“Nga ky moment do te hapen shumë plagë”, drejtori i Kukësit reagon pas përjashtimit nga Disiplina: Kukulla, mercenarë, injorantë dhe mediokër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 18:04

“Nga ky moment do te hapen shumë plagë”, drejtori i Kukësit reagon pas përjashtimit nga Disiplina: Kukulla, mercenarë, injorantë dhe mediokër

“Nga ky moment do të hapen shumë plagë”. Këto janë fjalët e drejtorit sportiv të Kukësit, Naim Halili për “Panorama Sport” pasi u mësua dënimi i tij nga Komisioni i Disiplinës. Ky i fundit e pezulloi për dy vite drejtuesin e verlindorëve për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes që skuadra e Kukësit humbi në shtëpi ndaj Erzenit.

NAIM HALILI

Halili nuk ka dashur të shprehet më shumë për momentin rreth kundërpërgjigjes së tij, por me një status në rrjetet sociale, ka premtuar luftë ligjore ndaj atyre që e dënuan, duke mos kursyer akuza të rënda.

“Kush janë kukullat Lerdita Balili, Julian Mërtiri dhe Arben Shkëmbi që vendosin me urdhër të punëdhënësve të tyre për këto vendime? Shihemi në gjykatë me këta mercenarë dhe disa njerëzve në ikje nga ky institucion që ka kohë që është kalbur nga njerëz injorantë dhe mediokër, që mendojnë që bota e futbollit varet nga këta.

Kështu menduan edhe Blater edhe Platini, por sot janë në dyert e gjykatave, për padrejtësitë që bënë kur mendonin se bota e futbollit varej nga këto të korruptuar. Besoj se të njëjtin fat do të kenë edhe disa zyrtarë të këtij institucioni të kalbur dhe të paaftë.

Dhe në fund faleminderit Zot që nuk kanë këta mercenarë ligjin me vdekje në duart e tyre. Për të mbuluar padrejtësitë që i janë bërë FK Kukësit të orkestruar nga kupola dhe hienat e tyre. Beteja do të jetë dhëmb për dhëmb me këta mercenarë. Forca FK Kukësi!”, shkruante ndërkohë Halili në postimin e tij në rrjetet sociale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"