Pesë barazime radhazi, Laçi i karikuar për kthesën kundër Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 10:15

Pesë barazime radhazi, Laçi i karikuar për kthesën kundër Skënderbeut

Laçi ka fituar për herë të fundit në kampionat kundër Partizanit, pikërisht më 20 janar, kur mposhti “demat” me përmbysje 1-2 në transfertë. Që prej kësaj ndeshjeje, skuadra e drejtuar nga Mirel Josa është “abonuar” me barazimet, duke marrë plot pesë të tilla radhazi në kampionat.

laci

E vetmja fitore pas asaj me Partizanin është ajo kundër Dinamos në Kupën e Shqipërisë. Me Teutën, Vllazninë dhe Dinamon ka barazuar 1-1 në shtëpi, ndërsa në transfertë ka regjistruar rezultatet 0-0 dhe 1-1, respektivisht kundër Egnatias dhe Tiranës.

Sot në orën 13:30, bardhezinjtë presin Skënderbeun, një kundërshtar që e kanë mundur dy herë këtë kampionat, fillimisht në fazën e parë 2-0 në shtëpi, e më pas 0-1 në fazën e dytë në Korçë.

Trajneri Mirel Josa nuk do të ketë në dispozicion dy titullarë, pikërisht mbrojtësin Paulo Zhunior, i cili mori karton të kuq kundër Tiranës, si dhe mesfushorin Klinti Qato, që u dëmtua dy javë më parë dhe është në periudhë riaftësimi.

Josa pritet të bëjë pak ndryshime në krahasim me formacionin që barazoi me Tiranën, duke qenë me 10 lojtarë në fushë. Gjasat janë që autori i golit, Olsi Myrta, ta nisë nga minuta e parë. Në mbrojtje, vendin e lënë bosh nga Paulo Zhunior pritet ta zërë Kurti, por një alternativë është edhe braziliani Kristian Lima. Në pozicionet e tjera nuk ka dilema, edhe pse ka një dyshim për Melon, i cili mund të rikthehet titullar pas disa ndeshjesh radhazi në stol.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"