“Pretendojmë të shkojmë larg në Europë”, drejtori teknik i Laçit: Moldavët kanë cilësi, ja çfarë kërkojmë në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2022 | 21:35

“Pretendojmë të shkojmë larg në Europë”, drejtori teknik i Laçit: Moldavët kanë cilësi, ja çfarë kërkojmë në merkato

Drejtori teknik i Laçit, Naim Halili, në prononcimin për “Panorama Sport” pas shortit për kampionatin, tregoi se kurbinasit janë të destinuar për të shkuar sa më larg në Ligën e Konferencës. Fillimisht Halili foli për ndeshjet ndaj Iskrës, ku dy ditë më parë u vulos kalimi i turit me golin e Mentor Mazrekajt.

NAIM HALILI PASHK LASKA

“Kualifikimi në Mal të Zi ishte një kënaqësi për të gjithë skuadrën. Në ndeshjen e parë në Elbasan nuk e prisnim që ekipi i Iskrës të na krijonte aq vështirësi. Megjithatë, e zgjidhëm çështjen e kualifikimit në ndeshjen e kthimit dhe për këtë jemi të gëzuar. Festa jonë ka mbaruar që në Podgoricë, sepse javën tjetër do të luajmë në Moldavi për turin e dytë dhe përqendrimi është maksimal për atë ndeshje ndaj Petrokub”, ka thënë drejtori i kurbinasve.

Në lidhje me vazhdimësinë në Europë dhe synimet që ka klubi për sezonin e ri, Halili shtoi: “Laçi është një ekip që pretendon gjithnjë për të shkuar larg në Europë. Besoj se në këto vitet e fundit, kemi rritur cilësinë dhe kemi bërë krenare Shqipërinë në arenën ndërkombëtare me rezultatet e arritura. Kjo është një kënaqësi e madhe, duke filluar nga presidenca, drejtuesit, trajneri që është shumë i përkushtuar, për të vijuar me lojtarët që janë faktori kryesor. Janë të gjithë këto komponentë që lidhen bashkë dhe arrijnë te suksesi”.

Por çfarë mendon Halili për ndeshjet me klubin moldav në turin e dytë, teksa sfida e parë luhet më 21 korrik në transfertë. “Të jem i sinqertë, i kam ndjekur ndeshjet që Petrokub Hinçesti ka zhvilluar në turin e parë ndaj maltezëve të Florianës. Kam diskutuar edhe me trajnerin Duro dhe nga ajo që kemi parë, Petroklub ka një skuadër me cilësi, sidomos në repartin e mesfushës. Megjithatë, unë besoj se është ekip i kalueshëm për ne”, theksoi drejtori, ndërsa në fund foli edhe për merkaton. “Pas dëmtimit të Qatos, po shikojmë për një mesfushor. Vjen shpejt edhe kampionati”.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"