Synohet fitorja në shtëpi, Kukësi përgatit kthesën e madhe në kampionat ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 8:50

Synohet fitorja në shtëpi, Kukësi përgatit kthesën e madhe në kampionat ndaj Teutës

Në Kukës nuk ka qetësi, jo vetëm sa i përket situatës së fundit të ndodhur me kroatin Ante Zivkoviç, por më së shumti me momentin që po kalon skuadra në kampionat.

KUKESI 1

Ekipi kërkon patjetër kthesën në rezultate dhe sfida e parë pas pushimeve është ajo me Teutën e vendit të fundit, që do të luhet të dielën në orën 13:00 në stadiumin e Kukësit.

Kjo ndeshje mund të konsiderohet si “jetë a vdekje” në kampin verilindor.

Një tjetër rezultat negativ do të rëndonte edhe më tepër pozitat e tyre në klasifikim, në një kohë që si objektiv minimal kanë Europën.

Për momentin, trajneri Enkeleid Dobi kërkon që të mbajë në tonus skuadrën dhe shpreson që kjo periudhë pushimi t’i shërbejë për të rigjetur formën e humbur në kampionat.

Sakaq, pas miqësores me Drenicën, trajneri e ka lënë pushim skuadrën një ditë dhe ajo do t’i rikthehet sot normalisht përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Teutën.

LARGIMET

Kjo periudhë ka shërbyer për klubin që të mbyllë marrëveshjet me disa prej lojtarëve që nuk shihen më si të vlefshëm për ekipin, siç ishte rasti i sulmuesit kroat, Ante Zivkoviç dhe së fundmi mesfushorit brazilian, Agnaldo Moraesh, me klubin që më në fund ka bërë edhe zyrtarizimet.

U përfol se i larguari i radhës ishte edhe mbrojtësi i djathtë, Jorgo Meksi, pasi prej disa ditësh ka munguar në seancat stërvitore dhe në ndeshjet miqësore që ka zhvilluar skuadra. Klubi konfirmon që mbrojtësi është ende pjesë e Kukësit.

Ndërkohë, gazeta mëson se bëhet fjalë për një dëmtim të tij, prandaj dhe lojtari me origjinë nga Gjirokastra ka munguar në stërvitje.

Ai pritet të rikthehet së shpejti në skuadër.

“FK Kukësi njofton se mesfushori Agnaldo Moraes dhe sulmuesi Ante Zivkoviç nuk janë më pjesë e klubit tonë. Futbollistët në fjalë dhe klubi kanë arritur marrëveshjen për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Klubi i Kukësit hedh poshtë lajmet në lidhje me largimin e mbrojtësit Meksi, i cili ka kontratë për 2 sezone me klubin tonë”, citohej dje në njoftimin e klubit verilindor.

Sakaq, klubi po punon që edhe me disa lojtarë të tjerë që nuk shihen më pjesë e projektit, të zgjidhë me marrëveshje kontratat me ta.

Deri në muajin janar, kur dhe do të rihapet merkatoja, te Kukësi shpresojnë t’i kenë zgjidhur një herë e mirë kontratat me lojtarët e padëshiruar.

AKUZAT

Një ditë me parë nëpërmjet një prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi Zivkoviç hodhi edhe akuza të rënda në drejtim të klubit, ku sipas tij për të zgjidhur kontratën, u detyrua me forcë, por që nuk do ta lërë me kaq këtë çështje.

Sakaq, klubi është mjaftuar me reagimin e parë, ku i hedh poshtë të gjitha këto akuza dhe nuk ka dashur të vijojë më “historinë” me sulmuesin, i cili tanimë është zyrtarisht edhe një futbollist i larguar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"