Rrëfimi unik i Grezdës, “mister 3-milionëshi”: Ëndërroj Gjermaninë dhe Italinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2017 | 23:30

Rrëfimi unik i Grezdës, “mister 3-milionëshi”: Ëndërroj Gjermaninë dhe Italinë

Një nga sezonet më të mira në karrierën e tij, saqë e kanë vendosur në qendër të merkatos së transfer imeve. Diskret sa u përket të dhënave për të ardhmen e tij, por nuk ngurron të tregojë rreth vetes edhe detaje. Ushqimi i preferuar, rryma muzikore e preferuar, hobi, shoku i ngushtë.

Këto dhe të tjera, deri te goli më i bukur i shënuar prej tij apo edhe situatën në merkato, Eros Grezda i ka rrëfyer në një intervistë ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Që nga fëmijëria dhe familja e tij e ngushtë, deri në statusin e tij aktual dhe pushimet që po kalon në këtë periudhë festash, mesfushori i Osijek dhe i Kombëtares tregon për gazetës dëshirën e tij në merkato.

Eros Grezda

Fëmijëria, çfarë kujton Grezda prej saj?

Po tregoj të dhënat bazë të jetës sime. Jam lindur në Gjakovë dhe i rritur në Prishtinë. Jam fëmija i tretë i dy prindërve të mi, Gencit dhe Valbonës. Nga sa kujtoj, kam pasur një fëmijëri shumë të mirë dhe me kushte të mira jetese.

Kur jeni regjistruar për herë të parë në një ekip futbolli?

Si çdo djalë, topi është lodra e preferuar që në vogëli. Pa ditur ende se çfarë është futbolli si lojë apo si profesion. Mirëpo, për herë të parë në një ekip jam regjistruar te Prishtina. Kujtoj që kam qenë afro 11 vjeç.

Kush jua ka blerë këpucët e para të futbollit?

Sigurisht që babai. Momentalisht ai dhe familja janë shtysa ime më e madhe. Janë mbështetja kryesore dhe ndihmesa e nevojshme, pa të cilët nuk do t’ia kisha dalë deri këtu ku kam mbërritur. Për çfarë kanë bërë për mua, ende nuk kam arritur t’jua shpërblej dhe nuk e di nëse do t’ia arrij ndonjëherë.

grezda

Si ka qenë viti 2017 për ju në aspektin profesional?

Dëshirat dhe ambiciet e mia më bëjnë që të mos kënaqem asnjëherë me atë që arrij. Mirëpo, më duhet ta pranoj që ka qenë një vit i suksesshëm. Si me klubin ku jam transferuar, ashtu edhe me Kombëtaren, kam pasur sukses në aspektin personal dhe atë kolektiv.

Kjo ecuri ka bërë që të përmendeni në merkato si dëshirë e klubeve të mëdha europiane. Çfarë mendoni kur i shihni këto lajme?

Nga një anë, është kënaqësi. E them këtë, pasi është një lloj vlerësimi për atë që unë kam treguar në fushën e lojës. Mirë- po, personalisht mendoj vetëm që të punoj dhe të rritem akoma edhe më shumë deri në merkaton e verës. Më tej do të shohim se çfarë mund të ndodhë.

Grezda

Sa % shanse ka që mund të largoheni në janar nga Osijek?

Nuk dua të jem asnjëherë kategorik, pasi futbollit nuk i dihet se çfarë mund të sjellë dhe çfarë mund të ndodhë. Unë, personalisht, nuk dua që të iki në janar nga Osijek. Dua që ta mbaroj këtë sezon aty, me sa më shumë suksese për ekipin, që të realizoj objektivat dhe, siç e thashë, duke u rritur sa më shumë në aspektin profesional.

Periudhë pushimesh. Në pak ditë keni qenë në Itali për t’u takuar me Strakoshën, por edhe me Hysajn. Ku do të preferonit të luanit, te Napoli apo Lacio nëse do të kishit mundësi zgjedhjeje?

Po, kam qenë në Itali, por në fakt për të takuar dy shokë të mi dhe jo në atë aspekt që më pyetët ju. Dhe, në fakt, nuk e di se kë mund të zgjidhja mes tyre, të jem realist. Nuk mund të them një zgjedhje në këtë rast.

ahmedi grezda

Për të qëndruar te merkato, “Panorama Sport” ka publikuar një interesim nga Turqia për ju…

(Qesh…) Nuk mund të them më shumë sa po pyesni ju. Është e vërtetë që ka pasur ofertë nga Turqia.

Ju ka vënë në dijeni klubi për të tjera interesime?

Po, ka pasur. Përveç Turqisë, edhe nga Italia. Por nuk mund të them dot asgjë. Për shkak të konfidencialitetit të negociatave, mos insistoni për emra.

Po vlera e kartonit të kërkuar nga klubi për kartonin tuaj?

Sërish po insistoni… Dakord, po ju them vetëm që duan 3 milionë euro. Kaq!

Jeta personale. Çfarë muzike preferon Grezda?

Latine!

grezda

Këngëtari apo grupi i preferuar?

Në fakt, kam disa. Maluma, Nicky Jam, Jay Balvin…

Ushqimi i preferuar në Kroaci dhe në Kosovë e Shqipëri?

Më së shumti më pëlqejnë pastat dhe mishi i kuq.

Kush është shoku juaj i ngushtë?

Odise Roshi.

Hobi juaj?

Formula 1! Më pëlqen shumë shpejtësia.

Çfarë surprize apo çmendurie kanë bërë fansat për ju?

Në fakt, kujtoj diçka të veçantë nga një fanse e imja. Kishte vendosur foton time në tortën e ditëlindjes.

roshi balaj grezda

Identiteti apo diçka rreth saj?

(qesh…) Jo, jo! Sekret, pasi bëhet fjalë për të dhënat e saj personale.

Cili është goli më i bukur që keni shënuar këtë vit?

Goli ndaj Turqisë. Nuk do ta harroj asnjëherë!

Kush është trajneri më i mirë me të cilin jeni stërvitur?

Hmmm, pyetje e vështirë (qesh…). Në fakt, ka shumë trajnerë të mirë dhe unë kam pasur fat të punoj me shumë të tillë. Pa përmendur të gjithë emrat, por them që jam shumë i kënaqur me dy trajnerët aktual me të cilët po punoj: Panuçi dhe Zekiç.

Cila është ëndrra më e madhe e Grezdës?

Kampionati gjerman ose italian. Statusi momental i juaji? Beqar…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"