Superpërmbysje e Shkëndijës, shpallet kampione e paratërinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2014 | 8:40

Superpërmbysje e Shkëndijës, shpallet kampione e paratërinjve

Shkendija B kampionSHKËNDIJA B. T.-LUSHNJA 2-1
GOLAT: Xhixha 33′, Haxhiu 44’/ Kapxhiu 31′
SHKËNDIJA B. E TIRANËS: Gjonaj, Paraj, Lamaj, Xhaferaj, Vathi (Çomo 57′), Kratellari (Therçaj 63′), Luga (Hamati 70′), Bushati (Raza 80′), Morina, Haxhiu, Xhixha (Pushaj 80+3′). Trajner: Shpendi Kumbarçja
LUSHNJA: Hila, Dervishi, Çela, Zaimi, Kadiu (Zhuga 46′), Parangoni, Gorovelli, Jonuzi, Kapxhiu, Kasapi, Kaja. Trajner: Arben Hysko
GJYQTARË: L.Haxhiu, D.Tomorri, M.Shazivari (Tiranë)
KARTON I VERDHË: Haxhiu 72′
DELEGAT: Lysien Nurishmi

Shkëndija B. e Tiranës është shpallur dje kampione e Kategorisë së Parë për U-17, teksa ka mposhtur në finale Lushnjën me rezultatin 2-1. Takimi u luajt në Kamzë, në një organizim të përsosur nga ana e FSHF-së. Ka qenë një atmosferë festive dhe një numër i madh shikuesish, në një kohë që në kompleksin e Kamzës është edhe shkolla e mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi”, që përfaqësohet në kampionat me dy skuadra, Shkëndijën A që merr pjesë në Superiore dhe Shkëndijën B në Kategorinë e Parë. Kjo e fundit, e drejtuar nga Shpend Kumbarçe, e mbylli kampionatin në vendin e parë të grupit A dhe në këto kushte në finale u përball me Lushnjën si kryesuese të grupit B të Kategorisë së Parë.
Ndeshja – Ka qenë një nisje mjaft e mirë e Lushnjës, që disa herë vuri në vështirësi mbrojtjen e Shkëndijës. Sulmuesit lushnjarë, me Kajën në krye, bëhen të rrezikshëm për Shkëndijën dhe në minutën e 31-të, pas një goditjeje nga këndi është Kapxhiu që ngre peshë entuziazmin, duke kaluar ekipin e tij në avantazh. Por, nuk vonon as dy minuta dhe vjen dhe reagimi i skuadrës së shkollës së mjeshtërisë me anë të Xhixhës. Ky i fundit shmang një mbrojtës dhe del i vetëm me portierin, duke barazuar shifrat. Në vijim sulmet e skuadrave janë të panumërta, por mbrojtjet tregohen mjaft të kujdesshme dhe pjesa e parë mbyllet 1-1. Fraksioni i dytë nis me gol për Shkëndijën, ku përsëri protagonist bëhet Xhixha, që jep një asist për Haxhiun dhe ky i fundit nuk fal përballë Hilës. Më pas të dyja skuadrat janë munduar për të shënuar gola të tjerë, por dy portierët, Gjonaj tek Shkëndija dhe Hila te Lushnja, nuk kanë lejuar prekjen e rrjetës. Fundi ka buzëqeshur për të besuarit e Kumbarçes, që ngrenë trofeun e Kategorisë së Parë U-17. Kapitenit të Shkëndijës, Xhuljano Gjonaj, trofeun ia dorëzoi anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu. Lojtarët shpërthyen në festë, bashkë me stafin e shkollës “Loro Boriçi”. Për ekipin fitues u shpërndanë 30 medalje për futbollistët, ndërsa premioja e FSHF-së ishte në shumën 1 milion lekë të vjetër.

Ja kush janë kampionët
Xhuljano Gjonaj, Kevin Paraj, Redon Lamaj, Marlen Xhaferaj, Roxhest Vathi, Erjon Kratellari, Denis Luga, Fatjon Bushati, Velson Morina, Melis Haxhiu, Redon Xhixha, Lisandro Zhupa, Esat Mala, Klaudio Hamati, Albi Çomo, Gentian Therçaj, Ronaldo Pushaj, Redon Raza, Mikea Avdillari dhe Erlan Elezi. Këta janë futbollistët e Shkëndijës B. të Tiranës, që dje u shpallën kampionë për paratërinj. Ekipi drejtohet nga Shpendi Kumbarçe.

Protagonistët
Shpend Kumbarçja, trajner i ekipit të Shkëndijës B. të Tiranës, për “Panorama Sport” deklaroi: “Dua të përgëzoj këta djelmosha për këtë arritje. Shumica nuk i kalon 16 vjeç. Synojmë që me këtë grup të arrijmë suksese të tjera në sezonet e ardhshme”. Ndërsa kapiteni i ekipit, Xhuljano Gjonaj, u shpreh: “Është një fitore e mrekullueshme, ku meritën më të madhe e ka trajneri ynë. Falënderoj të gjithë shokët që morëm këtë sukses të merituar.”
Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"