Teuta, “revolucion” në merkaton e janarit. Vetëm porta nuk do të preket. Klubi nis bisedimet për afrime në çdo rol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 16:58

Teuta, “revolucion” në merkaton e janarit. Vetëm porta nuk do të preket. Klubi nis bisedimet për afrime në çdo rol

Pas 18 javësh kampionat, Teuta e sheh veten në vendin e fundit me 16 pikë, duke qenë shumë larg pritshmërive të fillimit të sezonit. Drejtuesit e klubit kanë nisur me kohë spastrimet nga skuadra dhe deri më tani janë larguar tre lojtarë, pikërisht sulmuesit Mario Gjata dhe Aldi Gjumsi, si dhe mbrojtësi Ardit Iljazi.

teuta

Në të njëjtën kohë, klubi ka zyrtarizuar edhe afrimin e parë, që është mbrojtësi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Elmando Gjini, i cili vjen pas eksperiencës me të rinjtë e Xhenoas. Aktualisht drejtuesit e klubit po punojnë për afrime të tjera dhe java e ardhshme do të jetë decizive në këtë drejtim. Afrime do të ketë në çdo repart, përveç portës, aty ku Endri Dema dhe Elton Vata janë siguri për të ardhmen.

Nga mbrojtja në sulm, ndryshimet do të jenë të mëdha, por me synimin që të vijnë lojtarë të cilët janë garanci për një Teutë ndryshe në vazhdimësinë e kampionatit. Trajneri Edi Martini deklaroi pas ndeshjes së fundit me Dinamon, se askush nuk duhet të çuditet nëse deri në fund të kampionatit, durrsakët do të jenë pretendent për një vend në katërshen e parë. Megjithatë, presidenti Hasanbelliu, në bashkëpunim me stafin teknik, janë tashmë në fazën e përzgjedhjes së lojtarëve që do të ndryshojnë ekipin në fazat e mbetura.

Priten disa përforcime dhe nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë huazimi nga brenda vendit, por edhe kjo do të shihet me kujdes. Në klubin durrsak janë të bindur se pozicioni në tabelë është thjesht një rastësi, pasi edhe në pjesën e parë të kampionatit, ekipi tregoi se nuk e meriton të jetë në fund.

ZAMIR QYPI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"