Orges Shehi: Ju rrëfej “hajmalinë” e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2015 | 18:13

Orges Shehi: Ju rrëfej “hajmalinë” e Skënderbeut

shehiJanë supersticiozë apo është vetëm një fiksim, një gjë është e sigurt: në Korçë i kanë ndaluar fotot “poster” para ndeshjeve. Edhe pse shkrepjet jashtë fushës së blertë nuk mungojnë, madje janë edhe të shumta, pasi i postojnë vetë në rrjetet sociale, kur vjen puna për takimet e rëndë- sishme, lojtarët e Skënderbeut kanë një ritual që u vendos në zbatim edhe në “Elbasan Arena”.

Pak para se të niste ndeshja me Milsamin, korçarët kanë refuzuar që të fotografoheshin të gjithë së bashku. Fillimisht u duk absurde, por ja që edhe kjo e ka një shpjegim. Dhe ai që zbulon të vërtetën e këtij “misteri” është Orges Shehi. Portieri në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” nuk ka ngurruar që të argumentojë vendimin e marrë prej bardhekuqve që të mos shkrepej asnjë foto para 90- minutave që do t’i fusnin në histori. Ai sqaron se e gjithë kjo histori e ka një fillesë dhe askush në ekip nuk ka në plan që ta thyejë rregullin.  Dhe iniciatori duket se është Kristi Vangjeli, i cili shihet si supersticiozi më i madh në ekip, dhe dashur pa dashur ua ka injektuar edhe të tjerëve.

Shehi “Historia është disi e largët. Pra, gjithçka e ka një shpjegim, ndaj edhe ne nuk pranojmë që të fotografohemi para ndeshjeve të mëdha. Kujtoj finalen e Superkupës, kur ne përballeshim me Tiranën. Takim që u humb në fakt dhe kjo mbahet mend prej gjithkujt. Ai moment na shënjoi. Që pas asaj finaleje, ne nuk i duam më fotot ‘poster’. Dhe sigurisht që ky fiksim është më i madh kur bëhet fajlë për takime delikate që kanë një lloj rëndësie dhe që përcaktojnë jo pak të ardhmen e Skënderbeut.

Prandaj edhe nuk pranuam që të bënim foto ndaj Milsamit, pasi rituali duhet të vazhdojë. Duket sikur kjo na sjell fat, dhe derisa ndodh kështu, do të vazhdojmë t’i shmangim aparatet fotografike. Por ai që na shtyn më shumë të respektojmë këtë rregull të pashkruar, është pikërisht Kristi Vangjeli. Kristi është supersticiozi më i madh në ekip dhe ai që beson më shumë se gjëra të tilla sjellin fat për ekipin para ndeshjeve me eliminim direkt. Kjo ka qenë arsyeja pse ne nuk e kemi bërë foton ditën e ndeshjes në ‘Elbasan Arena’. Duket sikur na sjell fat dhe fundi ishte i lumtur për ne. U kualifikuam dhe u futëm në histori”, përfundoi Orges Shehi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"