Sherr te moshat, nxjerrin pistoletën në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2014 | 12:52

Sherr te moshat, nxjerrin pistoletën në Shkodër

Skandalet e dhunës, lufta e ashpër sportive, në shumë raste edhe përtej limiteve apo edhe protesta të shumta ndaj gjykimit janë përcjellë në fundjavë në Ligat Amatore të moshave. Në fakt, kësaj here kemi parë edhe skena “western” ku nuk kursehen as nxjerrja e armëve në publik duke terrorizuar lojtarët, stafe teknike dhe tifozë nga të gjitha grupmoshat. Në ndeshjen mes ekipeve të 17- vjeçarëve të AAS dhe Adës është konstatuar një incident i paprecedent, sidomos në ndeshje të një niveli të tillë që ka ndikuar më pas në ndërprerjen e saj. Sfida mes dy rivalëve nuk është zhvilluar për të tretën herë. Rivaliteti mes këtyre dy skuadrave në këtë kampionat ka bërë që tensioni i përballjes të jetë edhe jashtë fushës së blertë. Pas vetëm 5 minutave lojë, një nga tifozët e skuadrës AAS është konfrontuar me drejtuesit teknik të ekipit të Adës. Fillimisht ka pasur shumë replika mes tifozit jashtë fushës dhe teknikëve të Adës. Mirëpo, pas pak minutave ky debat ka degjeneruar në nxjerrjen e një pistolete nga ana e tifozit. Një moment që është shoqëruar me shumë panik te stafi i skuadrës velipojake, por edhe te lojtarët 17-vjeçarë të të dyja kampeve. Nga sa mësohet, tifozi ka mbajtur për disa çaste armën e mbushur në dorë, duke debatuar fort sidomos me dy teknikët e ekipit të Adës, të cilët kanë dalë në mbrojtje të djemve që drejtojnë, duke debatuar më shumë me personin në fjalë. Pas pak çastesh ka ndërhyrë policia, e cila ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes. Por ndërhyrja e saj ka qenë e kujdesshme pasi personi me armë nuk i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së policëve për të ulur armën. Nga sa mësohet tifozi i armatosur është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, i ndjekur më pas nga policia. Pas largimit të personit të armatosur situata është qetësuar. Lojtarët e të dy stafeve kanë qëndruar për disa çaste në dhomat e zhveshjeve derisa u normalizua gjendja. Pas këtij incidenti, gjyqtarët e takimit kanë marrë vendimin që takimi të mos luhet më. Mesa duket një përballje e tillë nuk do të zhvillohet, pasi është e treta herë që ky takim ndërpritet për shkaqe të ndryshme. Ndërkohë burime zyrtare pranë Policisë së Shkodrës konfirmuan dje në mbrëmje për “Panorama Sport” se zëvenëstrajneri i AAS, Astrit Bilali, është shoqëruar në polici. Kur ka ndodhur incidenti i pranishëm ishte edhe djali i tij, boksieri Asmir Bilali. Fushat ku zhvillohen stërvitjet nga AAS janë në pronësi të Astrit Bilalit. Pritet që sot Policia e Shkodrës të dalë në një komunikatë për shtyp rreth incidentit të ndodhur.
Admir Uruçi/ Senad Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"