Speciale nga Besnik Dizdari/ 20 vjet më parë niste “revolucioni” i Kombëtares… (PJESA E DYTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 20:13

Speciale nga Besnik Dizdari/ 20 vjet më parë niste “revolucioni” i Kombëtares… (PJESA E DYTË)

Nga BESNIK DIZDARI

Pjesa e Dytë

PROLOG, SAARBRUCKEN 1983 Me këtë foto po kam dëshirë të fillojë ky kapitull i dytë i shkrimit në fjalë. Skena i përket stadiumit “Ludvigpark” të Saarbrucken të Saarës, në Gjermani, më 20 nëntor 1983.

shqiperiaaa

Ndeshja famëmadhe RF e Gjermanisë – Shqipëri 2-1 – dramë e vërtetë për futbollin gjerman e shkaktuar prej futbollit të një vendi të vogël që ishte Shqipëria jonë. E pra, çfarë është kjo foto? Kjo foto e fiksuar nga tribuna VIP prej shoqëruesit të ekipit tonë, Peter Platzmann, ku gjermanët më kishin caktuar edhe vendin tim si i vetmi gazetar shqiptar i kësaj ndeshjeje, tregon një lojtar të Gjermanisë me emrin HansPeter Briegel, i cili, siç shihet, kryeulët lë fushën e lojës, duke u zëvendësuar nga trajneri Jupp Derwall.

Ishte minuta e 34-t e ndeshjes, e cila ishte mbërthyer në rezultatin 1-1, shkatërrues për gjermanët. Briegel zëvendësohet prej një lojtari 22-vjeçar me emrin “e panjohur” John Otten. Ishte një ndërrim i shpejtë, që megjithatë nuk na bëri assesi përshtypje. Ky ishte një ndërrim kur ndeshja ishte në barazim 1-1, rezultat që nëse nuk ndryshonte, do të shkaktonte eliminimin e dytë sensacional të Gjermanisë prej Kampionatit të Europës, ashtu si 0-0 të 1967-ës.

Kësaj radhe, jo në të mirë të Jugosllavisë, por të Irlandës së Veriut. Siç shihet nga fotoja, të duket se trajneri Jupp Derwall, andej kah e majta, edhe ai me kryeultësinë e tij, sikur po e injoronte Hans-Peter Briegel-in, gati-gati sikur të ishte ky fajtori i këtij barazimi. Gjermania do ta gjente golin e fitores shpëtimtare vetëm në minutën e 79-të nga Strack.

Sot, mbas 40 vjetëve, mua më duhet të qëndroj te ky Briegel. Dhe them: nuk mund të kishte profet a zot, që në këtë ditë të Saarës frankofone të Gjermanisë, mû në kufi me Francën Lindore, të mund të parashikonte se ky Briegel, mbas bukur 20 vjetëve, do të bëhej trajner i kësaj Shqipërie dhe do të debutonte po me një ndeshje të Kampionatit Europian, në atë rast e edicionit të vitit 2004, me një fitore të bujshme 3-1 kundër një prej superfuqive botërore të sportit e të futbollit, që ishte Rusia e ish-Bashkimit Sovjetik.

Hans – Peter Briegel do të bëhej trajner i Shqipërisë, pra, ndonëse vonë – vonë, mbas plot 20 vjetëve, më 2003-shin. Me një ndryshim: ai nuk do të bëhej trajner i Kombëtares së Shqipërisë komuniste, të izoluar, të persekutuar si kjo e vitit 1983, por e një Shqipërie “tjetër”, jo komuniste, por demokratike dhe e lirë si ajo e vitit 2003.

Brigel

Në tribunën e “Ludvigpark”-ut hodha sytë te blloku im i shënimeve dhe pa asnjë emocion të veçantë, në mënyrën më rutinore të gazetarit, pranë emrit Briegel hapa kllapën dhe shënova: Otten. Kjo është historia e futbollit, që dihet, cilësohet si historia më kapriçioze, më përkuese, më befasuese e historisë së njerëzimit…

TRAJNERI I SHQIPËRISË – HANS PETER BRIEGEL

Ai ka mbërritur më 20 dhjetor 2002 dhe papritmas është shfaqur në tribunën e stadiumit “Selman Stërmasi” të Tiranës, për të ndjekur ndeshjen e kampionatit SK Tirana – KS Elbasani 0-0. Do ta trondiste gjendja e keqe e fushës, teksa do të deklaronte: “Në këtë fushë është e vështirë të luash futboll…” Ka mbërritur kështu, afërsisht dy muaj pas ndeshjes së fundit të Dossena-s, Rusia – Shqipëria 4-1 të Vollgogradit të 16 tetorit 2002. Gjithçka ka qenë e disi e rrufeshme, pra pa zhurmë, pa diskutime. Një gjë është: asokohe retorika “përse nuk marrim një trajner gjerman”, në të vërtetë po dëgjohej në disa qarqe të zbehta të futbollit.

ALBANIA GREECE WORLD CUP

Dhe për çudi, brenda dy muajve gjithçka u përforcua. Hans Peter Briegel, i cili kohëve të fundit (1999-2001) kishte stërvitur Besiktas dhe Trabzonspor të Turqisë, duke arritur me skuadrën e Stambollit deri nënkampion të Turqisë, nuk mund të thuhej, megjithatë, se ishte një trajner fort i sprovuar. Në Gjermani ai kishte stërvitur vetëm skuadra të ligave të dyta, një Edenkoben të Regionalliga apo një SG Wattenscheid 09 të Bundeligës B. Dhe vetëm kaq, teksa për çudi, ishte nënpresident aktual i klubit të mirënjohur Kaiserlautern! Dhe ja “fataliteti” i historisë: personalitetin e vërtetë të trajnerit atij do t’ia blatonte Shqipëria modeste, natyrisht, ashtu siç ia kishte blatuar dikur, më 1946, edhe të huajit të parë, jugosllavit Ljubisa Brocic.

Të nesërmen e 21 dhjetorit 2002, Briegel është ulur ndërkaq, në sallën e “Hotel Rogner” të Tiranës, ndërsa presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është ulur në mes të tij dhe të një gjermani tjetër të panjohur për ne, me emrin Axel Ros, i cili do të ishte ndihmësi i Briegel-it. Me këtë “dekor” do të hapej në “Hotel Rogner” të Tiranës konferenca e shtypit e 21 dhjetorit futbollistik plot enigma të asaj stine 2002-2003. – Duke iu uruar suksese, – thotë presidenti Armand Duka, – shpresoj se trajneri i ri i Kombëtares të arrijë të gjejë më të mirën e mundshme me Nacionalen tonë, (siç i tha ai Kombëtares). Mandej firma mbi kontratë prej të dy palëve, gjermanit Briegel dhe presidentit Duka. – Falënderoj presidentin Duka, – thotë Briegel, – për fillimin e kësaj detyre të vështirë, po mjaft interesante. Do të punoj për suksese, edhe sepse dihet që Shqipëria kurrë nuk ka arritur ndonjë kualifikim në këso veprimtarish europiane e botërore. Sigurisht, as unë nuk mund ta them se do ta arrijmë kualifikimin, por ne për këtë do të punojmë.

brigel

55 ditë më vonë, 14 shkurt 2003, në Norcia të Italisë, Hans Peter Briegel do ta vinte emrin e tij pranë Shqipërisë me ndeshjen Shqipëria – Vietnami 5-0. Ishin Strakosha (Beqaj 46’), E.Beqiri, Xhumba (Dede 46’), A.Duro, Haxhi, (Murati 46’), Hasi (Pinari 80’), Bellai, Dragusha (Ahmataj 70’), Shkëmbi, Bushi, Myrtaj (Dobi 72’). Shënojnë Bushi 16’, Myrtaj 21’, 38’, Dragusha 53’, Pinari 86’. Ndonëse pak më parë, në tri ditë të alternuara, 4, 6 dhe 8 shkurt, ai drejton me emrin e saj “të dyshimtë” Kombëtaren B të Shqipërisë po në Norcia, në atë që quhej “Norcia Winter Cup”. Ishin tri ndeshje të rrufeshme: Shqipëria B – Litex 1-1, Shqipëria B – UTA Arad 0-1 dhe Shqipëria B – FC Arges Pitesht 0-0. Prej emrave të kësaj Shqipërie B vetëm dy do të bëheshin titullarë të mirëfilltë në ndeshjet e ardhshme të tij: Elvin Beqiri i Vllaznisë së Shkodrës dhe Ervin Bulku i SK Tiranës.

Kështu pra. Gjermani i famshëm i futbollit, nënkampioni i botës, Hans Peter Briegel, 72 ndeshje dhe 4 gola me Gjermaninë, pjesëmarrës i dy finaleve të Kupës së Botës (1982 dhe 1986), tash “i rrëmbyer” prej Shqipërisë, e kishte filluar me një fitore të thellë, 5-0 për shqiptarët, më e thella në histori pas ndeshjes së parë, asaj 5-0 me Malin e Zi më 1946! Vietnami do të merrej disi me të qeshur në Shqipëri, megjithatë. Vetvetiu të kujtonte Shqipërinë e ashtuquajtur “socialiste”, e cila kishte mbi dhjetë vjet që qe rrëzuar: Kina Popullore, Vietnami heroik, Kuba e patundur, Shqipëria… Gjermani ynë nuk merrej me këto përsiatje të kujtesës sonë të freskët.

Ai kishte një synim ambicioz, për çudi, po me një shtet ish-komunist, por i një futbolli të madh. Ishte Rusia e “Shkodrës” e 29 marsit 2003, teksa mbas ndeshjes së Saarbrucken 1983, ai do të mbërrinte mû në 20-vjetorin e ardhjes së tij të parë në Shqipëri: 30 mars 1983, Shqipëria – RF e Gjermanisë 1-2. Kishte qenë futbollisti gjerman 28-vjeçar me emrin Hans Peter Briegel, i cili pas pak muajve ishte zëvendësuar në minutën e 34-t të ndeshjes së Saarbrucken…

SHKODËR, 29 MARS 2003: SHQIPËRIA – RUSIA 3-1!

Në Shkodër. Këtu nis “revolucioni”. Aty ku 25 vjet dhe 20 vjet më parë kisha përjetuar dy nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të historisë së futbollit shqiptar. Më 13 shtator 1978, në Shkodër, Vllaznia e Shkodrës kishte mundur Austrinë e Vjenës 2-0 për Kupën e Kampioneve të Europës, duke çarë izolimin e viteve ‘70 të futbollit me një fitore të rangut më të lartë europian. 20 vjet më parë, më 1983- shin, Shqipëria e 21-vjeçarëve të Ramazan Rragamit, po këtu në Shkodër, kishte barazuar 1-1 me Gjermaninë e moshës për Kampionatin Europian, çka në fakt pas disa muajve do të shënjonte eliminimin e Gjermanisë së atëhershme të Berti Vogts para syve të Franc Beckenbauer-it, atëbotë ky me cilësinë e gazetarit në tribunë.

shqiperi rusi

Dhe përsëri isha në Shkodër, natyrisht me cilësinë e gazetarit dëshmitar, po për një ngjarje madhore të historisë ndërkombëtare të futbollit shqiptar ku Shqipëria do të fitonte me Rusinë 3-1 po për Kupën e Kombeve të Europës, siç quhej ende asokohe Kampionati Europian. Duke pasur kështu një trajner gjerman. Gjithçka po ndodhte kur sapo kishim hyrë në vitin e 90-vjetorit të ndeshjes së parë zyrtare të futbollit në Shqipëri: 1913-2003.

Fillim i shekullit XX kur Shkodra pati çelë portën e historisë me një shoqëri ushtarake të AustroHungarisë. Kështu, në gjithë këtë kujtesë dhe aktualitet krejt “gjermanik” ngjarjesh të paharrueshme, kam përjetuar së bashku me të tjerët, teksa i lodhur e më së fundi i ulur diku aty pranë një shkalle të stadiumit deri diku modern dhe prapëseprapë me gjysmë force të Shkodrës, përmasat e triumfit të Shqipërisë së “Loro Boriçit”.

3-1 Rusisë, mbifuqisë së futbollit europian, kampione dhe nënkampione e famshme e Europës. E, “tek e vona”, kur me golin shqiptar të Igli Tares, duke u nënshkruar ky 3-1, sytë më kanë mbetur te një gjerman race: te 48-vjeçari Hans-Peter Briegel. Ai ka kërcyer bash si një dekatlonist në mbarim të 1500 metrave të lodhshme, gara e dhjetë e kësaj gare atletike. Ky ishte një gëzim gjermano-shqiptar para syve të fushës së futbollit të një qyteti me ngjarjet e mësipërme për çudi po gjermane, të mëdha, historike, të bujshme, të paharrueshme.

Shqiperi_Rusi_3_1_Tare_ne_aksion_LSA

Pa harruar se ky ishte qyteti shqiptar që kishte numrin më të madh të tifozëve të Gjermanisë së futbollit. Ishte një triumf, natyrisht një triumf joepokal, por thjesht një triumf prej 90 minutash, që ka bërë jehonë në gjithë Europën e futbollit. Ky ishte triumfi i Kombëtares ose Shqipërisë së stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, aktualisht ende një prej qyteteve më të hershme, por ende në vendnumëronë e zhvillimit të tij, edhe pse në Shqipërinë e viteve të asaj që tash e parë ne po i thoshim “demokraci”. Ajo nuk ka qenë një fitore qeveritare me gjithë përmasat deri të një servilizmi që mbështjell shpesh kësisoj ngjarjesh, qeveritarë disi artificialë nën veshjen e tyre me flamur kombëtarë! E vërteta është se Shqipëria ka pasur shpesh fitore qeveritare në futboll, sepse kanë ndodhur që ato i ka mbështetur jo pak shteti, qeveria, cilido që të ketë qenë ky shtet a qeveri.

Kjo e Rusisë ishte e gjitha një fitore e madhe vetëm e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndoshta fitorja më e madhe në historinë e saj. Ishte një triumf, të cilin kjo federatë po e mbërrinte pa ndihmën e shtetit e të qeverisë. Ka thënë që do ta çoj në Shkodër Kombëtaren me Rusinë. Dhe e ka çuar. Ka thënë se do ta çoj atje, sepse atje mund të fitohet. Dhe ka fituar. Ka thënë se Shkodra ndonëse në gjendje të keqe, ka ende forca shpirtërore për të organizuar e për të mirëpritur. Dhe kjo e ka organizuar dhe e ka mirëpritur. Ka thënë se ai popull e meriton.

Dhe ia ka blatuar meritën. Ka marrë përsipër që përmes barakave të një tregu me teneqe përreth, çuditërisht të sendërtojë për ato 90 minuta një Europë moderne të futbollit. Dhe e ka ndërtuar nën përmasat e një fitoreje 3-1 ndaj njërit prej më të mëdhenjve të Europës, Rusisë gjigante edhe në sport. Të dukej se emri i gjithë kësaj ishte vetëm një: presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ai i cili mbasi ia “tradhtuan” trajnerin e parë të huaj me emrin Bepe Dossena, ai vuri veton. Dhe 3-1 Shqipëria, Rusisë.

Presidenti i paharrueshëm i Vllaznisë, Myftar Çela, ishte njeriu nr. 2 i këtij sendërtimi, ai i cili kishte çuditur Shqipërinë kur para kohe kishte thënë se Rusia do të luajë në Shkodër. Klubi i Futbollit Vllaznia ishte objekti numër 3 i këtij sendërtimi që mori përsipër ngjarjen e madhe. Pak a shumë kështu pata shkruar në atë vit 2003. Dhe vijmë te skeda historike e ndeshjes:

SHQIPËRIA – RUSIA 3-1

Shkodër, 29 mars 2003. St. kombëtar “Loro Boriçi”.

GOLAT: Rraklli 20’, Karyaka 77’, Lala 79’, Tare 82’. SHQIPËRIA: Strakosha, E.Beqiri, G.Çipi, A.Aliaj, Lala, Hasi, K.Duro, Skela, (Dede), Murati (Bellai 67’), Tare, Rraklli, (Myrtaj 70’). TRAJNER: Hans-Peter Briegel.

RUSIA: Ovchinmikov, Nizhegorodov, Ignashevich, Smertin (Yanovsky 72’), Semak, Berezutskiy, Aldomin, Gussev (Berschastnykh 54’), Tochilin (Karyaka 46’), Loskov, Kerzhanov. TRAJNER: Valery Gazzaev.

GJYQTAR: P. Allaerts (Belgjika). SHIKUES: 14.000.

Gjithçka kishte qenë një triumf tejet i shkurtër, megjithatë. Vetëm 90 minuta. Një 90- minutësh i gjithi flakë dhe i përmasave jashtë natyrës së futbollit shqiptar. Klodian Duro i papërmbajtshëm, humbet 11-metërshin (17’). Mandej publiku. Dhe tre minuta më vonë Rraklli e çon Shqipërinë në kryesimin 1-0! Kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Për herë të parë në historinë e Kombëtares një publik e kishte përkrahur atë në orë të vështira. Kjo ngjau me Shqipërinë në “Loro Boriçi”. Kjo ishte Shkodra. Mandej vetë djemtë. Në të vërtetë Karyaka e shndërron 1-1, por publiku nuk hesht. Dhe 2- 1 Altin Lala, vetëm 1.68, i cili peshon sa një skuadër e tërë. Ia ka rregulluar Florian Myrtaj “i fundit” i mohikanëve të Vlorës në këtë 11-sh historik: G.Çipi, Aliaj, Skela.

Simfoni e Jugut të Shqipërisë po aq sa edhe të Shqipërisë së “Loro Boriçit” tingujt solemn të së cilës ndalen te tribuna e harkut përtej rrjetës, që ende valëzon, të Sergey Ovchnmikov-it. Dhe Lala, tash i vetëm, përmes kthesave të habitshme deri në “fortissimo” e shndërron gjithçka në 2-1! Këtu merr fund Rusia, uragani i Vollogogradit.

shqipppp

Dhe prapë Myrtaj, kësaj radhe nga e majta, lehtësisht madje, dhe trimërisht midis tre rusëve, përqendrim për Taren, goditje me krye e fuqishme, shpëtim i topit prej duarve të gjata të rusit dhe aty këmba e tejzgjatur e profesionistit tonë nga Seria A e Italisë dhe 3-1! Tare, ai, i cili sot është një ndër drejtorët autoritarë të një klubi të futbollit – ndër më të rëndësishmit në Itali. Kishte ndodhur një çudi botërore e futbollit: brenda 5 minutave ishin shënuar 3 gola: 77’, 79’, 82’! Dy të fundit ishin gola përmbysës për Shqipërinë. Rusia e pathyeshme e Vollgogradit heroik ishte përmbysur në Shkodrën, edhe kjo e një historie heroike mbi 2500-vjeçare.

APOTEOZA E TRIUMFIT TË SHQIPËRISË SË “LORO BORIÇIT”

Kështu e pata titulluar diku. Ajo qe Shqipëria e “Loro Boriçit”. E fortë, taktike, kolektive, befasuese, golshënuese, shpirtmadhe, modeste, gëzimplote, fitimtare! Ndonëse, siç e pata thënë një herë, “e mjera ajo”. Sepse papritmas ishte pretendente për herë të tretë. Për herë të parë kishte qenë më 1984, Belgjikë 2-0. Për herë të dytë më 1997, Gjermani 4-3 dhe Norvegji 2-2. Kjo ishte për herë të tretë. Pa fatalitete. E bukura sapo kishte mbërritur.

Gonxhja e drandofilles papritmas sapo kishte çelë në Shkodrën e luleve, sot pa lule. Më pas buqeta do të mbërrinte në Tiranë në një stadium, i cili nuk mbante emrin e një futbollisti të madh, por të një heroi të Luftës, “Qemal Stafa” – stadium, i cili kishte pasur fat të madh vetëm një herë më 1946, Shqipëria – kampione e Ballkanit. Midis emrit të futbollistit Loro Boriçi dhe të dëshmorit Qemal Stafa, të cilët i bashkonte në histori gjimnazi i Shkodrës, sa ka afërsi po aq ka dhe largësi. Sot, tregtarët politikanë e shuan si stadiumin si emrin e Qemal Stafës, duke mbetur vetëm Loro Boriçi i madh, të cilin, merret me mend se nuk ua mban ta shuajnë.

Kjo do të ishte si të guxoje të shuaje vetë Shkodrën e qytetarinë e saj. Ku qenë meritat e trajnerit gjerman HansPeter Briegel? Ju kujtoj se Shqipëria e së shtunës së 29 marsit 2003 ka fituar me një formacion “të vjetër” të saj: mbi 28 vjeç mosha mesatare. Por çuditërisht ajo ka fituar edhe me një formacion të ri. Nuk ka qenë Bushi. Nuk ka qenë Fakaj. Nuk ka qenë Haxhi. Nuk ka qenë Xhumba. Nuk ka qenë Fatmir Vata. Nuk ka qenë Sina. Të gjithë këta të ndeshjes së Vollgogradit. Ka qenë Elvin Beqiri. Ka qenë Ardian Aliaj. Ka qenë Ervin Skela. Dhe ka qenë dhe Arian Bellai e Nevil Dede. Dhe me ta, poshtë tyre dhe mbi ta, ka qenë dhe Shqipëria e “Loro Boriçit” e mbajtur në pëllëmbë të dorës për 90 minuta falë Shkodrës, “qytetit të futbollit”.

Dhe? Është ajo që sot të duket çudia e çudive: plot 12 lojtarë të Shqipërisë vinin nga kampionati i saj kombëtar. Një etnografi që sot është zhdukur. Shqipëria po bën vite që ka humbur farishten e talenteve, të cilat dalin prej tokës së saj. Ndoshta vetëm në këtë rast mund të mendonim një revolucion të dytë, atë të ndërtimit të Kombëtares me kombëtaras të këtushëm. Ky është një mësim i madh që e vë mbi një tabaka të artë ky 20-vjetor i “revolucionit” të Kombëtares. Dhe i kthehem triumfit të këtij “revolucioni” të 20 vjetëve më parë.

Nuk ka qenë as Beppe Dossena. Ka qenë Hans-Peter Briegel dhe ndihmësit e tij, një gjerman tjetër me emrin Alex Ross dhe një shqiptar me emrin Vladimir Ajazi. Dhe e gjithë Federata e Futbollit, Klubi Vllaznia dhe 14.000 shkodranë të fuqishëm si vetë ndeshja e djemve shqiptarë të gjermanit HansPeter Briegel. Dhe 3-1 Shqipëria, Rusisë! Rrallë kam parë një skuadër kombëtare të Shqipërisë që nuk u trondit edhe kur topat e tmerrshëm flakërinin para syve të Strakoshës. Kjo qe risia e madhe. Skuadra kalon nga dështimi në triumf, prapë në dështim dhe mandej përfundimisht në triumf, pa i luajtur qerpiku i syrit. Edhe kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

A ishte e gjitha kjo një trimëri gjermane apo shqiptare, forcë teutone apo guxim arbnor, fatmadh gjerman apo dinakëri shqiptare, prepotencë e tipit Bayern apo arrogancë e llojit europiano-jugor, këtë nuk e di. Di vetëm kaq: te shqiptarët e mi kam ndier forcën e mendve të futbollit më fort se asnjëherë tjetër, kam përjetuar maturinë e profesionistëve të Europës dhe kam prekur një triumf të madh, triumfin e Shqipërisë së “Loro Boriçit”. E, për pak sa nuk më shpëtoi pa e thënë: për herë të parë Shqipëria nuk u lodh. Në dukje të jashtme ajo ishte një Shqipëri sulmuese.

Aty mungonin mbrojtësit. Madje të tillë të mirëfilltë pati më pak se asnjëherë në historinë e Kombëtares. Qenë vetëm 4: Strakosha, Çipi, Beqiri, Aliaj. Të tjerët nuk qenë mbrojtës, por mesfushorë e sulmues. Kjo skuadër fitoi me kundërsulmin tipik të kësaj treve dhe u mbrojt jo përherë, por vetëm në çastin e vet të artë. Dhe vetëm kaq. Ose “vetëm” 3-1! Përmbledhtazi pata përcaktuar se:

* Shqipëria luajti dhe fitoi në Shkodër përsëri mbas 57 vjetëve: 22.09.1946, Shqipëria – Mali i Zi 5-0.

* Shqipëria nuk kishte fituar një garë për Europianin qysh më 09.10.1999, Gjeorgjia – Shqipëria 2-1 në Tiranë.

* Në ditën e ndeshjes me Rusinë portieri Strakosha mbushi 38 vjeç – rekord absolut moshe në Kombëtaren e Shqipërisë për një lojtar të sajin.

* Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë me një trajner të huaj në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Europës dhe të Botës: gjermani HansPeter Briegel.

* Plot 5 lojtarë të Shqipërisë të asaj të shtune, kishin luajtur ose luanin në Gjermaninë e Briegel-it: Lala (Hannover ‘96), Skela (Eintracht F.), Murati (Fortuna D.), Tare (Fortuna D.K’slautern, Karlsrue), Rraklli (Freiburg, U’haching).

* Kundër një skuadre të çfarëdolloji të Rusisë ky 3-1 përbën fitoren e parë dhe të vetme absolute në kohëra. Aq sa të dukej se kjo fitore e bujshme ishte revanshi i humbjes katastrofike të Vllaznisë 0-9 prej Spartakut të Moskës në Shkodër më 4 nëntor 1951. Humbje kaq e thellë e dërrmuese, siç më ka treguar tash vonë i mirënjohuri Esat Bushati – një nga titullarët e Vllaznisë në atë ndeshje – ka ndodhur pas një mbledhjeje paraprake, disi kërcënuese madje, me futbollistët shkodranë – një pjesë e të cilëve vinin nga familje të persekutuara. Ata u porositën thuajse nën kërcënim që të mos guxonin të dëmtonin me lojë të rëndë lojtarët moskovitë, plot 5 prej të cilëve ishin legjendarë të kombëtares së Bashkimit Sovjetik: Tishçenko, Netto, Paramanov, Simonian, Diementiev!

Dhe i kthehemi temës sonë. Mbas katër ditëve, 2 prill 2003, do të ishte ndarja “e përjetshme”, ose bashkimi përfundimtar i këtyre dy Shqipërive të futbollit, asaj “Loro Boriçi” dhe kësaj “Qemal Stafa”. I pari ka qenë njeriu simbol i Shqipërisë së tij të futbollit: Loro Boriçi. I dyti ka rënë në luftën e rezistencës antifashiste: Qemal Stafa.

Dukej si vështirë se ngjarjet e këtyre stadiumeve mund të bashkoheshin. E megjithatë ata mund t’i bashkonte forca e provës së madhe, sepse i pari synonte të verifikohej tek i dyti. Ose e thënë më qartë: fitorja e bujshme, mbareuropiane me Rusinë synonte të konfirmohej me atë perëndimore të të dytit. Ajo do të ishte Shqipëria – Republika e Irlandës 0-0 e 2 prillit 2003 e “Qemal Stafës”. Jo fitore “boriçiane”, por barazim më se dinjitoz i jashtë-Shkodrës.

PËRSE KJO KUJTESË E KËTIJ 20-VJETORI?

“Revolucioni” kishte nisur tashmë. 29 mars 2003. Midis entuziazmit “nacionalist” të një ndeshje të Shkodrës, ky “revolucion” tronditi gjithë qytetet e Shqipërisë e të Kosovës dhe bëri bujë në krejt Europën. Ishte 20 vjet më parë. Përse pra, kjo kujtesë e këtij 20-vjetori? Dikush mund të përgjigjet për shkak se plot 20 vjet më parë nisi “revolucioni” i Kombëtares së Shqipërisë. Ishte “revolucioni” i kthesës së madhe të Kombëtares, por ishte dhe “revolucioni” më kundërkonservator që ajo kishte njohur ndonjëherë: këtu, në këtë ditë, që po e quaj edhe të “Rusisë”, plot 20 vjet Shqipëria deri sot e kësaj dite vetëm me trajnerë të huaj!

Radhazi në ardhje ata janë: Giusseppe DOSSENA, Hans-Peter BRIEGEL, Otto BARIC, Arie HAAN, Josip KUZE, Gianni DE BIASI, Christian PANUCCI, Edoardo REJA. (Nuk përfshihen këtu tri rastet emergjente të trajnerëve Ervin Bulku, Zlavko Kovacic dhe Dzemal Mustedanagic). Dhe veçoj dy emra: Hans-Peter Briegel që e ndezi “revolucionin” dhe Gianni de Biasi i cili e shoi “revolucionin”, duke e flakur tej dhe duke themeluar sigurinë e një Shqipërie të vërtetë europiane deri në kulminacionin e finaleve të “EURO 2016”.

“Shqipëria Europiane e Gianni de Biasi-t”, siç e kam titulluar librin tim të fundit. Nuk ka më revolucione, dihet. Ata ndodhin për të mposhtur një regjim të tejkaluar, dhe për të krijuar një regjim tjetër, që nuk duhet të jetë regjim. Sigurisht, Shqipëria e vogël, nuk besoj se mund të bëjë një Kombëtare të madhe. Ajo vetëm mund të ruajë thjesht vlerat e një revolucioni të shkuar, për të mbetur gjithnjë po europiane. Edhe pse krejt papritmas sapo ia kemi dorëzuar këtë Shqipëri një joeuropiani, por një braziliani, që vjen prej atje, tej Oqeanit: Sylvio Mendes de Campos Junio, i mbiquajtur SYLVINHO. Si për çudi të duket se këtu qëndron dhe festimi i “revolucionit” të 20 vjetëve më parë. Nga një trajner prej Gjermanisë Botërore te një trajner prej Brazilit po Botëror.

Tashmë nuk guxoj të them se “revolucioni” vazhdon. As se revolucioni marshon. As se mund të kemi një “revolucion permanent”. Ajo që mund të them është kjo: nuk ka më revolucion, por duhet të ketë gjithnjë evolucion. Evolucioni i vazhdueshëm që përmban vetë sporti e sidomos futbolli në shoqërinë njerëzore. Evolucioni që të çon te progresi që në shqip i thonë rritje.

Dhe po e mbyll me “faleminderit Hans”, siç ka qenë titulli i editorialit që i pata kushtuar lamtumirës nga Shqipëria të Hans-Peter Briegel-it. Ishte njeriu, i cili vendosi themelin e modernizimit të Kombëtares së Shqipërisë. FUND

* Për vazhdimësi shih pjesën e parë në “Panorama Sport”, 16 mars 2023.

20 vjet më parë niste “revolucioni” i Kombëtares…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"