Merveil dhe Akuah te Osijeku për 510 mijë euro, Halili: Nuk jam budalla, firmosim nëse mbajmë %

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 9:40

Merveil dhe Akuah te Osijeku për 510 mijë euro, Halili: Nuk jam budalla, firmosim nëse mbajmë %

Merveil Ndokyt dhe Ruben Akuah do të shiten te klubi kroat, NK Osijek, për një shumë prej 510 mijë eurosh. Klubi i Tiranës pritet të zyrtarizojë marrëveshjen javën e ardhshme, teksa “Panorama Sport” mëson se prej disa ditësh bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe palët kanë arritur në parim akordin. Por, mbeten ende detaje për t’u sqaruar, në mënyrë që gjithçka të quhet e mbyllur.

merveil

Ajo që po mban peng për momentin zyrtarizimin mësohet se është përqindja e kartonit që Tirana kërkon të ketë në rast rishitje të lojtarëve në të ardhmen. Klubi bardheblu insiston që të mbajë të paktën 10% të vlerës së kartonit të Merveilit. Oferta që kanë bërë kroatët është e kënaqshme edhe për vetë 19-vjeçarin kongolez, i cili do të përfitojë në sezon 120 mijë euro.

cetkovic akua daja

Nga ana tjetër, 20-vjeçarit nga Gana, Akuah, i janë ofruar vetëm 50 mijë euro, por gjithsesi ai ka thënë “po”. Klubi i Osijekut, që është kualifikuar në turin e tretë të Ligës së Europës, ka dhënë 400 mijë euro për Merveilin dhe 110 mijë euro për Akuahnë.

Drejtuesit e Tiranës nuk janë nxituar, por duke pasur parasysh se kroatët i duan të dy lojtarët brenda kësaj oferte, u kanë bërë të ditur homologëve të Osijekut se janë të interesuar për të pranuar këtë variant. Vetëm një ofertë e çmendur nga ndonjë klub tjetër mund të ndryshojë mendjen e krerëve bardheblu, teksa gjasat janë që Merveil dhe Akuah të bëhen shokë skuadre me mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Eros Grezda.

REAGIMI

I kontaktuar dje në mbrëmje nga “Panorama Sport”, presidenti i Tiranës, Refik Halili, konfirmoi ofertën e Osijekut, si dhe takimin që ka bërë me drejtuesit e kësaj skuadre për transferimin e Merveil Ndokyt dhe Ruben Akuah. Megjithatë, ai vendosi si afat deri të martën për konkretizimin e marrëveshjes.

“Për të qenë i sinqertë, nuk jam i paaftë apo budalla për t’u nxituar në të tilla raste. Dëshira është e madhe dhe jemi duke bërë një bashkëpunim, që t’u vlejë edhe për të ardhmen lojtarëve. Synimi ynë është të ruajmë një pjesë të pronësisë së futbollistëve. Pra, duam një përqindje në rast se ata rishiten në klube të tjera në të ardhmen.

Nëse do të biem dakord për këtë pikë, atëherë pranojmë ta firmosim këtë marrëveshje. Tashmë jemi në hapat e fundit për të realizuar transferimin e Merveilit dhe Akuahsë. Kjo është në të mirën e klubit dhe lojtarëve, për të cilët ka edhe dy oferta të tjera, pasi nuk është vetëm Osijeku që ka bërë hapin konkret.

Negociatat vazhdojnë dhe unë mund të them se përfundimisht do të vendosim brenda ditës së martë. Të mbyllur marrëveshjen unë do ta quaj kur të firmos zyrtarisht. E vërteta është që unë i kam takuar drejtuesit e Osijekut, por siç e thashë, do të vendos të martën. Do të flasim edhe një herë me lojtarët dhe menaxherët e tyre”, ka thënë Halili për dy afrikanët.

Në fund, i pyetur për mbrojtësin Albi Doka, për të cilin gjithashtu ka interes nga disa klube europiane, presidenti bardheblu sqaroi: “Për hir të së vërtetës, nuk kemi diçka konkrete. Nëse do të kishim, natyrisht që do ta publikonim. Ajo që më kënaq është se, edhe pse kemi rënë nga kategoria, lojtarët e Tiranës janë ndër më të kërkuarit në merkato. Kjo është shumë e rëndësishme”.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"