Mbijetesë, apo “Final 4”? Laçi mëson rrugën në Kukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 21:28

Mbijetesë, apo “Final 4”? Laçi mëson rrugën në Kukës

Rezultatet e javëve të fundit e kanë komplikuar jo pak udhëtimin e Laçit në këtë sezon. Jo më kot kjo skuadër ka ndryshuar disa herë trajner dhe së fundi i është besuar shkodranit Armando Cungu. Përpara është ndeshja me Kukësin në transfertë dhe do të jetë pikërisht kjo sfidë e cila do të përcaktojë se çfarë rruge do të ndjekë Laçi në fazën e fundit të kampionatit: mbijetesë, apo “Final 4”?

Laci-Partizani

Kurbinasit janë në një udhëkryq, 4 pikë mbi vendin që të çon në “play-out” dhe 7 pikë prapa vendit të 4-t. Në këtë kuadër, nëse Laçi fiton në Kukës, ia shton shanset vetes për të tentuar 4-shen e parë, duke qenë se edhe rivalët kanë ndeshje të vështira.

Në anën tjetër, nëse skuadra e Cungut nuk merr pikët maksimale në transfertën e së hënës, përtej kapriçove të futbollit, i duhet të luftojë vetëm për mbijetesë në 9 javët e fundit. Sigurisht që në kampin kurbinas e dinë mirë këtë gjë dhe tani mbetet të shihet në fushë se sa do të jenë në gjendje ta kalojnë këtë moment të vështirë. Humbja me Egnatian në Kupë ka lënë shije të hidhur, por stafi teknik dhe lojtarë janë munduar ta lënë pas krahëve dhe të reagojnë kundër Kukësit për ta përmbysur situatën në favorin e tyre.

Trajneri Armando Cungu pritet që ta ketë skuadrën thuajse të plotë për sfidën me Kukësin, që mbyll tabelën e renditjes. Në letër kurbinasit mund të konsiderohen favoritë, por me atë çfarë treguan kundër Partizanit, duke e eliminuar nga Kupa, kanë rritur edhe vigjilencën te Laçi për të marrë masat e duhura.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"