Nica kthehet në Laç, Kukësi ia ka marrë dorën kurbinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2023 | 12:20

Nica kthehet në Laç, Kukësi ia ka marrë dorën kurbinasve

Kukësi e sheh Laçin si mundësinë më të mirë për t’iu larguar vendeve të fundit në rast të një fitoreje. Si ndeshja e fundit për këtë vit, në Kukës duan ta mbyllin ashtu siç duhet, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje transferte.

KUKESI

Një përballje disi më ndryshe edhe për trajnerin Stavri Nica, sepse rikthehet në Laç, aty ku nisi këtë sezon edhe aventurën e tij në Superiore, por qëndroi vetëm një javë në krye të tyre. Gjithsesi, tani si trajner i Kukësit do të përpiqet t’i mundë, ashtu siç bëri në fazën e parë në Kukës, ku morën tri pikët falë një goli të mauritanezit Abdou Mbarak. Për fat të mirë, Kukësi pritet të mos ketë mungesa të tjera, përpos atyre që dihen, Rashiti me La Torren. Në këtë përballje, do të rikthehet edhe mbrojtësi Vasil Zhongo, i cili mungoi për arsye kartonësh ndaj Partizanin në përballjen e kaluar.

SHIFRAT – Po t’i hedhësh një sy shifrave, mund të thuhet se bardhezinjtë kanë shërbyer këto vitet e fundit si shpëtim për Kukësin. Blutë fitojnë prej pesë ndeshjesh radhazi, midis të cilave kanë pësuar vetëm një gol. Vitin e kaluar, verilindorët i morën 12 pikë të plota dhe në bazë të fitoreve ndaj kurbinasve, me shumë mund në fund arritën të siguronin edhe mbijetesën në kategori, ndonëse vetëm në javën e fundit. Me pak fjalë, duket se ky kundërshtar i sjell fat skuadrës dhe sa herë kërkon pikë ia del t’i marrë. E tillë duket edhe situata tani, sepse pas shtatë ndeshjesh radhazi që Kukësi nuk fiton, tri pikët janë më të rëndësishme se kurrë.

KRIZA – Praktikisht, nëse nuk fitojnë as ndaj kurbinasve mbushet një fazë e plotë që skuadra nuk merr tri pikët. Për herë të fundit kanë mundur Vllazninë para dy muajsh dhe u bë kohë e gjatë pa një fitore. Mund të konsiderohet edhe si një krizë rezultatesh, ndonëse janë barazimet ato që e zbusin disi këtë ecuri. Për këtë arsye, ndaj Laçit do të hyhet në fushë për të marrë tri pikët dhe Kukësi ta mbyllë vitin me një fitore që do ta bëjë të punojë më i qetë edhe gjatë periudhës së pushimeve dhe merkatos së janarit. Tani mbetet e gjitha për t’u parë, nëse Kukësi do t’i jap fund krizës apo do ta mbyllë vitin pa fitore.

V.MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"