Prezantohet Brahja: Më bindi garancia financiare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2012 | 13:44

Prezantohet Brahja: Më bindi garancia financiare

Julian Brahja është zyrtarisht lojtar i Kukësit. Nën praninë e presidentit Safet Gjici, laçiani ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me të drejtën e rishikimit në fund të sezonit. Qendërmbrojtësi gjatë prezantimit si lojtar i Kukësit është shprehur mjaft i kënaqur për zgjedhjen e bërë në këtë merkato vere. “Ndihem i vlerësuar dhe nuk e fsheh kënaqësinë që do të jem pjesë e Kukësit për sezonin e ardhshëm futbollistik. Shpresoj dhe besoj që duke bërë më të mirën për këtë ekip, do të realizojmë objektivin e vënë nga presidenca për të qenë sa më lart në klasifikim. Unë në skuadrat ku jam aktivizuar, kam dhënë maksimumin dhe këtë do ta bëj edhe për Kukësin. I besoj shumë mbështetjes dhe korrektësisë së klubit, por dhe grupit të lojtarëve që janë afruar te kjo skuadër, të cilët unë i njoh. Jam i bindur se të gjithë bashkë do të shkruajmë historinë për këtë ekip”. Ndërkaq, numri një i presidencës, Safet Gjici, e ka vlerësuar lojtarin si një prurje mjaft të mirë për Kukësin. “Eksperienca dhe talenti i Brahjes na bën të besojmë se kemi bërë një blerje të goditur për Kukësin. Merkatoja nuk përfundon këtu, pasi do të kemi emra të tjerë në ditët në vijim”. Reagimi – Largimi nga Kukësi i mesfushorit kosovar, Festim Krasniqi, është shoqëruar me akuza të rënda të këtij lojtari në Kosovë. Ky i fundit ka thënë se nga Kukësi u largua pasi klubi mori dy serbë. Mirëpo, në një deklaratë të klubit verilindor, sqarohet se Festim Krasniqi, edhe pse iu dha shansi i madh për të qenë pjesë e Kukësit, nuk e fitoi provën. “Klubi do t’i ndjekë të gjithë hapat e duhur ligjorë, që Krasniqi të kthejë shumën e marrë paradhënie dhe të zbatohet pika e kontratës, si pas së cilës thuhet se nëse lojtari nuk përmbush kërkesat e stafit dhe klubit, largohet dhe është i detyruar t’i rikthejë paratë e marra. Festim Krasniqi u provua dy javë nga trajnerët dhe stafi dhe rezultoi se ai nuk është lojtar as për Kategorinë e Parë në Shqipëri, kështu që në bazë të marrëveshjes iu komunikua largimi, të cilin e ka pranuar vetë. Ne i ofruam një kontratë që ai nuk e kishte parë në ëndërr në Kosovë; strehim, ushqim dhe gjithçka tjetër”, – thuhej në deklaratën e klubit.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"