Nga Egbo te Ngo, ja notat e sezonit te kampionët e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2020 | 23:23

Nga Egbo te Ngo, ja notat e sezonit te kampionët e Tiranës

NOTAT E SEZONIT TE TIRANA SIPAS “PANORAMA SPORT” 

tirana-12-770x470

EMANUEL EGBO, trajner

Të drejtosh Tiranën është fat, përgjegjësi dhe çmenduri më vete. Pas dy trajnerëve i treti ishte Emanuel Egboja. Ai dhe ndihmësit e tij, Erjon Xhafa e Jani Kosta, kanë kthyer përmbys një mentalitet prapambetës te bardheblutë. Bashkuan një skuadër të pangjitur dhe u ulën veshin kryengritësve. Fitues nga ana taktike, psikologjike dhe e menaxhimit, Egboja është heroi. Ndoshta ka atë që nuk e kanë të tjerët. Mentalitetin fitues. Më i miri. Nota 9.

ILION LIKA, portier, vjeç: 40, minuta: 2656, ndeshje: 30, gola: 0

E ku mund të gjesh një lojtar të tillë që vazhdon e shpallet kampion, ndërsa shokët e tij janë tani në shtëpi. Zëvendëskapiteni i bardhebluve, tashmë me 40 vite mbi shpatulla, ka qenë lideri i skuadrës. Titullar i padiskutueshëm në 30 nga 34 ndeshjet. Repart më vete dhe e ka treguar në fushë. Nota 8.

EDVAN BAKAJ, portier, vjeç: 32, minuta: 404, ndeshje: 5, gola: 0

Portieri i dytë i bardhebluve, edhe pse një eksperiencë të madhe mbi shpinë, nuk është se ka luajtur shumë këtë sezon. Vetëm 404 minuta në fushë, por gati sa herë që e ka kërkuar skuadra. Mund të kishte pasur më shumë hapësirë, por ka pranuar fatin e tij në stolin e rezervave. Nota 7.

PANO QIRKO, portier, vjeç: 21, minuta: 0, ndeshje: 0, gola: 0

Pano Qirko erdhi në fillim të sezonit për të qenë portier i së ardhmes. Nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon, por gjithmonë në gatishmëri. Pa notë.

MARVIN KODRA, portier, vjeç: 19, minuta: 0, ndeshje: 0, gola: 0

Marvin Kodra është portieri i 19-vjeçarëve të Tiranës dhe një nga alternativat për bardheblutë në portë. I grumbulluar edhe nga skuadra e parë, gardiani ka përpara mundësinë për të treguar veten. Pa notë.

KRISTI VANGJELI, mbrojtës, vjeç: 34, minuta: 2526, ndeshje: 30, gola: 1

Korçari e nisi me luhatje dhe menjëherë i përmendën moshën… Megjithatë, vitet mbi supe jo vetëm që s’e penguan, por në qendër të mbrojtjes ka shkëlqyer. Nga më të mirët, për të mos thënë disa herë vendimtar. Lojtari i tretë me më shumë minuta, edhe me një gol, Vangjeli tregoi se është lider fitues dhe një nga ata që në skuadër gjithmonë ka treguar veten. Më mirë se kaq, prishet. Nota 8.

ERJON HOXHALLARI, mbrojtës, vjeç: 24, minuta: 2347, ndeshje: 28, gola: 1

Nga ata që gjithmonë është në qendër të vëmendjes. Për mirë e keq. E lanë në shtëpi para ndeshjes me Flamurtarin, por u kthye më i fortë në krahun e majtë. Ka luajtur shumë ndeshje edhe këtë sezon, duke qenë nga ata që gjithmonë janë të nevojshëm në çdo rast. Në krah, në qendër, kudo e kanë kërkuar. Nota 7,5.

ALBI DOKA, mbrojtës, vjeç: 23, minuta: 207, ndeshje: 28, gola: 0

Në vitin e fundit me Tiranën ka bërë gjëra të mëdha. Ndoshta nga më të mirët në fushën e lojës. Krahun e djathtë e ka mbajtur vetëm gjithë sezonin, duke qenë nga ata që do të lënë gjurmë te bardheblutë me largimin e tij. Nuk njeh dëmtime, por vetëm fushën e lojës. I paepur. Nota: 8.5.

GENTIAN MUÇA, mbrojtës, vjeç: 33, minuta: 1806, ndeshje: 25, gola: 1

Fati e deshi që në fushë ta aktivizonte si titullar Julian Ahmataj. Pas problemeve ai u kthye më i fortë. Tregoi në fushë karakter dhe qetësi, duke qenë një vlerë e shtuar për bardheblutë, prej takimit me Kukësin në fazën e dytë e deri më sot. Lider. Nota 8.

TEFIK OSMANI, mbrojtës, vjeç: 35, minuta: 1378, ndeshje: 18, gola: 0

Duhet të ishte lideri në mbrojtje. E bëri vetëm pjesën e parë të sezonit, pasi pas sfidës derbi pranoi stolin. Si trajner i heshtur në skuadër, Tefiku vazhdoi motivimin ndaj lojtarëve të rinj e duke kombinuar fushën me anën psikologjike. Mbajti një ambient të qetë, duke evituar totalisht polemikat. Nota 7.5.

MARSEL ISMAJLGECI, mbrojtës, vjeç: 20, minuta: 1131, ndeshje: 19, gola: 1

Një nga zbulimet e Tiranës në mbrojtje. Bardheblutë nuk kanë nevojë më për lojtarë në krahun e majtë. Marseli është shumë i talentuar dhe sa herë që ka luajtur në fushë ka treguar se po kthehet në një titullar të vërtetë. I sponsorizuar nga Refik Halili, mbrojtësi është çelur në pjesën e dytë të sezonit. Me të ardhme. Nota 7.5.

IDRIZ BATHA, mesfushor, vjeç: 28, minuta: 2703, ndeshje: 31, gola: 10

Ndoshta një nga lojtarët më të mirë të sezonit. Ai që ka qenë më shumë në fushën e lojës, duke shënuar edhe 10 gola. Përshtatet me Tiranën që ditën e parë të stërvitjes. Tregoi se është profesionist i vërtetë. Ka vendosur disa ndeshje të mëdha, duke u kthyer lideri i mesfushës. I ka dhënë forcë kësaj Tirane. Nota 9.

UINFUL KOBINA, mesfushor, vjeç: 28, minuta: 2464, ndeshje: 32, gola: 7

Të dytë nuk gjen te Tirana. Më shumë ndeshje i aktivizuar në lojë, por edhe 7 gola. Për kornizë derbi i parë i fituar me Partizanin pas 6 vitesh. Idhull i tifozërisë në një sezon ku ganezi ka dhënë jashtëzakonisht shumë. Në krahun e djathtë me Dokën është i pakalueshëm, ndërsa kalimet, sidomos ato të minutave të fundit, janë nga ato që tifozëve u dalin në ëndërr. Nota 8.5.

JURGEN ÇELHAKA, mesfushor, vjeç: 19, minuta: 2210, ndeshje: 27, gola: 0

Zbulimi i sezonit dhe ndoshta një nga ata që ka bërë një kampionat të madh që vitin e parë. Luan me personalitet në mesfushë, sikur ka vite titullar. I saktë, i fortë, i kudondodhur. Vetëm me dorë mund t’i kishe vizatuar cilësitë që ka mesfushori. I rritur mes profesionistëve, Çelhaka është diga bardheblu e titullit. Nota 8.5.

EDON HASANI, mesfushor, vjeç: 28, minuta: 1228, ndeshje: 23, gola: 7

U nis si meteori bardheblu në fillim të sezonit. Golashënues për një kohë të gjatë, por pas dëmtimit dhe pandemisë nuk ia doli të kthehej në formën më të mirë. Humbi edhe vendin e titullarit. Gjithsesi, shifrat janë ato që e ngrenë lart, sepse në pjesën e parë të sezonit, mbajti gjallë Tiranën. Nota 7.5.

ERANDO KARABECI, mesfushor, vjeç: 31, minuta: 547 , ndeshje: 13, gola: 0

Kapiten i vërtetë, brenda dhe jashtë fushe. Për të mirë të skuadrës sakrifikohet. Nuk bën polemika, ndonëse ndonjëherë mund t’ia kenë ngrënë hakun. Sa herë thirret nën armë, jep atë që ka për Tiranën, edhe pse mund të kishte luajtur më shumë. I përulur. Nota 7.5.

LANSINET SIDIBE, mesfushor, vjeç: 23, minuta: 242, ndeshje: 10, gola: 0

Erdhi për të qenë një alternativë në mesfushë dhe mbrojtje. Nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe, paçka pompimit të ambientit bardheblu. I preferuar në shumë ndeshje ndaj lojtarëve të tjerë, ndoshta ka humbur shansin e madh të jetës. Nota 6,5.

ALBAN ÇEJKU, mesfushor, vjeç: 18, minuta: 34, ndeshje: 1, gola: 0

Edhe mesfushori i 19-vjeçarëve ka vënë një tullë në këtë Tiranë. Ka luajtur vetëm një sfidë ndaj Kukësit në fazën e dytë, me 34 minuta. Sot i dëmtuar, lojtari është një nga ata që ka të ardhmen përpara. Fati i keq, se shumë të rinj këtë sezon ishin në fushë. Pa notë.

ANDRI STAFA, mesfushor, vjeç: 18, minuta: 20, ndeshje: 1, gola: 0

I talentuar, i qartë në fushë, por jo akoma gati për të qenë titullar në sytë e Egbosë. Devi Muka e vlerëson shumë. Refik Halili akoma më shumë, Stafa nuk duhet të dorëzohet. Sezonin e ardhshëm mund të bëjë më mirë. Pa notë.

ELDIS KRAJA, mesfushor, vjeç: 20, minuta: 10, ndeshje: 1, gola: 0

I ri, me dëshirë. Ka luajtur shumë pak. Mund të bënte më shumë. Ndoshta nuk është në momentin e duhur. Duhet të tregojë shumë përpara. Pa notë. ANDI LILA, mesfushor, vjeç: 34, minuta: 0, ndeshje: 0, gola:0 Erdhi, bëri foto, foli, u stërvit disa ditë dhe në fund u shpall kampion. Ky është Andi Lila. Në këtë titull, veç postimeve dhe deklaratave nuk dha asgjë. Ama medaljen do ta varë në qafë. Pa notë.

MAJKËLL NGO, sulmues, vjeç: 27, minuta: 2357, ndeshje: 30, gola: 12

Më i miri. Nuk do ta ekzagjerojmë. Shumë prisnin që ai të shënonte mbi 20 gola. Të tjerë të merrte zvarrë kundërshtarët. Presidenca ishte në mëdyshje. Ndërsa Ngo në fushën e lojës tregon veten: 12 gola, 14 asiste. Penallti të marra. Titullar. Anglezi i ka të gjithë numrat në rregull. Pa të e ndonjë tjetër, Tirana nuk do të kishte bërë shumë. Nota 8.5.

ELTON KALE, sulmues, vjeç: 32, minuta: 2132, ndeshje: 28, gola: 4

Nuk ka të dytë. Luan me shpatull të dalë, vrapon lart e poshtë, por më shumë është djali më pozitiv në skuadër. Braziliani tregon se së bashku me mikun e tij Agustin Torasa janë nga ata që i kanë dhënë titullin Tiranës. Zemërgjerë dhe i kudondodhur, Kale meriton shumë. Nota: 8.5.

AGUSTIN TORASA, sulmues, vjeç: 31, minuta: 1884, ndeshje: 24, gola: 5

Sezonin e nis në hije, por me kalimin e tij në qendër të sulmit tregon se është gjetja e madhe e Emanuel Egbosë. Motor dhe nga ata që në çdo duel del i fituar. Lufton, shënon, vrapon. I jep shpejtësi manovrës së bardhebluve. Gjetje dhe flori për bardheblutë. Ndoshta çelësi i titullit. Nota 8.

GRENT HALILI, sulmues, vjeç: 22, minuta: 1082, ndeshje: 22, gola: 3

Ashtu si edhe Erando Karabeci, edhe Grent Halili mund të ndihet i pakënaqur. Mund të kishte luajtur më shumë në një sezon që ai e nisi me 100 në orë. Tre gola dhe fitore të mëdha për Tiranën. Më pas ndryshimi i trajnerëve bëri të vetën. Ndonjë rast edhe e ka humbur, por e meriton të jetë aty. Nota 7.5.

ERNEST MUÇI, sulmues, vjeç: 19, minuta: 646, ndeshje: 19, gola: 7

Djali i artë i Tiranës. Në stol gjatë gjithë kohës, Muçi për minutat që ka luajtur, është nga më rezultativët. Shtatë gola, tre në derbin me Partizanin janë pak, sepse raste ka pasur shumë. I kudokërkuar, Muçi ka zhvilluar një sezon të mirë, edhe pse pritej shumë më shumë. Nota 8.

ISMAEL DUNGA, sulmues, vjeç: 27, minuta: 444, ndeshje: 13, gola: 4

I marrë nga Luftëtari për të zëvendësuar Majkëll Ngonë. Nuk ia del për shkak të dëmtimit. Gjithsesi, në fushë sa herë luan, shënon. Nuk është lider, por mbushës në skuadër. Nota 7.

MARIO MORINA, sulmues, vjeç: 27, minuta: 31, ndeshje: 3, gola: 0

Një ujk i vjetër i Tiranës, por që në fund nuk tregon asgjë. Nuk i jepet mundësia të luajë si titullar, por qëndron aty si rojë për një moment të keq. Pa notë.

MARIO BESHIRAJ, sulmues, vjeç: 20, minuta: 36, ndeshje: 3, gola: 0

Luan tri ndeshje, por shanset nuk i ka të mëdha. Ndoshta sezonin tjetër mund të bëjë më mirë. Këtë vit shumë pak bëri për Tiranën. Pa notë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"