“Skënderbeut i mungojnë katër pikë”, Shaqe: Sfidë delikate, por ia dalim edhe ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 19:08

“Skënderbeut i mungojnë katër pikë”, Shaqe: Sfidë delikate, por ia dalim edhe ndaj Vllaznisë

Skënderbeu është drejt mbylljes së fazës së parë të kampionatit dhe ecuria e deritanishme për korçarët ka qenë brenda pritshmërive. Një ndarje thuajse e barabartë e rezultateve të marra deri në këtë moment mban bardhekuqtë në vendin e katërt në renditje me 12 pikë.

shaqe

Për mbrojtësin korçar, Klevis Shaqe, Skënderbeu e ka nisur mirë këtë kampionat dhe në fazën e parë ekipi ka treguar se është i aftë të fitojë me çdo kundërshtar. Por sipas tij, skuadra me më shumë kujdes mund të kishte edhe katër pikë më shumë renditje. Kjo për vetë faktin se humbja në shtëpi me Kukësin djeg akoma, ndërsa mund të kishin marrë edhe në një barazim në takimin e luajtur në Durrës nëse nuk do të kishin filluar takimin në atë mënyrë.

“Kemi bërë një fazë të parë mjaft të mirë dhe mund të them se jemi të kënaqur me atë që kemi arritur të tregojmë në fushë dhe me pikët e marra. Normalisht që na vjen keq, pasi kemi shpërdoruar katër pikë në dy ndeshje, që nëse do t’i kishim menaxhuar në mënyrën e duhur mund të kishin rezultuar ndryshe. E kam fjalën për humbjen ndaj Kukësit në shtëpi, që është një takim që nuk na falet për vetë mënyrën se si e kemi humbur atë ndeshje. Nga ana tjetër edhe në Durrës mund të kishim dalë me pikë nëse nuk do ta fillonim lojën të tërhequr për të pritur kundërshtarin. Megjithatë, 12 pikë nuk janë pak dhe kemi treguar se nëse jemi të përqendruar mund të fitojnë ndaj kujtdo”, theksoi Klevis Shaqe.

VLLAZNIA – Ndeshja e fundit e fazës së parë sheh Vllazninë në Korçë në një takim që asnjë prej dy ekipeve nuk duhet të bëjë hapa fals. Për Shaqen është një ndeshje e vështirë dhe ndaj duhet përqendrim maksimal. “Ndaj Vllaznisë është një tjetër takim i vështirë, pasi edhe shkodranët do të vijnë për të dalë nga rezultatet jo të mira dhe për t’u rifutur në garë drejt objektivit të tyre. Nga ana tjetër, ne duhet të shohim vetëm veten tonë dhe të bëjmë më të mirën në këtë takim. Do të jetë tejet delikate si ndeshje, por jam i bindur që mund t’ia dalim”, mbylli prononcimin e tij Klevis Shaqe. LLAZI SARO -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"