“Të ecim me llogari dhe të bëjmë matematikën tonë”. Emini: Bylisi, asnjë hap fals për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 16:57

“Të ecim me llogari dhe të bëjmë matematikën tonë”. Emini: Bylisi, asnjë hap fals për Superioren

Bylisi do të luajë të shtunën transfertën delikate me Luzin, por që do të zhvillohet në fushën asnjanëse të Vorës, pasi luznjakët e kanë fushën e tyre të dënuar nga Disiplina. Skuadra e Arian Bellait luan për vazhdimësinë dhe drejtuesit kanë vendosur që ta mbajnë ekipin të grumbulluar për të gjitha sfidat e fazës së tretë.

BYLIS

Serxhio Emini, sulmuesi i Bylisit, ka lënë pas dëmtimin dhe u rikthye të luajë në sfidat e fundit. Për “Panorama Sport” ai foli për takimin e fundit me Tomorin, si dhe prag ndeshjen me Luzin. “Kalova një dëmtim dhe për pak javë mbeta jashtë fushave, pikërisht kur isha në formën më të mirë. U riktheva në ndeshjen ndaj krutanëve e më pas me Tomorin. Po punoj që të kap formën time. Deri tani, sezoni ka qenë pozitiv për mua.

Në vijim shpresoj të bëj edhe më mirë dhe të shënoj sa më shumë gola. Kampionati ka ende shumë javë dhe pikë në lojë, kështu që ne duhet të marrim pikët maksimale. Ndaj Tomorit ishte një fitore e bukur, por duhet të kishim shënuar më shumë gola, se për hir të së vërtetës kishim shumë raste për gol. Shpresoj që ndaj Luzit të shkojmë me shënjestër të korrigjuar, por edhe me fatin për të shënuar gola. Kundërshtari ka një ekip simpatik, luajnë bukur futboll dhe ne nuk i vlerësojmë nga pozita që ata kanë në tabelën e renditjes.

Do të punojmë këto ditë dhe do të mobilizohemi të shkojmë në këtë transfertë për të dhënë më të mirën tonë dhe që të dalim me pikë të plota. Gara është e hapur, janë në lojë 30 pikë. Ndaj, ne duhet të bëjmë kujdes dhe të mos lemë të na ikë asnjë pikë. Duhet të ecim me llogari dhe të bëjmë matematikën tonë për të realizuar synimet që ne kemi këtë sezon”, u shpreh Serxhio Emini.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"