Oferta nga Bundesliga për Salihin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2015 | 17:03

Oferta nga Bundesliga për Salihin

shkembi salihiHamdi Salihi mund të cilësohet pa diskutim si përforcimi më i goditur i Skënderbeut në muajin e fundit dhe kjo vërtetohet lehtësisht me statistika. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve deri tani, pasi ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës pesë herë, në katër ndeshje të zhvilluara. Me një nuhatje të admirueshme goli, ai ka qenë një nga heronjtë e kualifikimit historik të korçarëve për në fazën “play-off” të Champions-it. Klubi kampion i Shqipërisë po bën të pamundurën për ta mbajtur, por mësohet se do ketë konkurrencë.

Nga burime pranë lojtarit është mësuar se në përfundim të takimit me Milsamin, dy klube gjermane janë interesuar për të. Më saktë, një ndërmjetës që operon në futbollin gjerman i ka ofruar futbollistit mundësinë për të luajtur me Darmshtadin në Bundesligën e Parë, ose me St.Paulin në të Dytën. Gjithsesi, elementi kryesor për Salihin nuk ka të bëjë me kampionatin prestigjioz sesa me ofertën financiare. Pikërisht ky aspekt do mbajë pezull edhe të ardhmen e tij me Skënderbeun.

Nëse një prej ekipeve gjermane, sidomos Darmshtadi, ia plotëson kërkesat, atëherë 31-vjeçari nuk ka për të qenë pjesë e skuadrës së Josës në fazën e grupeve të Ligës së Europës ose Champions-it. Por, duhet theksuar se edhe oferta e korçarëve është e majme, aq më tepër që kanë siguruar një buxhet shumë të majmë prej kualifikimi në “play-off”. Me 6.1 milionë euro tashmë të siguruara, për presidentin Takaj do të ishte më e lehtë të bindte Salihin. Sulmuesi numëron 50 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, duke shënuar edhe 11 gola, ndërkohë që aventura e tij e fundit ka qenë në Izrael me Hapeol Haifa. Në karrierë, shkodrani ka veshur fanellën e ekipeve si Vllaznia, Panionios, Tirana, Ried, D.C. Junajtid, Jiangsu Sainty, Hapeol Akre dhe Hapeol Haifa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"