Nga shpresat për titullin tek e ardhmja, Dikson: Dinamo e meritoi ngjitjen, jam gati të luaj në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2023 | 17:51

Nga shpresat për titullin tek e ardhmja, Dikson: Dinamo e meritoi ngjitjen, jam gati të luaj në Superiore

Dikson Eçe Idakuo nuk mendon të largohet nga Dinamo. Ka një kontratë dhe është gati që të qëndrojë në elitë. Shpreson vetëm që këtë herë historia të jetë ndryshe, jo si dy sezone më parë. bsmndvd

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, një nga mbrojtësit kryesor të bluve, analizon ecurinë e këtij kampionati. Ngjitjen e quan më shumë se të merituar, por i kompletuar do të ndihej nëse marrin edhe titullin.

“Jam i lumtur që arritëm objektivin kryesor. E merituam ngjitjen. Kemi një skuadër me kualitet dhe një pjesë të mirë të sezonit kemi kryesuar. Gjatë rrugës pati vështirësi, sepse gara ishte mjaft e fortë. Ishin disa skuadra që luftuan fort për të kapur elitën. Por e ritheksoj, Dinamo e ka merituar gjithçka ka arritur, madje mund të merrte më shumë. Unë ‘specialist’ i ngjitjes në Superiore? Jo, nuk është kështu. Çdo gjë e kemi bërë si skuadër, suksesi është arritur nga të gjithë bashkë”, tha fillimisht afrikani, që një sezon më parë ngjiti edhe Erzenin në elitë.

MBROJTJA – Objektivi i ngjitjes në elitë për Dinamon u vështirësua edhe për faktin se kjo skuadër ka pësuar më shumë gola në raport me rivalët. Blutë kanë pësuar 22 gola, një shifër shumë e lartë, po të kemi parasysh se Skënderbeu ka pësuar 13 gola dhe Flamurtari 15 gola. “Po, janë shumë gola të pësuar. Mbrojtja natyrisht ka përgjegjësitë e saj, por nuk është vetëm mbrojtja. Sepse futbolli është një sport kolektiv, që mbrohet si skuadër dhe sulmohet si skuadër. Për fat të mirë kemi arritur të sigurojmë ngjitjen në elitë dhe golat e pësuar nuk kanë shumë rëndësi”, u shpreh për këtë temë nigeriani.

LUZI – Për ndeshjen e fundit të kampionatit me Luzin në transfertë, Dikson paralajmëroi se do të futen në fushë vetëm për fitore, duke shpresuar te ndalesa e Skënderbeut. “Ne do të përpiqemi ta mbyllim këtë kampionat në mënyrën më të mirë, me fitore. Pastaj, nëse Skënderbeu gabon dhe shpallemi kampionë, do të jetë shumë bukur për ne”, evidentoi 28-vjeçari.

E ARDHMJA – A është gati Dikson që pas disa sezonesh në Kategorinë e Parë, të luajë në Superiore? Vetë futbollisti përgjigjet: “Unë kam kontratë me Dinamon dhe dua ta respektoj atë. Nuk mund të them më shumë se kaq për momentin. Personalisht, e ndiej veten gati që të luaj në Superiore me Dinamon, por kjo është një çështje që nuk mund të diskutohet tani”.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"