Teuta rigjen Beqjen, një titullar në dyshim për sfidën me “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 14:13

Teuta rigjen Beqjen, një titullar në dyshim për sfidën me “demat”

Kjo javë ka nisur mirë për Teutën, lidhur me situatën e dëmtimeve. Teuta do të luajë në fundjavë me Partizanin, në një ndeshje mjaft të rëndësishme për vetë synimet që kanë durrsakët për t’iu larguar vendit të fundit.

teuta

Skuadra durrsake do të jetë më e plotë se ndaj Dinamos, pasi trajneri Edi Martini do të ketë për lojë mesfushorin Ledio Beqja. Në dyshim vazhdon të mbetet Erando Karabeci. Mesfushori vijon riaftësimin dhe me shumë mundësi nuk do te jetë gati as për ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit.

PËRGATITJET “Djemtë e Detit” sot kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku do të përballen me Partizanin. Stërvitja nisi me nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik i skuadrës, Mark Dodaj, vazhdoi punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me lojë me top dhe me konkretizim para portës. Gjendja e futbollistëve duket stabël dhe ata po vijojnë me ritëm të lartë stërvitjet, të udhëhequr nga trajneri i skuadrës, Edi Martini.

SHIFRAT KUNDËR Teuta “fut ujë” nga të gjithë anët, pasi në 18 ndeshje ka pësuar 26 gola. Tek ekipi i Martinit nuk funksionon diçka shumë thelbësore, pasi mbrojtja pëson shumë gola, madje me shumë lehtësi. Këto janë shifra alarmante dhe e bëjnë mbijetesën një mision shumë të vështirë. Fakti që pësojnë shumë lehtë në mbrojtje, e ka detyruar edhe Martinin që të përqendrojë seancat stërvitore në aspektin difensiv. E sigurt është se në aspektin mbrojtës duhet gjetur një zgjidhje. Teuta e sivjetshme nuk mund të krahasohet as me skuadrën e vjetshme. Pas 18 javëve në sezonin e shkuar blutë kishin grumbulluar 21 pikë, teksa në këtë edicion kanë 5 pikë më pak dhe e shohin veten në fundin e renditjes. Skuadra e Edi Martinit nuk fiton prej 10 ndeshjesh, duke përjetuar një nga vështirësitë më të mëdha të viteve të fundit. Për të dalë nga kjo situatë, misioni duhet të nisë me një rezultat pozitiv ndaj Partizanit, ndaj të cilit e mbylli në barazim betejën e fazës së dytë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"