Nikaj në dyshim, Gvozdenoviç: Kukësi është sfidë për t’u fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2024 | 9:46

Nikaj në dyshim, Gvozdenoviç: Kukësi është sfidë për t’u fituar

Ndeshja e sotme në Korçë në orën 17:00 mes Skënderbeut dhe Kukësit, merr një rëndësi të madhe për të dyja skuadrat, për vetë situatën ku ndodhen në renditje pas 22 javësh kampionat. Bardhekuqtë, pas humbjes së pak ditëve më parë në transfertë me Teutën, kanë ngushtuar më shumë diferencën me pikë me skuadrat e tjera dhe kjo e bën shumë delikat takimin në shtëpi me kuksianët.

gvozdenovic

Edhe vetë trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, është i bindur që ka përpara një ndeshje shumë të rëndësishme, por që kurrsesi nuk pranon ta quajë vendimtare. Në prononcimin për “Panorama Sport” para duelit me Kukësin, serbi i pankinës shprehu besimin se ekipi do të dijë të shfrytëzojë faktorin fushë, duke marrë tri pikë.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, por absolutisht jo më e forta e sezonit. Jemi disa skuadra me pikë të barabarta, por edhe me diferencë të vogël pikësh, kështu që çdo ndeshje për ne është si një finale. Kështu ka qenë gjithmonë në fakt dhe e kemi konsideruar që nga java e parë dhe deri në këtë pikë të kampionatit. Është sfidë delikate me Kukësin dhe do të shikojmë të dielën se si do të dalim në fushë. Më shumë se formacioni, për mua ka rëndësi qasja që lojtarët do t’i bëjnë këtij takimi. Unë e kam thënë edhe më herët, nuk fiton formacioni, por lojtarët.

Nëse ne luajmë 4-3- 3, 3-5-2 apo 4-2-3-1, nuk ka shumë rëndësi. Futbollistët e mi duhet të fitojnë këtë takim. Do të luajmë fort dhe një futboll ofensiv. Kjo është ajo që dua të them. Jemi të përqendruar vetëm tek fitorja. Luajmë në shtëpinë tonë këtë takim dhe duhet të shfrytëzojmë këtë fakt. Së bashku me tifozët le ta bëjmë kthesën për ndeshjen e radhës dhe të ecim me rezultate pozitive”, ka thënë trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

DËMTIMI – Në stërvitjen e së premtes, sulmuesi shkodran i Skënderbeut, Ardit Nikaj, nuk e ka mbyllur dot seancën me skuadrën. Gjithashtu nuk është parë në përgatitje me grupin as mbrojtësi i majtë, Ergi Zenullari. Për sulmuesin ka pak shanse të jetë nga minuta e parë, ndërsa për mbrojtësin, mjekët po bëjnë gjithçka që Gvozdenoviç ta ketë të gatshëm me Kukësin. Trajneri ka shumë gjasa të ndryshojë vendosjen dhe kjo është parë edhe në stërvitjen e së premtes, duke treguar haptazi se do të jetë më tepër ofensiv kundër Kukësit.

Në mungesë të Nikajt, në sulm e nisin lojën nga minuta e parë Frenklin dhe Rashica. Juri dhe Lika janë dy kandidatët për të zëvendësuar mungesën e Nikajt. Nëse luan braziliani titullar, ekipi shkon në rreshtimin 3-5-2. Ndërkohë, nëse Gvozdenoviç zgjedh Likën në vend të Nikajt, do të jetë i njëjti rreshtim ofensiv për Skënderbeun në këtë ndeshje. Në portë rikthehet Marko Alia, i cili ka shlyer pezullimin, ashtu si mbrojtësi i majtë, Klevis Shaqe.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"