Nuk u ka shënuar në dy ndeshjet e kaluara/ Basha lokomotivë, por Partizanin nuk e ka thyer ende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2022 | 14:38

Nuk u ka shënuar në dy ndeshjet e kaluara/ Basha lokomotivë, por Partizanin nuk e ka thyer ende

Kukësi do të përballet sot me Partizanin, me synimin e vetëm për t’u rikthyer te fitorja, e cila i mungon prej dy javësh.

EDI BASHA 1

Situata në kampin verilindor pas rezultateve të fundit nuk është ndër më të mirat, por për aq kohë sa ekipi vijon të qëndrojë në vendin e tretë, mund të thuhet se është brenda objektivave.

Një tjetër rezultat negativ do të vinte në rrezik vendin e tretë dhe do të ndienin gjithashtu edhe rrezikun e të kuqve, ndaj në Kukës kanë bërë llogaritë të mos dalin pa gjë nga kryeqyteti. Kualitetet skuadrës nuk i mungojnë, por këtë sezon të paktë kanë qenë lojtarët që i kanë zgjidhur ndeshjen.

VARËSIA NDAJ BASHËS – Lojtari më i spikatur deri më tani te Kukësi është pa dyshim sulmuesi Edi Basha, i cili ndër të tjera është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me nëntë gola.

Nga ana tjetër, ai ka dhënë edhe katër asiste këtë sezon. Në njëfarë mënyre, duke parë luhatjen e sulmuesve të tjerë dhe formën jo të mirë që po kalon Vasil Shkurtaj këto javë, duket se shpresat e verilindorëve janë varur pikërisht te kroati.

“Panorama Sport” i bën një vëzhgim ecurisë së 28- vjeçarit me Kukësin këtë sezon dhe rezulton se i ka dhënë mjaft pikë të vlefshme, të cilat i japin mundësinë Kukësit të qëndrojë në vendin e tretë dhe të luftojë ende për Europën.

Goli ndaj Teutës tregoi edhe një herë se golat e Bashës janë vërtetë vendimtarë për t’i dhënë pikë skuadrës.

Nga vëzhgimi i bërë, pa kroatin në fushë, Kukësi do të kishte nëntë pikë më pak në klasifikim dhe do të ishte një pikë pas rivalit të sotëm, Partizanit dhe thuajse i dalë jashtë çdo objektivi në kampionat.

Këtu përllogariten vetëm golat dhe asistet që kanë rezultuar vendimtarë për të kthyer ndeshjen dhe i kanë dhënë pikë ekipit, pa llogaritur rastet kur ka shënuar dhe që nuk kanë pasur ndikim në rezultat.

TABUJA PARTIZANI – Ndaj Partizanit, në dy ndeshjet e kaluara, Basha nuk ia ka dalë dot të shënojë në barazimin dhe fitoren e koleksionuar ndaj të kuqve.

Sot, do të ketë mundësinë ta thyejë këtë tabu dhe të mundohet t’i japë të tjera pikë ekipit të tij.

Prej disa ndeshjesh sulmuesi ka qenë në një shterpësi golash dhe ekipit i munguan rezultatet, por në javët e fundit është rikthyer sërish vendimtar për ekipin.

PËRGATITJET – Kukësi i ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të luajnë sot ndaj Partizanit, me shpresën se do të rikthehen te fitorja.

Pritet që Longo ta ketë të plotë grupin e lojtarëve për këtë ndeshje, pasi nuk raportohet për lojtarë të ndëshkuar me kartonë apo të dënuar.

Pas afrimeve në merkaton e dimrit, tani alternativat në të gjitha repartet nuk mungojnë për verilindorët, ndaj pritet nëse italiani do të bëjë spostime të tjera në formacion.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"