Nga Peruja në Kukës, Rivas: Aventurë e bukur, dua të zhbllokohem me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2023 | 21:12

Nga Peruja në Kukës, Rivas: Aventurë e bukur, dua të zhbllokohem me Laçin

Karlos Rivas është një nga afrimet e Kukësit këtë merkato vere. La Perunë e largët për të ardhur në Shqipëri dhe milituar në Superiore me skuadrën e Kukësit. Një aventurë e re për 23- vjeçarin, i cili pak e nga pak u kthye në një lojtar të përhershëm në formacion, duke fituar besimin e teknikut Stavri Nica me paraqitjet e tij në fushë.

Rivas

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi i krahut e konsideron si një sfidë të bukur këtë që po përjeton me Kukësin në elitën e futbollit shqiptar.

“Të jem i sinqertë ka qenë një sfidë e bukur për mua që kur kam ardhur këtu në Shqipëri me Kukësin. Të gjithë më trajtuan në mënyrën më të mirë, kjo bëri që të përshtatesha sa më shpejt me grupin dhe të vazhdoj të jap kontributin tim për skuadrën”, u shpreh fillimisht peruani i Kukësit.

GOLI – Ajo që po e mundon shumë Rivasin është goli, pasi ende nuk është zhbllokuar me Kukësin. Edhe pse vazhdimisht në çdo ndeshje ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur, nuk ka shkuar deri aty sa të lërë shenjë në këtë aspekt. Por, sipas tij, është ende në kohë për t’ia dalë dhe po punon fort për këtë gjë dhe pse jo, ta bëjë “sefte” në sfidën e radhës me Laçin ditën e shtunë.

“Për fat të keq nuk kam arritur të shënoj ende një gol për skuadrën. Por, jam duke punuar fort për ta realizuar edhe këtë gjë dhe shpresoj që t’ia arrij këtë fundjavë me Laçin”, vijoi më tej autori i 14 paraqitjeve këtë edicion me Kukësin, i cili në këmbët e tij numëron plot 1077 minuta, ndërkohë që njihet për shpërthimet e tij në krah dhe kontributin që jep për ekipin në fazën sulmuese.

LAÇI – Viti mbyllet me një ndeshje të vështirë ndaj kurbinasve, e cila për më tepër vjen pas një situate jo të mirë të Kukësit, ku prej shtatë ndeshjesh radhazi nuk po gjen dot rrugën drejt fitores. 23-vjeçari ka besim se do t’ia dalin këtë herë dhe skuadra do të kthehet në shtëpi me tri pikë.

“Kemi shumë ndeshje që nuk po fitojmë në fakt, por gjithsesi do të mundohemi që ta bëjmë një gjë të tillë ndaj Laçit. Si në çdo ndeshje, unë edhe skuadra synojmë të marrim maksimumin dhe të zhvillojmë një lojë të mirë. Personalisht, dua të ndihmoj ekipin për të shkuar tek goli dhe kam besim se do t’ia dalim ta mbyllim me sukses këtë vit”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën Karlos Rivas, peruani që është ende në kërkim të golit të parë në Superiore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"