Probleme me dëmtimet, verilindorët e Kukësit në kërkim të kthesës së madhe përballë Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2022 | 19:26

Probleme me dëmtimet, verilindorët e Kukësit në kërkim të kthesës së madhe përballë Dinamos

Katër rezultatet negative radhazi në kampionat kanë rritur presionin e pikëve te Kukësi, për më tepër që një ndalesë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë përgjatë këtij sezoni.

KUKESI 1

Paraqitjet e fundit kanë vënë në rrezik edhe objektivin minimal, siç është Europa, ndaj edhe fitorja mbetet një detyrim këtë fundjavë. Gjithsesi, barazimi i fundit ndaj Vllaznisë duket sikur ka rikthyer shpresën për të vijuar me ecuri pozitive, teksa synimi i radhës do të jetë patjetër marrja e tri pikëve në përballjen me Dinamon. Kundërshtari kërkon patjetër pikë mbijetese dhe nuk pritet të jetë një mision i lehtë fitorja.

SITUATA – Mirëpo, në një nga ndeshjet më delikate të sezonit, Kukësi vjen “i sakatuar”, sepse dy prej lojtarëve kryesorë, njëri në mbrojtje dhe tjetri në sulm, kanë shumë pak shanse që të jenë të gatshëm për Longon.

Dëmtimi i mbrojtësit Bruno Lulaj në ndeshjen me Vllazninë, ku edhe la lojën në mes, mesa duket është më i rëndë se sa parashikohej dhe lojtari nuk ka dalë në stërvitje me skuadrën. 26-vjeçari është një pikë referimi në këtë repart dhe është një shqetësim jo i vogël për italianin.

Sakaq, edhe Shkurtaj vijon të jetë i dëmtuar dhe nuk ka dalë në stërvitje me ekipin, duke shuar edhe ato pak shanse që ishin për t’u rikuperuar në kohë për sfidën ndaj Dinamos të dielën.

Lajmi i mirë është rikthimi me grupin i mesfushorit Shqiprim Taipi, i cili ka lënë pas dëmtimin, por gjithsesi fakti që ka disa ditë pa stërvitje bën që të mos jenë në 100-përqindëshin e tij. Është rikuperuar edhe mesfushori Kreshnik Bahtiri, edhe pse nuk është preferuar shpesh nga Longo gjatë këtij sezoni, por gjithsesi do të mbetet një alternativë në stol për Dinamon.

LËVIZJET – Në një situatë të tillë, Longos i lind detyra të bëjë të tjera lëvizje dhe spostime në skuadër, pasi në të tria repartet nuk ka të gatshëm titullarët.

Gjithsesi, në mbrojtje vendi i Lulajt pritet t’i takojë Bytyçit, ndërsa në sulm Puntus do të vijojë të bëjë “pykën” e Shkurtajt të dëmtuar. Në mesin e fushës do të rishihet gjendja e Shqiprim Taipit, por gjithsesi në atë repart nuk mungojnë alternativat.

Megjithatë, pritet që ashtu si nga ndeshja e kaluar me Vllazninë, italiani të mos bëjë më eksperimente, por të vendosë lojtarët në rolin e tyre natyral, si mundësinë më të mirë për të marrë maksimumin prej tyre.

KARTONËT – Për këtë javë Kukësi nuk ka asnjë lojtar të pezulluar për arsye kartonësh, ndaj mund të jenë të qetë nga kjo anë.

Mirëpo, në skuadër janë tre futbollistë që janë me tre të verdha dhe duhet të tregojnë kujdes për sfidën me Dinamon që të mos ndëshkohen, pasi humbasin ndeshjen me Skënderbeun. Bëhet fjalë për kapitenin Gjelbrim Taipi, mesfushorin Shqiprim Taipi, si dhe sulmuesi brazilian, Vitor Feizhao.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"