYESORE copyHamdi Salihi takohet me drejtuesit e Tiranës. Sulmuesi vazhdon të jetë në planet e bardhebluve për sulmin. Madje, ai konsiderohet i duhuri për të blinduar këtë repart, ndaj edhe bardheblutë do të lënë një derë të hapur për të, ndonëse lojtari kërkon kohë deri në fund të këtij muaji. Burime të sigurta pranë palëve zbulojnë se, pak ditë më parë, shkodrani ka qenë në kryeqytet dhe është ulur me donatorin Refik Halili. Një takim miqësor, por që sigurisht ka pasur si tematikë kryesore të ardhmen e lojtarit te 24 herë kampionët e vendit. Salihi e ka thënë hapur se, nëse do të qëndrojë në Shqipëri, të paktën deri në fund të këtij edicioni, atëherë me shumë gjasa do të luajë te Tirana. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë është aktualisht në kërkim të një skuadre të re jashtë vendit. Ndaj, nëse nuk do arrijë që të firmosë për një klub të huaj, do e vijojë karrierën e përkohshme në Superiore. Bardheblutë janë të gatshëm që t’i ofrojnë sulmuesit një rrogë mujore neto te 10 milionë lekë, duke bërë që Salihi të jetë më i paguari i kampionatit. Plus kësaj, klubi do i siguronte edhe akomodimin, si dhe çdo shpenzim tjetër ekstra, mjaft që ai të pranojë të riveshë dhe kontribuojë për fanellën bardheblu. Nëse deri pak kohë më parë nuk kishte kontakte zyrtare, tashmë po, palët janë ulur dhe kanë biseduar. Nga ana tjetër, edhe Skënderbeu e do. Madje, ka qenë vetë presidenti Ardjan Takaj, i cili ka pranuar publikisht nisjen e tratativave. Zgjedhja tashmë i takon vetëm shkodranit, i cili me gjasa deri më datë 31 janar do e ketë gjetur skuadrën e tij të re.

Klubi, takim me Likën pas intervistës
Intervista e dhënë një ditë më parë nga Ilion Lika për “Panorama Sport” duket se nuk është përtypur mirë nga drejtuesit e Tiranës, flasim për ata të zyrës. Mësohet se portieri, i cili u rikthye te bardheblutë të hënën, është thirrur nga administratori Krenar Alimehmeti, i cili duket se i ka kërkuar “llogari” mbi deklaratat e tij. Kujtojmë që Lika e akuzoi Nevil Deden si “kamikazin” e bardhebluve, duke e cilësuar atë si fajtorin kryesor për gjendjen që po kalon skuadra. Gazeta në fakt u mundua që të kontaktonte dhe t’i merrte një reagim zyrtar ish-trajnerit, por ky i fundit nuk ka pranuar.

Përgatitjet
Tirana ka vijuar edhe dje punën. Doza ka ardhur drejt rritjes, teksa u zhvilluan dy seanca. Dhe kjo e kuptueshme, pasi skuadra është në periudhë përgatitore. Trajneri Gugash Magani e ka pasur grupin e plotë, vetëm paradite mungoi braziliani Gilberto, ndërsa pasdite ishte prezent. Ushtrime force të alternuara me gjuajtje, ka qenë ky fokusi i stërvitjes së mëngjesit, ndërsa në orën 16:30 më së shumti u punua me topin dhe u zhvillua një lojë midis grupit.

MIQËSORJA
Tirana do të zhvillojë sot, në orën 14:00, miqësoren e dytë për këtë periudhë përgatitjesh. Kundërshtari është pikërisht Dinamo. Trajneri Gugash Magani në këtë derbi, edhe pse miqësor, do të ketë përballë djalin e tij, Arturin, i cili së fundmi u është bashkuar dinamovitëve, skuadrës tjetër të kryeqytetit. Me shumë gjasa pas kësaj ndeshjeje, stafi teknik i bardhebluve do të ketë një ide më të qartë për brazilianin Gilberto.

MemelliTirana-Partizani, derbi nën “rrogoz” për Migen Memellin
Rikthimi i Migen Memellit në Shqipëri shton zërat për të ardhmen e tij në kampionatin tonë. Tirana vazhdon ta konsiderojë një alternativë të mirë për sulmin pogradecarin, ndaj gjasat janë që tani bisedimet të jenë më konkrete. Ndonëse nuk ka akoma diçka konkrete, klubi bardheblu i ka bërë edhe një ofertë lojtarit. Nga ana tjetër, në sulm për të është edhe Partizani. Pra duket hapur që ka një “derbi nën rrogoz” për sulmuesin, i cili sapo ka lënë Arabinë dhe Al-Faisalin, skuadër me të cilën u aktivizua gjatë pjesës së parë të sezonit. Gjasat janë që deri javën e ardhshme lojtari të ketë marrë një vendim. Sikurse thamë më sipër, sulmuesi Migen Memelli ka ditë që është edhe në orbitën e Partizanit për merkaton e janarit. Nga burime të ndryshme bëhet me dije se lojtari në fjalë, me anë të menaxherit të tij, ndodhet në kontakte me të kuqtë dhe mbetet në pritje të një përgjigjeje nga ana e Partizanit. Bëhet me dije se rroga e Memellit te Partizani mund të jetë 4-5 mijë euro në muaj. Sulmuesi 33-vjeçar është pranë largimit nga Arabia Saudite, ku aventura e tij Al Faislai konsiderohet thuajse e përfunduar dhe Memelli mbetet lojtar i lirë. Në adresë të sulmuesit thuhet se ka pasur interesim edhe nga skuadra të tjera të Kategorisë Superiore, si Tirana dhe Flamurtari, por me sa duket Memelli kërkon që më parë të dëgjojë përgjigjen e Partizanit dhe më pas të vendosë se kush do të jetë destinacioni i tij i ri. Aktualisht reparti sulmues i Partizanit konsiderohet i mbipopulluar, pasi shumë të huaj kanë ardhur në provë, por priten edhe të tjerë. Pra, përgjigjja e Partizanit ndaj Memellit mund të varet edhe nga paraqitja e sulmuesve të huaj gjatë provës në Antalia.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"