Situata e dëmtive tek Elbasani/ Telushi dhe Hoxhaj ikin nga Shqipëria për… mjekim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 18:31

Situata e dëmtive tek Elbasani/ Telushi dhe Hoxhaj ikin nga Shqipëria për… mjekim

Një nga problemet më të mëdha të El basanit, në këto nëntë javë kampionat, janë dëmtimet. Për asnjë moment, Nevil Dede nuk e ka pasur të plotë skuadrën dhe kjo e ka detyruar që herë pas herë të bëjë “arnime” në formacion. Në një kohë që kampionati sa vjen edhe bëhet më i fortë dhe çdo pikë është e vyer, në klub kërkojnë që lojtarët që kanë shfaqur probleme të rikuperohen sa më shpejt.

elbasani

Për të mos çeduar në garën për elitën, duhet një organikë sa më e plotë. Për këtë arsye, klubi është treguar i gatshëm që të kërkojë ndihmë nga jashtë vendit për Bruno Telushin dhe Ardit Hoxhajn.

TELUSHI

Burime të “Panorama Sport” pohojnë se mesfushori i Elbasanit ka udhëtuar drejt Serbisë për të marrë asistencë mjekësore nga fizioterapistja me famë botërore, Marjana. Prej disa ditësh, 32-vjeçari ndodhet në Beograd dhe shpresat janë që të rikuperohet sa më parë nga një dëmtim i përsëritur në pulpë. Nëse në vendin tonë rikuperimi mund të zgjaste afro një muaj, tani shpresohet që të jetë gati për pak ditë. Ndaj Luzit, Bruno Telushi nuk do të jetë gati, por në klub shpresojnë që ta kenë në skuadër për ndeshjen e javës së ardhshme, atë me Bylisin në “Elbasan Arena”. Bëhet fjalë për një duel direkt dhe që mund të vendosë jo pak për ecurinë e skuadrës, ndaj është bërë një sakrificë edhe nga ana financiare për të dërguar mesfushorin në Serbi dhe marrë trajtimin e specializuar nga fizioterapistja e famshme. Mesfushori i adaptuar si mbrojtës la pas pesë minutash lojën në mes në humbjen ndaj Flamurtarit, pikërisht pas përsëritjes së problemit në pulpë dhe nuk ishte i pranishëm në fitoren ndaj Tomorit pak ditë më parë.

HOXHAJ

Më e komplikuar duket situata me Ardit Hoxhajn, me sulmuesin që mungon prej datës 28 shtator. Ai luajti 56 minuta në ndeshjen me Besën e Kavajës dhe që nga ajo kohë nuk ka zbritur më në fushë për verdheblutë. Mësohet se 29-vjeçari ka një dëmtim muskulor dhe në vendin tonë nuk po ia gjejnë diagnozën e saktë, sepse ndien vazhdimisht shqetësime. Për këtë arsye është nisur drejt Italisë për ekzaminime më të hollësishme, me shpresën se do të rikuperohet sa më parë dhe të vihet në dispozicion të Nevil Dedes. Edhe për të është e sigurt mungesa ndaj Luzit, por mbetet për t’u parë nëse do të rikuperohet për të qenë gati me Bylisin.

TË TJERËT

Nga ana tjetër po punohet që të rikuperohen në kohë dhe sa më shpejt edhe dy lojtarët e tjerë që munguan ndaj Tomorit këtë javë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Hektor Idrizaj dhe sulmuesin Jeton Krasniqi. Nëse nuk do të vijnë në formën maksimale, atëherë klubi nuk ka ndërmend t’i rrezikojë as për sfidën me Luzin, me synimin për t’i pasur lojtarët të gatshëm për përballjen me Bylisin.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"