20 vjet më parë niste “revolucioni” i Kombëtares…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2023 | 21:49

20 vjet më parë niste “revolucioni” i Kombëtares…

NGA BESNIK DIZDARI
PROLOG PËR TE 20-VJETORI
Është ky hark kohor: viti 2003 – viti 2023. Është një “revolucion” që nisi më 2003-shin. Shpërthimi i takon një dite: Shkodër, 29 mars 2003. Plot 20 vjet më parë. Nuk ka qenë si marrja e “Pallatit të Dimrit”. Ky ishte një “revolucion” i muajit mars, jo i muajit tetor. Ndonëse përpjekjet e para për këtë marrje, nisnin mû në një muaj tetor, që për një çast të dukej një ditë fatale e historisë: 16 tetor! Jo tetor 1908, por 16 tetor i futbollit 2002. Ishte një shkatërrim. Thjesht një shkatërrim futbollistik, që do të ndodhte në një qytet të jashtëzakonshëm të historisë botërore: Stalingrad, më parë i Bashkimit Sovjetik-tash Vollgograd i Rusisë. Dhe Rusia – Shqipëria 4-1. Ndeshje e Kampionatit Europian 2004.

RUSIA - SHQIPËRIA 4-1. Një çast nga ndeshja me Edvin Muratin në ballë të fotos

RUSIA – SHQIPËRIA 4-1. Një çast nga ndeshja me Edvin Muratin në ballë të fotos

E, meqë u nis me këtë figurë apo metaforë, për të mbërritur te “marrja e Pallatit të Dimrit” prej shqiptarëve, kjo do të ndodhte mbas 5 muajve: 29 mars 2003. Kjo është data, të cilën asnjëherë nuk e kemi quajtur një datë historike të fillimit të “revolucionit” futbollistik prej Kombëtares së Shqipërisë. Këtë po e përcaktojmë dhe po e “festojmë” sot mbas 20 vjetëve. Me synimin për ta sanksionuar në histori si datën apo ditën e fillimit të ndryshimit të madh të Kombëtares së Shqipërisë. Një ndryshim i vështirë, përmbysës, sportiv, social, madje gjeopolitik, që çuditërisht do të ngrihej mbi “shkatërrimin” prej humbjes 1-4 në Stalingrad/Vollgogradin historik.

Vetëm mbas atij 16 tetori 2002, do të vinte rindërtimi madhështor i 29 marsit 2003. Do të ishte fitorja e bujshme 3-1 e Shqipërisë kundër një superfuqie sportive e futbollistike të përbotshme që ishte Rusia, deri para pak kohësh, sovjetike.

Më tha mendja ta përkujtoj, ta rishkruaj, ta bashkoj këtë histori që na çoi tek ajo ditë “revolucionare” e futbollit. Regjisori apo drejtuesi i madh ka këtë emër: Hans-Peter Briegel. Gjerman. Kampion i Europës 1980. Dhe trajner i Shqipërisë 2003.

Atë ditë të marsit të fillimit të “revolucionit”, Shqipëria vinte te Hans-Peter Briegel, mbasi kishte zhvilluar katër ndeshje e drejtuar për herë të parë pas 49 vjetëve prej një trajneri të huaj: 1953: Shqipëria – Polonia, 2- 0, e trajnerit hungarez të Shqipërisë me emrin Miklos Vadas. Tash do të ishte një italian: Giuseppe Dossena. Kampion i botës 1982. Dhe trajner i Shqipërisë më 2002-shin.

Në njëfarë mënyre edhe aventura e tij e rrufeshme do të duhej pranuar si pjesë e këtij “revolucioni” futbollistik të Kombëtares së Shqipërisë, thjesht ngaqë mbas afër 50 vjetëve Shqipëria kundëreuropiane, kundërkapitaliste, kundërrevizioniste, po i përulej një trajneri të huaj.

STALINGRADI/VOLLGOGRADI I RUSISË 2002
Gjithçka do të niste me “shkatërrimin” në Vollgograd. Natyrisht një “shkatërrim” përmes futbollit. Kësisoj, po u kthehem kujtimeve apo arkivit të shkrimeve, çka te një gazetar i vjetër nuk shuhen asnjëherë. Po i kthehem me synimin për të “monumentalizuar” sadopak për herë të parë këtë 20-vjetor, që papritmas, po në një muaj mars të tashëm, lartësohet me “rrëmbimin” e Kombëtares së Shqipërisë prej një trajneri nga Brazili legjendar i futbollit: Sylvio Mendes Campos Júnior, i mbiquajtur Sylvinho. Ky është njeriu që po nis dhjetëvjetëshin e tretë të Kombëtares së Shqipërisë, e drejtuar, pa asnjë ndalesë, vetëm prej trajnerëve të huaj.

Por jemi te Vollgograd 2002.

Gjithçka përmblidhet në tri ditë: saktësisht 14-16 tetor 2002. Kur së bashku me të paharrueshmin Veli Rada dhe tre kolegët e tjerë, Ahmet Shqarri, Fredi Mane e Adnan Hyka kemi qenë në ndeshjen e Vollgogradit, të humbur 4-1.

Ishte një përvojë e rrallë gazetarie. Kësisoj, për brezin tonë, që të paktën gjimnazin dhe jo pak edhe fakultetin, i kemi mbaruar duke pasur ndër duar librat e arsimit të Bashkimit Sovjetik, një vizitë për herë të parë, tash në Rusinë drejt demokracisë, gjithçka na dukej edhe si një rikthim te një e kaluar.

Kombëtaren e Shqipërisë së vogël po e priste Vollgogradi me 1.2 milionë banorë mû në Bregun e Vollgës. I themeluar më 1589, me emrin Caricin, deri më 1925 dhe të cilin Pjetri i Madh e shkeli tri herë; me emrin Stalingrad deri më 1961-shin, ndonëse Stalini e shkeli vetëm një herë, më 1918, kur jetoi e punoi për do kohë së bashku me bashkatdhetarin e tij gjeorgjian, Grigorij Ordzonikidze – komisar i popullit për industrinë e rëndë të BRSS-së.

Ky është qyteti, i cili, mbi gjithçka, nëpërmendet me Betejën e Stalingradit. Dhe Kombëtarja e Shqipërisë që po na mundësonte ta preknim atë. E, ai do të ishte vërtet befasues. Rrugët e gjera, gjelbërimi, pastërtia, mirësjellja, butësia, një kulturë tjetër e vetë jetës me vështirësitë jo të pakta, etja për ndryshim, çuditërisht pa u shkëputur për asnjë çast nga historia e së kaluarës, qenë po aq mbresëlënëse. Sidomos për ne që e kishim njohjen jo të paktë, ndonëse pa prekur deri në atë mars 2002 asgjë drejtpërsëdrejti.

VOLLGOGRAD 2002. Nga e majta: gazetarët Alfred Mane, Besnik Dizdari, Ahmet Shqarri, para një ndërtese të shkatërruar në Betejën e Stalingradit 1942

VOLLGOGRAD 2002. Nga e majta: gazetarët Alfred Mane, Besnik Dizdari, Ahmet Shqarri, para një ndërtese të shkatërruar në Betejën e Stalingradit 1942

Një pleksje e stilit sovjetik me atë rus, ndërtesat e regjimit, Prospekti Lenin me statujën e tij deri në qiell; polici i rreptë dhe ushtari i vëmendshëm pranë tij; GUM-i i dikurshëm, me shumë sektorë të tregut të kohës; thënia e Stalinit: “Stalingradi ishte fundi i ushtrisë gjermano-fashiste”, e skalitur mbi lapidarin gjigant para Muzeumit “Panorama” të Betejës së Stalingradit; vajzat dhe gratë të veshura me shije e elegancë; kioska e gazetave, solide prej druri, stil i viteve ‘50, por e lyer me bojë njëqind herë; gjethet e dimrit të parë rus në të argjendtën e tyre që mbulonin rrugët e pastra në mëngjesin e ftohtë nën një shi të butë, që bën të shkëlqejë edhe më fort asfalti dhe trotuaret e gjera deri në një lirshmëri të pamatë-të gjitha këto, vetvetiu na çonin te pamjet e filmave të jetës sovjetike, që mbushnin kinematë tona të viteve ’50.

Ndërkaq, duke qëndruar në dëshirat e profesionit tonë të gazetarit, bie fjala, “Komsomolskaja Pravda”, “Sovjetskij Sport”, “Ogonjok” që kishin ruajtur titujt, sipas tyre “për të mos larguar lexuesin tradicional”, po aq të befasonin me ndryshimin e ri në përmbajtje e formë. Çfarë veç një lexues i hershëm i tyre si puna ime, e ndiente. Përparësia e informacionit, zhanri gazetaresk deri në larmi, raporti i drejtë i kombëtares me ndërkombëtaren, stili i ri i reklamës dhe shndërrimi në botime shumëfaqëshe, eleganca perëndimore e përftuar në baraspeshë me stilin tradicional rus të shtypit, ishte vërtet interesante, po aq sa e çuditshme e kundërshtuese. E kam fjalën për tirazhet, ku ai i gazetës së vjetër sportive “Sovjetskij Sport”, që dilte qysh nga 1924-ta dhe që ne nxitonim dyzet e sa vjet më parë ta blinim te “Libri Sovjetik” i Tiranës, ndërsa tash kishte rënë në vetëm 125.000 kopje, kurse ai i simotrës së tij të re, “Sport Express”, arrinte në 650.000; kur ndërsa e përmuajshmja “Ogonjok”, që dilte qysh më 1899, kishte vetëm 50.000 kopje, e përjavshmja e re “Argumenti i Fakti” kishte 2.9 milionë kopje, teksa e katërhershmja në javë, “Komsomolskaja Pravda”, e lindur më 1925, kishte bukur 800.000 kopje!

Kur mbërrinim te sporti, Vollgogradi do të na befasonte edhe më. Natyrisht stadiumet kishin ruajtur madhështinë e tyre tipike sovjetike. Hyrja “kështjellare” në to, tribunat e përmasave, kabina e shtypit disi e ngjashme me atë të stadiumit tonë “Dinamo” dikur, ende “arkaike”, fusha e mrekullueshme, botimi i shkëlqyeshëm i posaçëm për ndeshjen tonë, ekzekutimi i himnit kombëtar të Rusisë i kënduar nga një bariton drejtpërsëdrejti në fushë, dhe mbi të gjithë, spektatori i papërmbajtshëm, aspak fyes, por vetëm me thirrjen “Rusia! Rusia!” si një ushtimë jehuese deri në qiell, do të përmblidhnin 24 orë më vonë, pamjen tjetër të Vollgogradit, “qytetit të shpirtit të jugut” siç na thoshte Jevgenij, një mjek fshati, i cili ngrihet në këmbë i befasuar kur i them se studentët e fakultetit të shkencave në Shqipëri kanë dhënë provim Kiminë e Glinkës, po ashtu si dhe ai.

Rusia është, ndërkaq, gjigante edhe në sport pra, ashtu si vetë sipërfaqja e saj prej 17 milionë km2 dhe popullsia prej 148 milionë banorësh. Natyrisht, mbase as kjo nuk i trembte futbollistët shqiptarë, të cilët e dinin se në fushë luhej 11 kundër 11-ëve. Por pësimi do të ishte i tillë sikur donte të të shtypte me shifrat disproporcionale të popullsisë. Davidi kundër Goliadhit!

Nuk mund ta harroj pësimin e skuadrës sonë nën ritmikën ruse deri një vrull dërrmues, që u shfaq nën një 4-1 të një force të shumëfishtë. E shpaloste trajneri i ri Valerij Georgieviç Gazzaiev i një fytyre joruse – ai ishte nga Osetia – i mbështetur me forcën e talenteve të pashterueshme të futbollit sovjeto-rus, një stil krejt i panjohur për futbollistët shqiptarë, të cilët me gjithë pjesën e parë të mrekullueshme që bënë, të hutuar mbas golit të dytë, nuk e morën më veten. Dhe trajnerit Dossena nuk do t’i mbetej gjë tjetër, veçse “të kënaqej” me 4-1, madje duke hequr dorë nga çdo ambicie baraspeshe, në fund i detyruar të synonte vetëm ndalimin e katastrofës.

Do ta përimtoj edhe pak më poshtë.

RUSIA 2002 – E PASHKËPUTSHME NGA BASHKIMI SOVJETIK
Sidomos në histori. Ndërkaq, mbërritjen në aeroportin me ngjyrë ushtarake dhe të një mjedisi gati si të Luftës së Dytë dhe qëndrimi mbi dy orë për procedurat e hyrjes, si dhe largimin me katër orë të tjera gozhdimi po të atyshëm në nisje, kësaj radhe, jo vetëm për shkak të Rusisë, por jo pak edhe të Shqipërisë, do të ishin vërtet “mbresëlënëse”.

Përjetimet këtu qenë gjithnjë e më befasuese. Hija sovjetike endej mbi Vollgën e përhimët, ashtu të gjerë e të qetë, nën retë po të përhimëta, që shtriheshin mbi kryet tonë, dhe zgjateshin përtej fushës, deri në skajin e pafund të një horizonti, i cili puthej me fushën në një pafundësi marramendëse.

Por shteti apo qeveria ndërkaq, aty ishte, ai që ndër ne ende mungonte 20 vjet më parë, e që për fat, na mungon për së mbari ende edhe sot, duke mbetur jo pak i diskutueshëm edhe në këtë jubile të rrallë 20-vjeçar të futbollit. Dhe? Rregulli deri në fanatizëm! Trolejbusi, autobusi, furgoni urban kishin një “punësim” të përkryer në pandalshmërinë e tyre. Fjalët ishin të pakta. Lokalet, restorantet, baret e deri tek “Italjanskaja Pizza”, që të dukej si një ishull europian në mes të gjithë këtij deti rus, apo dhe deri magazinat e reja moderne të elektronikës, që të shtynin të përjetoje prapëseprapë, të veçantën ruse, të një qetësie vërtet të çuditshme. Me njohuritë jo të pakta që ka brezi im për këtë vend, për një çast si në një hipnozë, prapë ndieje se ishe kthyer në vendin e Revolucionit, ku gjithçka ishte si më parë. E po aq vëreje se Revolucioni tashmë kishte marrë fund dhe diçka tjetër po ngrihej mbi të, veçse pa kërkuar askush të fshinte gjurmët e Revolucionit. Ndërsa ne as që na shkonte ndër mend se mbas pak muajve do të përjetonim “revolucionin” tonë, që do të ishte thjesht futbollistik.

Në Vollgograd përjetova një histori të madhe. Ky qytet i shtrirë në 80 kilometra gjatësi të dukej se nuk mbaronte kurrë. Dhe ajo çka ka ndodhur në Stalingrad, menjëherë mbas vitit 1945, në një vështrim tjetër është po aq heroike sa vetë Beteja e Stalingradit. Në një kohë rekord, brenda një afati shumë të shkurtër, për herë të parë në vetë praktikën botërore, është ngritur i famshmi GES i Vollgës, më i fuqishmi hidroelektrostacion i Europës. Mandej kanali gjigant Vollga-Don dhe rrufeshëm merr vrull industria kimike, industria e metalurgjisë me ngjyra, nxjerrja e naftës dhe e gazit dhe qyteti me një sipërfaqe gati sa gjysma e Shqipërisë (14.000 km2 ) – një nga qytetet më të shtrirë në gjithë botën – rindërtohet nga e para.

Duke ecur shëtitoreve të tij të gjera, e ndieje se përveç të tjerave, ke të bësh me një qytet shumëkombësh, nga rusët e deri te kalmukët. Tri universitete shtetërore, katër akademi, muze planetar, i veprave të artit, kulturë që e përjeton edhe nga fytyra intelektuale e banorëve të qytetit, me shkencëtarë e artistë të shquar, kompozitorë e këngëtarë të mëdhenj, kozmonautë, shkrimtarë e poetë. Por gradualisht ndieje edhe kontrastet e jetës. Rroga të vogla. 70 dollarë në muaj për një mjek që shkon prej 22 vjetësh të punojë në fshat, të bënin të përjetoje edhe dramën e këtij populli të madh, i cili luftën për jetën, me gjithë bindjen e tij, përpiqej ta fitonte po me mënyrat e tij. Si dhe shqiptarët e vitit 2002 apo edhe si këta të vitit 2023?…

Kur i afrohej stadiumit “Traktor”, ku luajtën 21-vjeçarët e Shqipërisë, rreth 25 kilometra larg qendrës së qytetit, vetvetiu ndieje se po përshkoheshe në një qendër industriale tipike të socializmit, teksa anës oxhaqe të vjetra gjigante, tymosin deri në qiell, çka gjithsesi, të bindte se punohej. Ndërkohë që përjetimi ishte disi tjetër. Këtu publiku dukej që ishte i zonës dhe binte mbase një shkallë diçka më poshtë në kulturën sportive dhe në larminë e tij e vetëqëndrimin në stadium. Na dukej kësisoj edhe ngaqë binte një shi i ftohtë, temperatura vetëm 5 gradë mbi zero, ndërsa mjedisi rreth tribunave të tij të ulëta, ishte disi tjetër, si të thuash i krahinës.

Para ndeshjes ne kishim përjetuar muzeun madhështor të Betejës së Stalingradit, i mbaruar në fillim të viteve ’80 dhe vizita në të, prapë ishte përjetim i Luftës së Dytë dhe i betejës legjendare. Kjo ishte krenaria e vollgogradasve prej së cilës ata nuk shkëputeshin për asnjë çast. Një grupi nxënësish u kthehej thuajse në orë mësimi tregimi autoritar i cicerones, teksa i shtangte ata. Muzeu ishte i lartë dhe gradualisht – nëse ti je i dhënë sadopak mbas historisë – në ndriçimin e tij si të mugët, brenda disa çastesh ai të bënte të përjetoje gjithë tragjedinë e kësaj Beteje vendimtare të Luftës së Dytë, gjurma e vetme e jashtme e së cilës ishte një ndërtesë e lënë aty pranë ashtu siç ishte shkatërruar nga bombardimet më 1942-shin. Çka e keni bashkangjitur në këtë shkrim. Kështu, mbasi ke përjetuar kronologjinë e Betejës, nga fillimi, nga tmerri i sulmit, ikja në panik e popullatës, e më pas vetëpërmbajtjes e organizimit, mbasi je përshkuar përmes episodeve më kulminante; mbasi ke prekur me sy fare pranë kapota kolonelësh e gjeneralësh të bërë shoshë nga predhat e Rajhut, mbasi e ke prekur me dorë heroizmin gjigant; dhe mbasi ke blerë filmin më të fundit “Stalingrad” të regjisorit të famshëm Juri Ozerov, autor i filmit shqiptarosovjetik “Fortuna”; dhe në fund, mbasi ke përjetuar shkatërrimin e plotë të qytetit dhe je ngjitur në katin e lartë, befasia është e papërshkrueshme. Ndodhesh në qendër të një pikture murale gjigante të Betejës, të shtrirë nga të gjitha anët dhe në bazë të saj rreth e qark është fronti autentik i luftës, butafori e gjallë me dheun, me transhetë, me mbeturinat e armëve, predhave e helmetave të luftës, autentike të gjitha këto, teksa ndieje shijen e barutit të vërtetë!

Kësisoj, përjetimi bëhej më realist se kurrë! Portretet me përmasat fizike natyrale të Stalinit, marshallëve e gjeneralëve legjendarë Zhukov, Timoshenko, Rokosovski, Koniev, të dukeshin të gjallë ashtu, rresht pranë njëritjetrit. Beteja e Stalingradit, në njëfarë mënyre, është peng i vetë jetës së banorëve të sotëm të Vollgogradit. Mamajev Kurgan, kodra më e lartë e fushës, është simboli tjetër i Betejës, e cila mban në lartësinë e saj sallën e Lavdisë Luftarake me të gjithë heronjtë e vet. Nuk mund të mbetet banor i Vollgogradit pa e shkelur atë si në një Mekë të Shenjtë. Beteja e Stalingradit përjetohet si krenari e epokave.

Mbas gjithë këtij përshkrimi të një historie gati legjendare, papritmas, sot mbas 20 vjetëve, teksa përjeton sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, të duket se gjithçka rishkrove e rikujtove nuk ka të bëjë aspak me egërsinë e Rusisë së sotme nënshkruar prej Vladimir Putinit 2022-‘23. Një nazizëm i ri, që ka harruar se çka qe për popullin e madh rus nazizmi, i cili shkatërroi Stalingradin. Dhe jo vetëm atë…

…DHE RUSIA – SHQIPËRIA 4-1?
Dhe ja ku mbërrijmë te futbolli, te ndeshja, në “Centralnij Rotor Stadium” të Vollgoradit, ku rrufeshëm do të na e ndalte frymën goli po i rrufeshëm i Kerzhakovit të Rusisë qysh në minutën e 3-të. E mbasi ende nuk je shkëputur nga ajo çka ke parë në Muzeum, të dukej se Beteja e Stalingradit vazhdonte në stadium me sportin, me futbollin!

E gati-gati të pushtonte terminologjia luftarake.

Gazeta ruse, “Sport Ekspress”, mbushte faqen e saj me një titull kubik dhe një foto të madhe të trajnerit Dossena: “Shqipëria synon 5-0!”. Dhe me nëntitullin: “Kështu deklaroi me shaka dje në mbrëmje kampioni i botës ‘82, trajneri i skuadrës shqiptare, Giuseppe Dossena, sapo mbërriti në Vollgograd”. Dialogu i kësaj shakaje të dhënë nga gazeta ruse në hollin e hotel “Stalingrad”, ishte ky:

“Çfarë rezultati prisni”?
“5-0 për ne. Por kjo është një shaka. Rusia është shumë e fortë, por ne do të përpiqemi për të bërë më të mirën e mundshme”.

Dhe? Taktikë mbrojtëse?

“Kush ka guxuar t’i sulmojë rusët që nga Napoleoni e deri te Hitleri kanë lënë kockat e tyre në Rusi”, – citon gazeta deklaratën e mëtejshme të Dossena-s.

Faqe e gazetës ruse “Sport Ekspress”, me titullin: “Shqipëria synon 5-0!”. Dhe me nëntitullin: “Kështu deklaroi me shaka dje në mbrëmje kampioni i botës ‘82, trajneri i skuadrës shqiptare, Giuseppe Dossena, sapo mbërriti në Vollgograd”

Faqe e gazetës ruse “Sport Ekspress”, me titullin: “Shqipëria synon 5-0!”. Dhe me nëntitullin: “Kështu deklaroi me shaka
dje në mbrëmje kampioni i botës ‘82, trajneri i skuadrës shqiptare, Giuseppe Dossena, sapo mbërriti në Vollgograd”

Papritmas, do të përjetonim golin e fuqishëm të Klodian Duros dhe mandej gabimet e radhës që mbërrijnë deri në krijimin e rezultatit 4-1 për Rusinë, e cila për herë të parë si Rusi luante jashtë Moskës. Nderi i ishte blatuar Vollgogradit, dhe për çudi, Kombëtares së Shqipërisë.

Kështu përjetonim humbjen, publikun fantastik rus, por dhe gjysmën e stadiumit disi të shkatërruar në ndërtim e sipër, e prapë të dukej se përjetonim vazhdimësinë e Betejës së Stalingradit, miniaturën e saj përmes kontrasteve të një nate dimri të lagësht të jugut rus. Jo. Ne përjetonim shkatërrimin e skuadrës sonë, e cila me gjithë “heroizmin” e saj përballë luftës rrufe të rusëve të papërmbajtshëm në shpejtësinë e tyre, në fund të fundit, ajo dorëzohet.

Sigurisht ajo Kombëtare e Shqipërisë datuar 2002, nuk e njihte futbollin ruso-sovjetik. Sidomos këta futbollistë shqiptarë, të cilët luajtën:

Strakosha, G.Çipi, Xhumba, Fakaj, Murati, K.Duro, Hasi, Lala, F.Vata (Sina 60’), Tare (Myrtaj 69’), Haxhi (Bushi 56’).

Kjo ishte Kombëtarja e Shqipërisë (para fillimit të ndeshjes), që humbiste 4-1 në Vollgograd, në ndeshjen e saj të parë në Rusi përballë kombëtares ruse. Nga e djathta: Strakosha, Tare, G.Çipi, Fakaj, Xhumba, Haxhi, Hasi, Lala, Murati, F.Vata, Duro. FOTO: ADNAN HYKA

Kjo ishte Kombëtarja e Shqipërisë (para fillimit të ndeshjes), që humbiste 4-1 në Vollgograd, në ndeshjen e saj të parë në Rusi përballë kombëtares ruse. Nga e djathta: Strakosha, Tare, G.Çipi, Fakaj, Xhumba, Haxhi, Hasi, Lala, Murati, F.Vata, Duro. FOTO: ADNAN HYKA

Do të na duhej të prisnim edhe nja 4-5 muaj, që të vinte një gjerman e ta mposhtte këtë Rusi: Hans-Peter Briegel. Njeriu, i cili kur do ta rreshtonte “ushtrinë e tij shqiptare”, thuajse pa mëshirë, do të linte jashtë një pjesë të mirë të këtyre djemve “të pafajshëm” të 11-shes së Vollgogradit. Me sa duket, “revolucionet” kërkojnë edhe armë edhe transhe të tjera. Mirëpo, ende askush nuk mendonte se këtë do ta bënte gjermani i famshëm – protagonisti i “revolucionit” në fjalë -histori e madhe kjo e Kombëtares, që do t’i kushtohet kapitulli i dytë i kësaj historie në numrat e ardhshëm të “Panorama Sport”…

Për hir të së vërtetës, ne e dinim se prej sportit sovjetik Shqipëria kishte mësuar fort, sidomos në vitet ‘40-‘50. Ndeshjen e parë ndërkombëtare, atë përuruese të saj, Kombëtarja e Shqipërisë e kishte zhvilluar pikërisht me futbollin sovjetik: Tiranë, 1 maj 1946, Shqipëria-Spartaku i Moskës, 1-2. Zhmelkov, Sokolov, Malinin, Guljajev, Salnikov… Mandej, rreth 50 vjet më parë, më 1953-shin, Kombëtarja e Shqipërisë kishte ardhur në Bashkimin Sovjetik dhe ishte shkatërruar edhe më rëndë: 0-4 prej Dinamos së Moskës, 0-3 prej Zenitit të Leningradit dhe po kaq prej Spartakut të Moskës. Në të ftohtin e Vollgogradit të mbas 49 vjetëve, në delegacionin shqiptar ndieja praninë e figurës së madhe të Qemat Voglit, njeriu, i cili në këtë tokë kishte pësuar 10 golat e 1953-shit, por që edhe asisoj, me artin e tij kishte mahnitur deri një Lev Jashin! E, tash, edhe ai bashkë me mua përjetonte humbjen e rëndë 4-1. Ndërsa 24 orë më parë, në “rrethinat” e uzinave të Vollgogradit, Shpresa shqiptare e trajnerit Hasan Lika, qe dorëzuar në një 1-0 të pafjalë, por krejt dinjitoz. Por ne na rëndonte fort 4-1-shi.

“Shqiptarët humbën në shpejtësi”, titullonte komentin e tij, i mirënjohuri Igor Sevidov, analisti i “Sovjetskij Sport”, sulmues i shquar i Spartakut të Moskës së viteve ’60, pa u ndalur te fakti se historia jonë kishte nisur shì me Spartakun e tij. Ndjenja të tjera përjetova tek ato çfarë ai shkruante:

“Për sa i përket skuadrës kundërshtare, – nënvizonte Sevidovi, – në pjesën e parë ajo mua më ka habitur tejet. Ne për Shqipërinë kemi pasur një mendim të gabuar: heshtje, vend shkurtabiq, i fundit në futboll. Por shkolla kombëtare atje nuk mungon. Futbolli është në rritje. Mënyra e lojës së shqiptarëve, sidomos në pjesën e parë, aty-këtu të kujton lojën e spartakovitëve, jo e nxituar, por konstruktive dhe mjaft efektive… Por futbollistët ballkanikë ranë fizikisht dhe t’i mposhtësh mbas kësaj, nuk qe e vështirë”.

Dhe trajneri Dossena, i cili ka një mendim tjetër:

“Ne humbëm për shkak të gabimeve të individëve, – thotë ai, – jo të mënyrës së lojës në tërësi”.

Dhe vetëm kaq?

Ndërsa unë mendoja shkatërrimin si te Beteja e Stalingradit… Dhe as që më shkonte ndërmend se ishim vetëm pesë muaj larg “revolucionit” të Kombëtares sonë, pikërisht në duel po me këta rusë “revolucionarë” të hershëm…

Ti ndoshta nuk dëshiron që futbollin ta lidhësh me një betejë të Luftës së Dytë, ku veç rob gjermanë kanë qenë 90.000, por kur këtë punë e lidh vetë shtypi vendës, vetvetiu bie viktimë. Shkruante fjalë për fjalë kështu në faqen e tij të parë “Sovjetskij Sport”:

“Sot në Stadiumin ‘Rotor’ të Vollgogradit, Kombëtarja e Rusisë takon skuadrën e Shqipërisë. 60 vjet më parë në këtë Stalingrad vendosej fati i atdheut. Sot në vend të tij vendoset nderi i futbollit”.

Mendova edhe një herë ndjenjën e fuqishme kombëtare që përshkon gjithë qenien e këtij populli. Ai nuk po luante me Gjermaninë, e cila edhe në futboll është aq fort e fuqishme, e papërmbajtshme. Rusia po luante me Shqipërinë e vogël, por kjo megjithatë, nuk e bënte ta nënvlerësonte sadopak. Rusia luante për flamurin e saj, më fort se Shqipëria e vogël.

Faqe e parë e gazetës “Sport Ekspres”, me titullin: “Shpërthim i Gazajevit: 4 gola në Moskë, 4 gola në Vollgë!” (Më parë Rusia kishte fituar në Moskë 4-2 kundër Irlandës.)

Faqe e parë e gazetës “Sport Ekspres”, me titullin: “Shpërthim i Gazajevit: 4 gola në Moskë, 4 gola në Vollgë!” (Më parë Rusia kishte fituar në Moskë 4-2 kundër Irlandës.)

Nuk mendova fort për taktikën e teknikën. Këto ishin punë të trajnerit Dossena. Mua më takonte të nxirrja mësimet e gazetarit mbase, e gazetarit shqiptar. Rusët me sa duket dinë të nxjerrin mësime më mirë se ne. Ndonëse prapë, kur kujton sulmin barbar të sotëm ndaj Ukrainës, gati-gati mendon se ata kanë ndryshuar keqas. Nuk di a vërtet mund të jetë kështu dhe të mbesë po kështu…

BEPPE DOSSENA: DORËHEQJA BEFASUESE!
Në atë ditë kur do të mbërrinte muaji mars 2003 me Hans-Peter Briegel-in, Shqipëria kishte zhvilluar katër ndeshje e drejtuar për herë të parë, pra, mbas 49 vjetëve, prej një trajneri të huaj me emrin Giuseppe Dossena. Ai debuton me një ndeshje të rrallë: Shqipëria-Brescia 1-0, klubi italian, i cili vinte në Tiranë me në krye një të madh: Roberto Baggio – fitues i “Topit të Artë” të France Football 1993. Si anëtari i Jurisë kisha votuar për të. Mandej debutimi me ndeshjen “Kombëtare me Kombëtare” më 6 shtator 2002, në Prishtinë që për ne ishte historike: Kosova – Shqipëria 0-2. Mandej Shqipëria – Zvicra 1-1, një ndeshje e nivelit të lartë për KE 2004, për të cilën gazeta “Sovjetskij Sport” do të shkruante:

“Sensacion në Tiranë në ndeshjen Shqipëria – Zvicra me rezultat të arritur falë së mrekullueshmes goditje dënimi prej mesfushorit vendës, Edvin Murati”.

E mandej Rusia – Shqipëria 4-1! Dhe dorëheqje e rrufeshme e trajnerit Giuseppe Dossena.

Një befasi historike. Kishte drejtuar 4 ndeshje, kishte fituar 2, kishte barazuar 1 dhe kishte humbur vetëm 1. Në statistikë ishte një trajner “fitimtar”. Mirëpo pesha e Rusisë, e një humbjeje të thellë për Kampionatin Europian trysnonte mbi çdo lloj pozitiviteti statistikor ndeshjesh të rangjeve të tjera.

Dhe mbërrij tek intervista mbas dorëheqjes së trajnerit Dossena, e cila fliste për një situatë tejet interesante në prag të atij që unë po e quaj “20–vjetori i ‘revolucionit’ të Kombëtares”. E shkruar në përgjigje të pyetjeve të mia prej një trajneri intelektual, mbase dhe i nxituar, parashikonte një dështim të shpejtë, pa ia arritur megjithatë të parashikonte diçka tjetër: se në çfarë stadi po ndodhej dhe po hynte Kombëtarja modeste e Shqipërisë, 10 vjet mbas përmbysjes së regjimit komunist. Intervista erdhi mbas pyetjeve që ia dërgova me e-mail trajnerit Dossena në Itali, ku ai tashmë sapo kishte shkuar.

Nuk po zgjatem. Po ndalem te thelbi i asaj çka pati thënë Beppe Dossena, siç ai thirrej:

Zgjedhja për të dhënë dorëheqjen është pjekur tek unë qysh mbas ndeshjes me Rusinë, por në përgjithësi, për shkak të presioneve të vazhdueshme të ardhura nga një pjesë e shtypit lokal. Presione, që më kanë hequr qetësinë e domosdoshme për të zhvilluar punën time… Sa i përket natyrës së kontratës ekonomike, e përcaktuar si “e një miliarderi të padenjë”, së bashku me kërkesën e një pranie të vazhdueshme në tokën shqiptare, nuk më lejonin një ushtrim të qetë të profesionit tim… Kam takuar në Tiranë shumë njerëz të një kulture dhe civilizimi të madh. Ju kërkoj të falur për mënyrën me të cilën i kam lënë… E vërteta është se, mbas ndeshjes me Rusinë, filloi të ndihej një atmosferë tjetër… Jam i bindur se futbolli shqiptar mund të rezistojë bukur në garat e mëdha europiane po të vazhdojë të ruajë këtë ide programimi. Veçse për ta realizuar një gjë të tillë, nuk është i mjaftueshëm impenjimi i presidentit federal, por që pranë tij duhet të ketë persona, të cilët duhet ta mbështesin atë dhe që ta shndërrojnë në konkret gjithë vështrimin strategjik. Besueshmëria e futbollit shqiptar në të gjithë Europën është ngritur mjaft, por për çudi, kjo ndihet pak në vetë Shqipërinë për shkak të xhelozive infantile dhe interesave personale aspak bindëse… Vendi është pranë ndryshimeve të mëdha dhe kam mundur të konstatoj se ka njerëz, të cilët janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë sfidë, njerëz kurajozë dhe shumë të motivuar, të cilëve unë u blatoj respektin dhe mirënjohjen time. Kam gjetur në popull një dinjitet kryelartë dhe një krenari të pashkëputshme… Largohem duke marrë me vete respektin dhe mirënjohjen e pakufishme për çka ata po bëjnë drejt zhvillimit…

EPILOGU I NJË HISTORIE JO VETËM SPORTIVE: AFGANISTANI, POR EDHE UKRAINA 2023.
Dhe sa e çuditshme vërtet, se si në këtë shkrim sa sportiv, aq edhe të historisë universale e të një gjeopolitike madje, se si po më përzihen historitë sovjetiko-ruse, qoftë edhe përmes një ndeshjeje të futbollit Rusia – Shqipëria!

Kështu, kur lamë muzeumin “Panorama” të Betejës së Stalingradit, rasti na kishte rezervuar një tjetër befasi. Përballë tij në dalje, mbi një ndërtesë më të vogël, lexohej:

“Edhe Afganistani është fati ynë”.

Kjo ishte emblema e një muzeu tjetër, atij të Luftës në Afganistan. Rusia mû përballë muzeut “Panorama” të lavdisë së Betejës së Stalingradit, kishte ngritur si të thuash, muzeun e turpit të vet, të asaj kur ajo kishte dashur të shndërrohej në pushtuese. Dhe ushtarët e saj kishin lënë jetën e tyre të re në tokën afgane. Mendova se rusët, sado tradicionalë dhe ende të pashkëputur nga historia e tyre sovjetike, e luftës dhe e paqes, e ndërtimit socialist dhe e komunizmit që i lanë aq mbrapa në krahasim me botën moderne perëndimore, të dukej se në demokraci kërkonin të mësonin nga historia. Në njëfarë mënyre kjo ishte krejt sikur ne, pranë muzeut kombëtar në Tiranë, të ndërtonim një muze të posaçëm mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Nuk jemi nga këta lloj burrash pra. Muzeu “Afganistani është fati ynë”, vetëm dhjetë metra larg muzeut “Panaroma” të Betejës së Stalingradit, ishte pendimi më i fundit rus për luftën e tyre pushtuese në Afganistan.

Po a vërtet edhe sot, në njëfarë mënyre ata do të dinë të mësojnë nga historia e tyre? Më tej: a do të dalin burra të tjerë të ndryshëm nga Vladimir Putini i vitit 2023 dhe të ndërtojnë muzeun e ri të turpit, kur në të shkruhen fjalët: “Edhe Ukraina është turpi ynë”?

E pata lënë Rusinë, duke menduar edhe një herë se pa një ndjenjë të fortë kombëtare, Shqipëria nuk mund ta rregullojë deri në fund as Kombëtaren e vet të futbollit.

Dhe mbas atij 4-1 të pamëshirshëm, as që më shkonte ndërmend se pikërisht me këtë Rusi, përballë Kombëtares së saj, mbas vetëm nja 150 ditëve, do të niste “revolucioni” i Kombëtares së Shqipërisë së vogël, çka po përpiqem ta rikujtoj dhe ta sanksionoj përmes këtij jubileu “të panjohur” 20-vjeçar: 2003- 2023. Kjo për mua, dhe jo vetëm, do të ishte një befasi krejt e bujshme mbas atij 4-1. Teksa linim mbrapa Stalingrad/Vollgogradin, as që më shkonte ndër mend një fitore asisoj ndaj Rusisë në Shkodrën e Shqipërisë. Aq më tepër që kjo Shqipëri kishte mbi 1 vit që – përjashto një fitore të ngushtë 1-0 me Azerbajxhanin – askënd tjetër nuk kishte guxuar të mposhtte. Madje, ajo kishte mbërritur deri te humbjet me një Bahrejn e me një Andorra! Dhe të guxoje të mendoje për një “revolucion” në historinë e saj modeste, që do të niste me një gjigant si Rusia? Eh!…

Do t’i kthehemi arkivit të kujtesës në shkrimin e ardhshëm…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"