“Mjeshtër i Madh”, Topi nderon 6 ikona të sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2012 | 9:23

“Mjeshtër i Madh”, Topi nderon 6 ikona të sportit

Presidenti Topi nderon me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” sportistët Besnik Pëllumbi (pas vdekjes), Bujar Shehu, Vasil Shaka, Viktor Papavangjeli, Nijazi Lleshi, Petrit Stefa

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi paraditen e djeshme me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” gjashtë emra të shquar të basketbollit shqiptar ndër vite, Besnik Pëllumbin (pas vdekjes), Bujar Shehun, Vasil Shakën, Viktor Papavangjelin, Nijazi Lleshin dhe Petrit Stefën. Në ceremoninë e dekorimit të organizuar me këtë rast në mjediset e Presidencës, ishin të pranishëm sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, personalitete të shquara të sportit shqiptar, trajnerë, miq, familjarë dhe kolegë të sportistëve të dekoruar. Presidenti Topi u dorëzoi medaljen e lartë në shenjë vlerësimi dhe respekti të thellë për vlerat e paraqitura në sportin e basketbollit, si lojtarë, trajnerë dhe specialistë të mirënjohur e me kontribute të jashtëzakonshme. Në fjalët e tyre përshëndetëse, basketbollistët e dekoruar shprehën mirënjohjen për vlerësimin e mar rë nga ana e Presidentit të Republikës, duke falënderuar njëkohësisht edhe familjet e tyre, komunitetin sportiv dhe sidomos sportdashësit për mbështetjen e dhënë gjatë karrierës së tyre të gjatë e të shquar. Nderimi i gjashtë ikonave të basketbollit nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, është përshëndetur edhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Në deklaratën për shtyp thuhej që nisma e Kreut të Shtetit është një nxitje e madhe për vazhdimin e këtij sporti. “Federata Shqiptare e Basketbollit ndihet e vlerësuar që kontributi i këtyre figurave të shquara vlerësohet nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi. Vlerësimi i bërë nga Kreu i Shtetit për figurat e basketbollit shqiptar është një nxitje e madhe për vazhdimin e këtij aktiviteti publik në Republikën e Shqipërisë. Federata Shqiptare e Basketbollit i uron të dekoruarit për këtë titull të lartë dhe u shpreh mirënjohjen për atë çfarë kanë dhënë për basketbollin kombëtar”.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"